Vjen akuza e rëndë për Sami Lushtakun, ‘tronditet’ PDK-ja

  • 15 April 2019 - 17:21
Vjen akuza e rëndë për Sami Lushtakun, ‘tronditet’ PDK-ja

Analisti politik, Lirim Gashi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot” ka folur lidhur me zgjedhjet e brendshme në PDK, parti në të cilën së fundi është tensionuar situata, ku gjatë ditë së djeshme kishte edhe përleshje fizike në Skenderaj. 

Sipas tij Partinë Demokratike e ka kapluar paniku.

“PDK është një Bandë e dehur nga uria, zelli dhe lakmia për të grabitur, zhvatur, plaçkitur dhe rrënuar gjithçka para vetës si cunami. Karakteri grykës dhe eksploatues i individëve të inkriminuar në këtë përleshje verbale lejon vetëm grindje rreth ndarjes dhe shpëtimit të gjahut politik dhe financiar. Këta piratë ashtu siç nuk i bashkojnë idealet atdhetare e kombëtare, ashtu nuk i ndajnë dhe copëtojnë të njëjtat.

Image
Lirim Gashi

Nëse diçka i ndan, copëton dhe përçanë, atëherë vetëm verbimi nga lakmitë materiale, e sidomos paniku nga humbja e tyre, e sidomos paniku nga përgjegjësia dhe llogaridhënia që do të ndodhte padyshim, sidomos nëse vjen Vetëvendosje në pushtet. Mirëpo druaj se pikërisht paniku nga ardhja e Vetëvendosjes në pushtet do t'i bashkoj sërish me njëri tjetrin në nivelin qendror, sidomos nëse e vendosin çmimin e ndarjes dhe copëtimit të tyre në njërën anë të peshores dhe atë të unitetit në anën tjetër”, thotë për “Kosova Sot”, analisti politik, Lirim Gashi.

“Megjithatë instinkti njerëzor më thotë që përleshja verbale në Skenderaj ka karakter specifik për shkak të përfshirjes së Bekim Jasharit dhe përkrahësve të tij në të, sepse jam i bindur që hyrja e tij në ujërat e turbullt të politikës lokale është e ndërlidhur me tendencën për t'i pastruar të njëjtat, sa do që synimi i tij në shikim të parë duket naiv dhe arsenali politik e intelektual i varfër. Bekim Jashari e kupton shumë mirë mentalitetin lokal, prandaj i përdor pikërisht të njëjtat metoda djallëzore për ta shpartalluar Sami Lushtakun që i ka përdorur ai për ta rrënuar Drenicën. Fakti që ai për ta fituar këtë luftë është i detyruar ta kërkoj përkrahjen e disa ish përkrahësve të Sami Lushtakut e turbullon synimin e tij të pastër vetëm për sytë e pashkolluar të publikut, por jo edhe të njerëzve që e kuptojnë prapavijën politike, metodologjike dhe psikosociale të luftës së tij”, thotë Gashi. 

“Ajo që në shikim të parë për sytë e publikut duket si një betejë e ndotur nga metodat makijaveliste, është në realitet metoda e vetme që ndez në Drenicë dhe duke e pasur parasysh faktin që synimi i tij final është pastrimi i Drenicës nga llumi politik, atëherë ajo thënia që '' qëllimi fisnik i arsyeton edhe mjetet më kontraverse në politikë'' vlen pikërisht në këtë rast”, shprehet më tej ai.

Për fund, Gashi thotë se PDK po shkon drejt ndarjes dhe drejt fundosjes.

(Kosova Sot)