Gjermania akuzon ish-shefin e VW-së për skandalin e veturave me naftë

  • 15 April 2019 - 16:20
Gjermania akuzon ish-shefin e VW-së për skandalin e veturave me naftë

Ish-shefi ekzekutiv i prodhuesit “Volkswagen”, Martin Winterkorn, është akuzuar nga organet e drejtësisë në Gjermani për shkak të përfshirjes në skandalin e kësaj kompanie me veturat që përdorin naftë.

Prokurori publik në Braunschweig e akuzoi Winterkornin dhe katër menaxherë të tjerë për mashtrim. Në anën tjetër, kompania “Volkswagen” ka thënë se nuk do ta komentojë këtë akuzë.

Winterkorn tashmë është akuzuar nga Shtetet e Bashkuara, por ka pak gjasa të gjykohet në këtë shtet për shkak se Gjermania nuk i ekstradon qytetarët e saj.

Ish-shefi 71-vjeçar kishte dhënë dorëheqje menjëherë pas shpërthimit të skandalit në shtator të vitit 2015.

Përmes një deklarate, prokurorët gjermanë thanë se Winterkorni akuzohet për mashtrime jashtëzakonisht serioze dhe shkelje të ligjeve të konkurrencës.

Sipas tyre, ai është dashur t’i njoftojë më herët pronarët e veturave dhe autoritetet në Evropë për manipulimin me testet për lirimin e gazrave nga veturat.

Nëse shpallet fajtor, ish-shefi ekzekutiv mund të dënohet maksimalisht me dhjetë vjet burgim.

Deri sot, skandali i veturave dizel i ka kushtuar kompanisë “Volkswagen” rreth 28 miliardë euro

(Kosova Sot)