Kapiti: Hajdutët nuk e deklarojnë pasurinë e vjedhur

  • 16 April 2019 - 12:49
 Kapiti: Hajdutët nuk e deklarojnë pasurinë e vjedhur

Analisti Skënder Kapiti vlerëson se hajdutët nuk e deklarojnë pasurinë e vjedhur. “Ata e fshehin mirë atë. Dhe, sidomos kur hajdutët janë edhe mashtrues politikë e publikë të mëdhenj dhe me privilegje, me pushtet dhe me "autoritet", ata maskimin e fshehjen e pasurisë e kanë edhe profesionalizëm perfekt. Kjo është e para, ndërsa e dyta është kjo, se kush ka guximin dhe "lejen" për të hetuar pasuritë e krimit, korrupsionit dhe të pasurive të fituara paligjshëm nga politikanët ,pushtetarët dhe ato të kryekomunarëve, gjyqtarëve e prokurorëve në Kosovë?! Askush! Sepse janë vetë politika, pushteti dhe drejtësia, ato janë vetë grabitja e vjedhja, janë mafio-oligarkia politiko-juridike”, u shpreh ai.

“Ketë fakt e vërteton realiteti në Shqipëri, ku politika e drejtësia shqiptare dështuan krejtësisht përballë krimit, korrupsionit dhe hajdutërisë, sepse vetë politika, pushteti dhe drejtësia ishin krimi, vjedhja, korrupsioni, pra ishte vetë sistemi një sistem kriminalo-hajdutokrat. Vetëm VETTING-u së fundi po ia zbulon vjedhjet dhe pasuritë politikanëve, gjyqtarëve e pushtetarëve VIP-a dhe vetëm majën e ajsbergut të pasurive të tyre të fituara në mënyre të paligjshme”, vijoi më tej Kapiti për “Kosova Sot”.

“Një gjë patjetër do të vijë edhe së shpejti edhe në Kosovë dhe është ajo se pas përfundimit të ngritjes e të kompletimit të sistemit të VETTING-ut në Shqipëri, pas ngritjes së SPAK-ut dhe të Byrosë së hetimit në Shqipëri, patjetër që SHBA-ja dhe BE-ja do t'i kthehen Kosovës, do t'ia imponojnë me detyrim dhe presion edhe politikës së Kosovës, Parlamentit të saj që të miratohet edhe në Kosovë VETTING-u”, vlerësoi Skënder Kapiti.

(Kosova Sot)