Shteti s’ka certifikata, komunat huazojnë tek njëra -tjetra

  • 16 April 2019 - 16:33
Shteti s’ka certifikata, komunat huazojnë tek njëra -tjetra

Ka më shume se 2 javë që kur Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), ka anuluar tenderin e shpallur nga Ministria e Punëve të Brendshme.  Ndërkohë kjo ministri ka shpallur një tender tjetër, e ofertuesi do të përzgjidhet në muajin tjetër më 5 maj. E disa komuna kanë filluar të gjinden siç munden duke i huazuar njëra- tjetrës certifikata.

Problemet me certifikata kanë ndikuar që dokumentet e gjendjes civile për qytetarët nëpër komuna të shtypen në letër të bardhë të formatit A4, që janë të vlefshme vetëm për përdorim të brendshëm në institucionet e Republikës së Kosovës.

Më 28 Mars të këtij viti, Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar një komunikatë për media ku thuhet se Agjencia e Regjistrimit Civil e Ministrisë së Punëve të Brendshme, me kohë ka planifikuar inicimin e zhvillimit të procedurave të prokurimit për furnizim me dokumente të Gjendjes Civile për Zyrat Komunale të Gjendjes Civile, mirëpo për arsye procedurale ende nuk është përzgjedhur operatori për furnizim me dokumente të Gjendjes Civile. Me këtë rast Agjencia e Regjistrimit Civil, si organi më i lartë i gjendjes civile në Republikën e Kosovës ka kërkuar nga të gjitha Zyrat Komunale të Gjendjes Civile në Kosovë që në mungesë të formularëve të përdorën metodat alternative.

Në një prononcim zyrtari nga Ministria e Punëve të Brendshme, Behar Haziraj deklaroi se “tenderi i shpallur nga MPB’ja në lidhje me certifikatat e gjendjes civile do të përfundojë me 5 maj 2019, pas kësaj date do të shpallet ofertuesi dhe do të fillojë furnizimi me certifikata” ka thënë Haziraj.

Komuna e Prishtinës, përkatësisht zyra për marrëdhënie me media ka thënë se “Komuna e Prishtinës, e ka një sasi të caktuar të letrës për certifikata të gjendjes civile të cilat i përdorë në rastet e veçanta, në mënyrë që qytetarët të mos mbesin pa shërbime. Ndërsa për rastet tjera, derisa të sigurohet furnizim i ri nga Ministria e Punëve të Brendshme, shërbimi mbetet i njëjtë, sikur në të gjithë Kosovën, pra dokumentet e gjendjes civile shtypen në letër të bardhë, A4”, thanë zyra për marrëdhënie me media e komunës së Prishtinës.

Media ka kontaktuar edhe komunën e Gjilanit, përkatësisht drejtorin e administratës së kësaj komune Bardhyl Syla, i cili deklaroi se “nuk kemi certifikata në dispozicion dhe jemi duke huazuar certifikata nga komuna e Vitisë dhe e Artanës. Kryesisht jemi duke iu dhënë certifikata qytetarëve të cilët janë duke aplikuar për viza në ambasada të shteteve të ndryshme. Nëse vazhdon ky ritëm me mungesë të tyre, atëherë do të detyrohemi të ndalim dhënien e certifikatave të gjendjes civile” përfundoi Syla.

(Kosova Sot)