Mafio-politikanët bëjnë miliona, prokurorët e gjykatësit u bëhen servis

  • 17 April 2019 - 07:52
Mafio-politikanët bëjnë miliona, prokurorët e gjykatësit u bëhen servis

Kelmendi: Drejtësia kosovare po e bën “avokatinë”, duke mos hapur dosjet e krimit të organizuar të politikanëve të inkriminuar dhe mafio-oligarkëve të lidhur me ta

“Sa zyrtarë të lartë janë në burg për korrupsion që 20 vjet?Asnjë! Sa është vlera e pasurisë së konfiskuar; afër zeros, sepse janë konfiskuar disa automjete, bagëti dhe dru për ngrohje. Keq kanë përfunduar disa fakirë që nuk janë pjesë e politikës dhe se nuk e kanë askënd në politikë. Të paprekur janë politikanët dhe bizneset e afërta me politikanë ( oligarkë)”, thotë ish-kreu i AKK-së, Hasan Preteni, për “Kosova Sot”

Njohësit e fushës së drejtësisë alarmojnë se drejtësia kosovare vazhdon të punojë me skenarin e politikës së inkriminuar, ndërsa mafio-oligarkët dhe pushtetarët e inkriminuar po amnistohen, pasi Prokuroria nuk po guxon të trajtojë fare “peshqit e mëdhenj”. Ndërkaq, edhe me ata të vegjlit që po merret, shpëtojnë me dënime të buta apo duke i shfajësuar Gjyqësori edhe për vjedhjet e dëshmuara qindra- mijëra e deri në miliona euro të buxhetit të shtetit.

Analistët vlerësojnë se drejtësia e interferuar dhe e ndikuar nga politika kriminale po vepron me kute të ndryshme, dhe kryesisht duke dalë mbi ligjin kur është fjala për pushtetarët e niveleve të larta. Ata theksojnë se si po mbyllen rastet për krim të organizuar dhe korrupsion, edhe kur denoncohen nga qytetarët apo bizneset e palidhura me politikën. Sipas analistëve, vendimet në gjykata merren siç i japin instruksionet e pashkruara, pushteti i inkriminuar që nga Presidenca, Qeveria, Kuvendi, etj.

Image
Hasan Preteni

Po e pësojnë fakirët

Analisti Hasan Preteni vlerëson se Këshilli Prokurorial doli me disa të dhëna të habitshme për publikun, deklaruan se i kanë zgjidhur me mijëra raste të korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Pyetja e radhës duhet të ishte se si i kanë zgjidhur, me mbyllje, me pushim të hetimeve, me parashkrim apo si?

Puna e prokurorëve duhet të matet në bazë të asaj se si i kanë zgjidhur rastet, e jo si i kanë mbyllur. Sa raste i kanë përfunduar në gjykata, sa është raporti në mes aktakuzave të ngritura dhe aktgjykimeve përfundimtare. Kështu duhet të matet performanca e prokurorive. Performanca e prokurorëve, në veçanti dhe të prokurorive në përgjithësi duhet të matet në bazë të rasteve të fituara.

E rastet e fituara me përfshirjen e zyrtarëve të lartë në korrupsion e në krim të organizuar është zero e madhe, kush është në burg, sa është vlera e pasurisë së konfiskuar, jo sekuestruar. Sa zyrtarë të lartë janë në burg për korrupsion që 20 vjet? Asnjë, sa është vlera e pasurisë së konfiskuar afër zeros, sepse janë konfiskuar disa automjete,bagëti dhe dru për ngrohje, keq kanë përfunduar disa fakirë që nuk janë pjesë e politikës dhe se nuk e kanë askënd në politikë. Të paprekur janë politikanët dhe bizneset e afërta me politikanë ( oligarkë)”, potencoi Preteni për “Kosova Sot”.

Preteni: Me këtë garniturë, nuk ka sundim ligji

“Hetuesit dhe gjykatësit janë duke përfituar paga të majme nga vendimet joligjore të Qeverisë, po përfitojnë edhe benefite të tjera materiale dhe jetësore, kështu politika po u del hakesh e këta politikës po ia kthejnë me dëgjueshmëri, poltronizëm dhe mosndëshkueshmëri.

Me këtë strukturë udhëheqëse të mekanizmave që kanë për mision luftën kundër krimit dhe korrupsionit nuk ka shtet dhe sundim të rendit dhe ligjit. Shtet në falimentim e sipër. Kot janë informatat dhe angazhimet për ndryshimin e legjislacionit, zbatueshmëria po ngec, jo legjislacioni, letra duron gjithçka. Me ligje të këqija e politikanë të mirë edhe mund të qeveriset, por me politikanë-funksionarë të këqij, keqbërës e jo shtetdashës, ligjet e mira nuk kryejnë punë”, tha Hasan Preteni për “Kosova Sot”.

Image
Naim Kelmendi

Kelmendi: Drejtësia, avokate e krimit

“Në të vërtetë duket se aty ku ka interferime politike, drejtësia heziton të prekë gjithmonë. Drejtësia në Kosovë ka degraduar deri në atë masë saqë edhe më tutje vazhdon të punojë nën urdhrat e politikës dhe mafio-oligarkëve të inkriminuar, kështu që edhe më tutje politikanët e inkriminuar vazhdojnë t’i shpëtojnë drejtësisë, si në nivelin lokal po ashtu edhe në atë qendror, të cilët janë të lidhur me nëntokën si dhe mafio-oligarkët e inkriminuar, pjesë të krimit të organizuar dhe korrupsionit, i cili rrjet kriminal vazhdon dhe punon pa ndërprerë në mënyrë kriminale,ndërkaq Prokuroria bëhet se nuk po i sheh, dhe bën sehir.

De fakto drejtësia kosovare do të bëjë “avokatinë” duke mos hapur dosjet e krimit të organizuar të politikanëve të inkriminuar dhe mafio-oligarkëve të lidhur me ta, të cilat dosje u flenë në syzat e tyre, shumica si kallëzime penale”, u shpreh Naim Kelmendi për “Kosova Sot”.

Image
Gent Gjini

Nuk ka pavarësi mes pushteteve

Analisti Gent Gjini potencoi se ndarja e pushteteve në Republikën e Kosovës është sfidë në vete, sepse sot kemi institucione, ku secili pushtet prek dhe ndërhyn në pushtetin tjetër, e në veçanti kur pushteti gjyqësor është më i atakuar, dhe ka ndërhyje si nga vetë politika, Parlamenti, Qeveria opozita etj. “Pra, janë këto dukuri që pengojnë drejtpërsëdrejti pushtetin gjyqësor, në pavarësimin e saj, dhe në ushtrimin e lirë të kompetencave të saj.

Edhe pse në njërën anë edhe vetë pushteti gjyqësore ka kontribuar në ndërhyrje të saj, duke marrë parasysh korrupsionin dhe subjektivitetin e treguar, në disa nga rastet, si: kur kemi lëndë të pazgjidhura, kur kemi lëndë të parashkruara, kur kemi vendime kontradiktore në raport ndërmjet të fortit dhe të dobëtit apo të pasurit-varfrit, kur kemi amnistime të përgjegjësisë penale për figurat e larta publike, kur nuk kemi përparime në luftën e korrupsionit, evazionit fiskal etj., janë pikërisht këto dukuri që kemi institucione jo të pavarura, por të varura nga njëra- tjetra, dhe janë këto arsye të ngecjeve në vetë zhvillimin e shtetit të Kosovës”, vijoi më tutje Gjini.

“Paralelisht me tangimin e institucionit të pushtetit gjyqësor, për premisat për të pasur rend dhe ligj në shoqëri në sundim të ligjit, këtu dëmtohet edhe ekonomia e vendit, përkatësisht investitorët potencialë të jashtëm, sepse ata fare lehtë e kanë për të kuptuar, apo ndoshta veç ata tashmë e kanë kuptuar se investitori, nuk ka siguri juridike, përkatësisht mekanizma juridikë, të cilët i mbron nga korrupsioni apo përqindja, e cila mund t’u kërkohet bizneseve të huaja”, shpjegoi Gjini për “Kosova Sot”. Sipas tij, si rrjedhojë janë po këto arsye, që ata largohen dhe nuk investojnë në Kosovë dhe tërë kapitalin e sistemojnë në shtete ku ka stabilitet juridik, demokratik dhe shoqëror.

(Kosova Sot)