Vjen akuza për Haradinajn: Kështu po e përkrah Thaçin për shkëmbim territoresh

  • 16 April 2019 - 16:17
Vjen akuza për Haradinajn: Kështu po e përkrah Thaçin për shkëmbim territoresh

Ka përfunduar punimet seanca e djeshme e Kuvendit të Kosovës, ku në mungesë të deputetëve, nuk është arritur që të votohen disa projektligje.

Poashtu, Kuvendi ka dështuar ta miratoje edhe rezolutën me të cilën i ndalohet Presidenti, Hashim Thaçi që të dialogojë për shkëmbimin e territoreve me Serbinë. 

Lidhur me këtë temë, analisti Faik Krasniqi është shprehur se Kuvendi i Kosovës është vegël e grupeve të caktuara të interesit dhe nuk u shërben qytetarëve, përkundrazi u sjellë vetëm dështime.

Image
Faik Krasniqi

“Kuvendi në vendet normale është në shërbim të qytetarëve dhe shtetit, por me veprimet e saja në të shumtën e rasteve na ka dëshmuar që është vegël e grupeve të caktuara të interesit. Dështimi i Kuvendit që ta votojë rezolutën e cila ja ndalon Presidentit Thaçi për shkëmbim territoresh me Serbinë është treguesi më i mirë që Thaçi është edhe mbi Kuvendin”, është shprehur Krasniqi.

“Nuk është diçka e re sepse në shërbim të tij janë edhe institucionet tjera si AKI, Policia, drejtësia etj. Por dorën në zemër për këtë dështim s'mund të fajësohet VV-ja dhe LDK-ja , sepse me votat qe i kanë në Kuvend është e pamundur të ndalohen gjëra të tilla pa votat e partive në pushtet”, shtoi ai më tutje.

Krasniqi për fund tregon qëndrimet e ndryshme që ka kryeministri Ramush Haradinaj dhe deputetët e partisë së tij në lidhje me taksën ndaj Serbisë. 

“Është hipokrizi nga ana e kryeministrit Haradinaj i cili në njërën anë mburret me taksën ndaj Serbisë dhe jep deklarata pompoze që ky shkëmbim s'do të ndodhë kurrë, kurse në anën tjetër deputetet e AAK-së nuk votojnë një rezolutë që ja parandalojnë Presidentit Thaçi të bëjë pazare me territor të Kosovës. Të njëjtit deputetë, jam i bindur që do votojnë edhe marrëveshje të dëmshme për Kosovën, si në këtë rast shkëmbimi i territorit me Serbinë!”, përfundoi analisti Faik Krasniqi për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)