Devi Kasmit, pretendimi i specialit grek: Pse erdha në Shqipëri. Ja çfarë e tradhtoi grupin kriminal

  • 16 April 2019 - 12:34
Devi Kasmit, pretendimi i specialit grek: Pse erdha në Shqipëri. Ja çfarë e tradhtoi grupin kriminal

Kamerat e sigurisë dhe dorashkat e gjetura në furgonin, me të cilin është larguar nga vendi i ngjarjes, kanë nxjerrë zbuluar ish-specialin grek, Efthymious Efthymiou, si autor i vrasjes së Devi Kasmit.

Kështu pretendoi Prokuroria në seancën e kësaj të hëne në Gjykatën për Krime të Rënda, ku u hap shqyrtimi gjyqësor për të pandehurit e vrasjes së ndodhur në 29 janar 2018. Prokuroria ka marrë të pandehur për ngjarjen 6 persona: Aurel (Altin) Hoxhallarin, Efthymious Efthymiou dhe Elton Halipajn, të akuzuar për “Vrasje me paramendim për interes”, “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” dhe “Prodhim i municioneve” në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe Malvin Dinellarin, Elton Hoxhallarin dhe Mario Meshini, për të cilët Gjykata ndau çështjen dhe shpalli moskompetencë, duke ia kaluar Gjykatës së Tiranës.

Në seancën e djeshme, të pranishëm në seancë ishin edhe të afërm të viktimës, Devi Kasmit, të cilët shprehën pakënaqësi për ndarjen e çështjes. Ndërkohë, Gjykata i refuzoi gjykimin e shkurtuar Efthymious Efthymiou dhe Elton Halipajt, pasi veprat penale, për të cilat akuzohen, nuk e parashikojnë një përfitim të tillë.

Plani

Referuar hetimeve, sipas prokurorit të çështjes, Besnik Muçi, Aurel Hoxhallari, shtetasi grek dhe Elton Halipaj kanë vepruar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, për të përgatitur dhe kryer vrasjen e Devi Kasmit. Më tej, Prokuroria u shpreh se plani për vrasjen është përgatitur disa muaj para se të kryhej, ndërsa Aurel Hoxhallari, i cili dyshohet se është porositësi, njihej me Efthymious Efthymiu prej vitesh. Hoxhallari është takuar disa ditë para ngjarjes me Efthymiu-n dhe një tjetër shtetas grek, i cili është larguar nga Shqipëria para se të ndodhte vrasja.

“Kur janë futur në territorin shqiptar, Aurel Hoxhallari është ndarë nga dy shtetasit grekë, duke hyrë në këmbë, ndërsa ata kanë hyrë me automjet”, tha Besnik Muçi, ndërsa shtoi se kjo është bërë që të humbnin gjurmët. Pas disa ditësh vëzhgim të lëvizjeve të viktimës, Devi Kasmi, mbrëmjen e 29 janarit të një viti më parë, sipas Prokurorisë, Efthymious Efthymiu, i ka bërë pritë Kasmit poshtë banesës së tij, duke e qëlluar me armë zjarri dhe lënë të vdekur në vend.

Largimi

Gjatë leximit të kërkesës për gjykim, ajo që vihet re është se të tre personat kanë vepruar me efikasitet, ndërsa ditën e ngjarjes nuk kanë komunikuar me njëri-tjetrin me telefon, por me 3 radio transmetues. Këto radio janë gjetur në banesën e Aurel Hoxhallarit, ku edhe u fsheh Efthymiu dhe Elton Halipaj pas vrasjes. Nga pamjet filmike të sekuestruara është vënë re se autori i krimit është larguar nga vendngjarja me një makinë tip “Benz Vito” (furgon), i cili i përkiste shtetasit me inicialet A.D.

Ky i fundit, në dëshminë e tij, ka shpjeguar se ua kishte shitur dy personave në Tiranë, e sa për shitjen, ajo ishte kryer në zonën e njohur si kthesa e Kamzës, pas qendrës tregtare. Në dëshminë e tij, shtetasi A.D. tregon edhe karakteristikat fizike të dy personave që blenë makinën, përshkrim i përputhshëm, sipas Prokurorisë, me Elton Halipajn dhe Malvin Dinellarin.

Nga ana tjetër, Halipaj e ka pranuar para grupit hetimor se ka qenë ai që e ka blerë makinën, por për llogari të shtetasit të shpallur në kërkim, Aurel Hoxhallari. Po sipas kamerave të sigurisë, ky mjet shikohet të futet në banesën e Hoxhallarit, ku disa orë më vonë është bërë edhe arrestimi ish-specialit grek dhe Halipajt, ndërsa Hoxhallari nuk u arrit të prangosej.

Provat

Sipas Prokurorisë, autorësia e veprës penale është vërtetuar përtej çdo dyshimi, ndërsa provat më të forta të paraqitura janë pamjet e kamerave të sigurisë, dëshmitë e personave që kanë qenë të pranishëm dhe provat materiale të gjetura në banesën e Aurel Hoxhallarit dhe furgonin, me të cilin u largua Efthymiou. Prokurori Muçi theksoi gjatë seancës se në furgon janë gjetur dy palë dorashka, një palë plastike dhe një palë të tjera rrobë, në të cilat janë gjetur elementë të qitjes, barut, si dhe material ADN-je, i përputhshëm me atë të shtetasit grek. Ndërkohë, në seancën e radhës do të pyeten 10 dëshmitarë të kërkuar nga prokurori, i cili në total kërkoi që gjatë shqyrtimit gjyqësor të pyeten 23 dëshmitarë, si dhe të pandehurit.

Mbrojtja

Ndërkohë që Prokuroria e akuzon si autorin e vrasjes, Efthymious Efthymiou, nëpërmjet avokatit të tij, Saimir Vishaj, pretendon pafajësi. Gjatë seancës së djeshme, Vishaj u shpreh se i mbrojturi prej tij nuk e pranon autorësinë dhe se në Shqipëri ka ardhur me një person tjetër, po shtetas grek, por për gjueti dhe jo vrasje. Më tej, avokati kërkoi edhe dëshminë e këtij shtetasi, të përmendur edhe nga prokurori, kërkesë e cila u pranua nga Gjykata. Edhe i pandehuri tjetër, Elton Halipaj, nuk pranon të ketë marrë pjesë në vrasje, ndërsa Prokuroria pretendon se ka qenë ai që ka drejtuar furgonin, me të cilin u largua shtetasi grek nga vendi i ngjarjes. Avokatja e Halipajt, ndër të tjera, kërkoi si dëshmitarë mjekun e familjes së tij dhe një farmacist, me dëshminë e të cilëve pretendon të provojë vendndodhjen e klientit të saj momentin e vrasjes.

(Kosova Sot)