Ibrahim Kelmendi ‘godet’ Bukoshin dhe “Shtabin e Rognerit”: 500 milionë marka u transferuan në Beograd...

  • 16 April 2019 - 18:14
Ibrahim Kelmendi ‘godet’ Bukoshin dhe “Shtabin e Rognerit”: 500 milionë marka u transferuan në Beograd...

Analisti Ibrahim Kelmendit shprehet se rëndom gjithandej kapitalistë kanë mundur të bëhen ata që kanë qenë të shkathët, fillimisht të plaçkitin e shfrytëzojnë vlerat e të tjerëve, por këta, pushtetarët në Kosovë, e kanë bërë tepër vulgarisht, në një vend të sapodalë nga lufta. 

"Vetëkuptohet, ata nuk do të thonë se i kanë plaçkit, por do të gjejnë mënyra nga më të ndryshmet, për t'i kamufluar e arsyetuar, ato që nuk i deklarojnë dhe ato që i deklarojnë. Nuk mund të gjendet diskualifikim për krimin e atyre që mjetet financiare për luftën i kanë grabitur e përvetësuar, duke kushtëzuar që luftëtarët të martirizohen edhe të uritur! E si duhet të komentohet që gjatë vlugut të luftës në Kosovë, "kryeministri" Bujar Bukoshi dhe "ministri i financave" duhet t'i kenë transferuar në Beograd 500 milionë DM (250 milionë euro, por atëherë me fuqi më të madhe blerëse). Dhe këtë ma ka thënë hiç më pak se një funksion i lartë operativ i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë”, thotë Kelmendi,

“Si duhet të komentohet që dhjetëra milionë euro i ka grabitur e "avulluar" "Shtabi i Rognerit" (Xhavit Haliti, Azem Syla, Hashim Thaçi). Një pjesë goxha të majme të tyre e kanë "avulluar" për të blerë përkrahjen e kryeministrit Fatos Nano dhe të tjerë pushtetarë të kohës në Tiranë. Tjerat i kanë investuar përmes Gaz Demave, Etem Ramadanave dhe të tjerë (dyshoj që me ato mjete është blerë në "privatizim" edhe trualli i kantierit ndërtimor "Ramiz Sadiku" në Prishtinë?)", tregon më tej Kelmendi për "Kosova Sot". 

"Po të ishin investuar ato mjete në ekonomi të Kosovës, do të kishin gjeneruar mijëra punësime dhe kështu do të mund t'u bëhej hallall ajo plaçkë. Por, mund që edhe vetë do ta pësojnë, meqë atyre që ua kanë besuar mjetet janë matrapazë kriminelë, që mund t'ua tjetërsojnë atë plaçkë. Fatkeqësisht, ngjan që këta kriminelë i kemi merituar, sepse vazhdojnë të kenë shumë tifozë përkrahës, që duhet të kenë përfituar ose shpresojnë të përfitojnë ndonjë kocë apo kore...", ka theksuar ai.

(Kosova Sot)