Ja çka dihet deri më tani rreth rastit të vrasjes së Enver Haradinajt

  • 15 prill 2019 - 19:25
Ja çka dihet deri më tani rreth rastit të vrasjes së Enver Haradinajt

Vrasja misterioze e vëllait të kryeministrit, Ramush Haradinaj, Enverit, ende ka mbetur pa u zgjidhur. Hetimet për këtë rast u mbyllën shpejtë, por pa u gjetur vrasësi. Enver Haradinaj u vra në vitin 2005 në afërsi të fshatit Raushiq. 

Kur Enver Haradinaj u vra në vitin 2005, vëllezërit e tij Ramush e Daut Haradinaj, ishin duke u përballë me akuza që iu ngarkuan atë kohë të dyve. Ramushi, në Hagë për krime lufte e Dauti në burg për krime lufte.

Në prill të 2005, në afërsi të fshatit Raushiq u qëllua me armë Enver Haradinaj, e që nga ajo kohë nuk u gjet as vrasësi.

Për këtë rast nuk u zgjatën shumë hetimet, ato u mbyllën pak muaj pas vrasjes. Por, para se të ndodhte kjo, Tasim Osaj kishte shkuar në polici për t’u vetëdorëzuar lidhur me këtë vrasje. Ai u lirua pas një viti për shkak se gjykata nuk gjeti asnjë dëshmi, dhe kështu rasti u pezullua.

Pesë vjet para se të vritej, Enver Haradinaj, kishte një akuzë të ngritur nga UNMIK që lidhet me armët.

Këtë lëndë Enveri e ka ende në Gjykatën Themelore të Pejës.

Nga kjo gjykatë, thanë se e vetmja lëndë e mbetur në Gjykatën Themelore të Pejës është ajo kur në vitin 1999, UNMIK kishte ngritë propozim-akuzë për vepër penale që lidhej me Ligjin mbi Armët dhe Municionin. 

“Në Gjykatën Themelore në Pejë, Enver Haradinaj e ka vetëm një lëndë. Në vitin 1999, nga Administrata e Përkohshme e Kombeve të Bashkuara është ngritë Propozim Akuzë për vepër penale nga neni 33 al.1 të Ligjit mbi Armët dhe municionin”, ka thënë zëdhënësja për media nga kjo gjykatë, Tringa Zhuti.

Përmes përgjigjeve zyrtare, u tha se ish Gjykata e Qarkut në Pejë, tani Gjykata Themelore me aktvendim ka pezulluar procedurën penale ndaj Enver Haradinajt për shkak të heqjes dorë të prokurorit të shtetit nga ndjekja penale. 

Në kohën kur u vra Enver Haradinaj të gjithë liderët e Kosovës kishin reaguar, por askush më nuk u mor me zbardhjen e vdekjes së tij.

Hetimet u mbyllën për vrasjen misterioze të Enver Haradinajt, ende pa u gjetur vrasësi. Atëkohë, Prokuroria e Shtetit thoshte se me këtë rast ishte duke u marrë EULEX, por këta të fundit atëherë kishin mohuar një gjë të tillë, duke thënë se kjo lëndë është mbyllur më herët/

Vrasja e Enver Haradinajt, ndodhi në prill të vitit 2005 rreth orës 14.55 minuta, në afërsi të fshatit Raushiq, në magjistralen Pejë-Deçan. Kjo ishte vdekja e tretë në këtë familje. 

Dy vëllezër të familjes Haradinaj janë vrarë gjatë luftës (Shkëlzen dhe Luan Haradinaj), ndërkaq dy të tjerë në kohën kur u vra Enveri gjendeshin në qelitë e burgut, njëri i arrestuar me akuzë të Tribunalit të Hagës për krime lufte, ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe tjetri, Daut Haradinaj atëkohë i dënuar me 5 vjet e gjysmë burg po ashtu për krime lufte. Që të dy ishin lejuar që të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit.

(Kosova Sot)