Zeqa: PDK-ja, përgjegjëse për krimin dhe korrupsionin

  • 16 April 2019 - 15:38
Zeqa: PDK-ja, përgjegjëse për krimin dhe korrupsionin

Analisti Florim Zeqa shprehet se kush më pak e kush më shumë, të gjitha partitë politike janë fajtore për thyerjen e shpresave të qytetarëve, megjithatë njëra është që i prin valles, e ajo është PDK-ja e Hashim Thaçit e Kadri Veselit.“Menjëherë pas PDK-së, vjen LDK-ja e Isa Mustafës, e cila kohën më të gjatë në pushtet e ka kaluar me PDK-në, por edhe si opozitë gjithnjë ishte suporti më i madh i Hashim Thaçit, duke u bërë kështu thyese e shpresave të qytetarëve.

Varësisht prej fuqisë politike edhe partitë tjera minore ishin dhe janë pjesë aktive e katandisjes së shtetit deri tek AAK-ja e vogël, e shndërruar në dinozaur i buxhetit të shtetit”, u shpreh ai.“Krejt pa hise nuk mbeti as VV-ja, e cila u shpërfaq keq me qeverisjen e Shpend Ahmetit në komunën e Prishtinës. Prapëseprapë PDK-ja mbetet alfa dhe omega e secilës qeveri, e cila “vetë preu, e vetë qepi”, si në pushtetin qendror ashtu edhe në atë lokal, duke i ndërruar dhe rrëzuar partnerët sipas nevojave të saj.

Pra, PDK-ja me të gjitha subjektet e tjera janë fajtore pse sot mijëra kosovarë po e lëshojnë vendin, po i braktisin edhe vendet e punës, sepse nuk po mund e durojnë më poshtërimin që ua bën shteti i kapur nga pushteti kriminal”, vijoi më tej Zeqa për “Kosova Sot”.“Është pikërisht PDK-ja e para që duhet të japë përgjegjësi, bashkë me partnerët e koalicionit gjatë tri qeverisjeve radhazi, për shkak se korrupsioni dhe krimi i organizuar përfshiu çdo zyrë shtetërore, nepotizmi u bë dukuri e zakonshme në punësimet publike, ndërsa drejtësia u shndërrua në mashë të mafio-oligarkëve të lidhur me pushtetarët. Gjatë sundimit shtetëror 11-vjeçar në krye me PDK-në, politikanët bashkë me familjarët dhe miqtë e tyre u bënë njerëzit më të pasur të Kosovës, ndërsa qytetarët e varfër po i paguajnë pasojat e keqqeverisjes dhe kriminalizimit të shtetit”, ka potencuar ai.

Sipas tij, PDK-ja me partnerët e saj në koalicion ndërtoi konjuktura mafioze, në sektorët kyçë, duke filluar nga sistemi i drejtësisë, arsimit, shëndetësisë, e deri te sporti, kultura e media. “Andaj, pritjet për vetëpastrim të partive të kriminalizuara, vetëm sa mund të prodhojnë iluzione të reja te qytetarët, për shkak se partitë aktuale aq shumë janë larguar nga vlerat demokratike, saqë vetëm një proces i monitoruar ndërkombëtar i VETTING-ut mund t'i "vetëdijësojë" prapa grilave politikanët e inkriminuar”, ka thënë Florim Zeqa. Ai ka vlerësuar se e ashtuquajtura "Dekada e Re" e prezantuar nga politikanët e inkriminuar, përveçse është vazhdimësi e dy dekadave të errëta të qeverisjes së vendit, paraqet kapjen e re përtej kriminale në vendin tonë.“Lum ata qytetarë që nuk e përjetojnë ‘Dekadën e Re’ të figurave të ndryshkura politike!”, ka theksuar ai.

(Kosova Sot)