Matt Cohler, mbreti Midas, i Luginës së silikonit

  • 15 April 2019 - 15:52
Matt Cohler, mbreti Midas, i Luginës së silikonit

Kemi të bëjmë me milionerin e Luginës së Silikonit, i cili ishte punëtori nr. 7 në "Facebook", ndihmoi në lansimin e "LinkedIn"-it dhe tani është pjesë e bordit të "Instagram"-it dhe kompanisë "Tinder". Por, për të diplomuarin në "Yale", 42 vjeçin Matt Cohler, pasuria më e madhe mund të vijë pasi, një ditë, aksionet e tij në "Uber" të bëhen publike. Ky aplikacion i 'ndarjes së vozitjes' tanimë ka ndërmarrë hapa në këtë drejtim. Por edhe tani Cohler ka mjaft para, falë faktit se qëndron prapa disa prej kompanive më të suksesshme në historinë e Luginës së Silikonit. Ky i ri nga Nju- Jorku, i cili dikur e kishte provuar veten edhe si saksofonist, e tani jeton me gruan e tij norvegjeze, avokate, Pia Oien Cohler në San Francisko, është përfshirë në Listën e pasanikëve të "Forbes"-it, shpikës teknologjikë, duke zënë vendin 77.

Martesa me Pia-n

Kjo dmth se Cohler dhe gruaja e tij Pia tanimë bëjnë një jetë të mirë, pasi u fejuan në maj të vitit 2015 dhe u martuan një vit më pas. Në një artikull të botuar në vitin 2015 thuhej se çifti bleu një vilë për 47.5 milionë dollarë, me një pamje prej 270 shkallësh, të San Franciskos, "Golden Gate" dhe të urave "Bay". Më pas, në vitin 2018, çifti mendohet ta ketë blerë një shtëpi në Menhetën për 35 milionë dollarë. Pia, avokate nga Norvegjia, katër vjet më parë kishte lënë Parisin që të jetonte me Cohlerin, ku shpejt në qytetin e tyre të ri hapi një dyqan luksoz. Gjatë një interviste për revistën luksoze "Haute Living", në lidhje me jetën e tyre të përbashkët, Pia kishte thënë se Kërshëndellat kryesisht i kalojnë me familjarët e tyre, të cilët iu vijnë nga Nju- Jorku dhe Norvegjia. Por, burimet bëjnë me dije se çifti në vitin 2016 kishin festuar Kërshëndellat në Havai, me miqtë. Thuhet se ata pëlqejnë aktivitetet, si karaoke, "paintball", etj. Sa i përket Pias, pija e saj e preferuar është shampanja, respektivisht "Ruinart Blanc de Blanc". Përkundër suksesit fillestar, dyqani i saj luksoz u mbyll në vitin 2018, me një plan që të rihapet sivjet, në bashkëpunim me "Innocence Project". Sa i përket Matt-it, i cili diplomoi në "Yale" në teori të muzikës, shkenca kompjuterike dhe financa, udhëtimi i tij për në Luginën e Silikonit filloi me rolin e këshilltarit menaxhues në "McKinsey" në Kinë.

Historia e Luginës së Silikonit

Atje, ai u takua me ish- shefin ekzekutiv të "PayPal", Reid Hoffman. Ata ranë dakord shumë shpejt, kështu që Cohler u bë 'i mbrojturi' i Hoffman-it, i cili i ndihmoi në lansimin e kompanisë së tij të re, "LinkedIn". Në verën e vitit 2004, Matt u takua me sipërmarrësin e quajtur Mark Zuckerberg. Ai iu bashkua "Facebook"-ut si punëtori i shtatë me radhë me orar të plotë, në vitin 2005. Nga kjo kompani u largua në vitin 2008, pasi që u bë partner i përgjithshëm në "Benchmark". Por, ai mbajti titullin e 'këshilltarit special' të Zuckerbergut, të cilin e quan 'të jashtëzakonshëm'. "Nuk ka njeri nga i cili kam mësuar më shumë dhe jam shumë falënderues që pata këtë mundësi", thotë ai. Tani në "Benchmark", ku u bë partneri më i ri i përgjithshëm, ai ka ndërtuar një portofol të bizneseve që përfshijnë emrat si "Quora" dhe "Tinder", si dhe është pjesë e bordit të "Instagram"-it. Ai mori vendin e shokut të tij Bill Gurley në bordin e kompanisë "Uber". Por, kjo nuk dmth se Matt gjithmonë arrin sukses. Kur bashkëthemeluesi i "YouTube"-it, Steve Chen, u largua nga "Facebook"-u për ta formuar platformën e ndarjes së videove, Cohler kujton: 'Steve ishte ndër njerëzit e parë që punësova pasi që iu bashkova "Facebook"-ut. Kur ai më tha se do të largohej, për t'u përqendruar te një kompani e re, të cilën e quante "YouTube", i thash se "Thefacebook" do të ishte i suksesshëm si dhe çdo kompani tjetër në historinë e Luginës së Silikonit dhe se ai bënte gabim të madh. Të paktën, kisha pjesërisht të drejtë". Por, për Cohlerin, historia e Luginës së Silikonit 'gjithmonë ishte histori e një gjenerate të kompanive që shkaktojnë lindjen e kompanive tjera". Në një rast, ai ka deklaruar për "New York Times": 'Jam i vetëdijshëm se jam njëri ndër personat më me fat që ka jetuar ndonjëherë". 

(Kosova Sot)