Oligarkët Devolli dyshohet se gllabëruan edhe “Llamkos”-in

  • 17 April 2019 - 08:01
Oligarkët Devolli dyshohet se gllabëruan edhe “Llamkos”-in

Haziri: Nëse “Llamkos”-i ka rënë në duart e oligarkëve "Devolli", do ta ketë fatin e Fabrikës së Amortizatorëve, e privatizuar në mënyrë të dyshimtë nga këta oligarkë, së cilës iu ndryshua destinimi përmes proceseve të inkriminuara të privatizimit

“Është vështirë të gjendet përgjigjja se si e bleu LLAMKOS-in një kompani tregtare, EMONA, e cila, edhe pse në ARBK evidentohet si kompani me pronar nga Vushtrria, dyshohet se realisht prapa kësaj kompanie qëndron Blerim Devolli. Pra, na lë të kuptojmë se është realisht stili i njëjtë i Devollëve, që për një kohë kompanitë që po i blejnë me paratë e zhvatura nga populli po i lënë për një kohë në emër të ish-pronarëve, për t’i kaluar pastaj në emër të kompanive të tyre në parajsat fiskale, në Maltë, Panama, e shumë vende të tjera, siç kishte vepruar Shkëlqim Devolli me kompaninë ART MOTION dhe me shumë prona të tjera që i ka ‘zhvatur’ në privatizimin e inkriminuar në Kosovë”, thotë analisti Ragip Guraziu për “Kosova Sot”

Analistët politikë, përfaqësuesit e sindikatave dhe qytetarët, kanë reaguar dhe kanë shprehur shqetësimin e tyre se si e bleu fabrikën e LLAMKOS-it në Vushtrri një kompani tregtare, EMONA SHPK, e cila edhe pse në ARBK evidentohet si kompani me pronar nga Vushtrria, dyshohet se prapa saj realisht mund të qëndrojë Blerim Devolli. Gazeta ka provuar që për këto çështje të ngritura në opinion të marrë edhe mendimet dhe komentet e pronarëve që e kanë blerë LLAMKOS-in, kompaninë EMONA, por edhe Blerim Devollin, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Pyetjet i janë dërguar edhe Prokurorisë Speciale, nëse do të hetohet ky privatizim i dyshimtë, por as nga Prokuroria nuk janë deklaruar. Sidoqoftë, nga analistët, por edhe nga qytetarët, ngrihet shqetësimi dhe dyshimi serioz, sipas të cilit edhe në këtë rast është një stil i njëjtë i Devollëve, që për një kohë kompanitë që po i blejnë me paratë e zhvatura nga populli po i lënë për një kohë në emër të ish-pronarëve, për t’i kaluar pastaj në emër të kompanive të tyre në parajsat fiskale në Maltë, Panama, e shumë vende të tjera, siç kishte vepruar Shkëlqim Devolli me kompaninë ART MOTION e me shumë prona të tjera.

Po ashtu shqetësimi ngrihet nga analistët, pasi që ekziston një frikë që edhe kjo fabrikë do ta ketë fatin e shumë ndërmarrjeve, si fabrika të tjera, e në veçanti të Amortizatorëve, e privatizuar në mënyrë të dyshimtë nga Blerim dhe Shkëlqim Devolli dhe së cilës iu ndryshua destinimi përmes proceseve të inkriminuara të privatizimit.

Ndonëse dyshimet e ngritura në opinion nuk pohohen dhe as nuk vërtetohen, mohohen nga të apostrofuarit, analistët, por edhe qytetarët mendojnë se në këtë lojë mund të jetë Blerim Devolli. Tek privatizimi i LLAMKOS-it ekziston frika e analistëve dhe qytetarëve, e ndërrimit të destinimit të këtij gjiganti në mënyrë që, siç thonë ata, Blerim Devolli t’i bëjë rrush e kumbulla pronat e ‘Llamkos’-it, ku janë 18 hektarë tokë, ndërtesa, linjën e prodhimit, si dhe makineri e pajisje, të mbarojnë diku të shitura në treg, siç kishte vepruar me vëllain e tij me ish-Fabrikën e Amortizatorëve në Prishtinë.

Image
Reshat Badallaj-Zhuriani

Badallaj:Devolli është mbi ligjin, mbi shtetin!

Sipas analistit politik, Reshat Badallaj, nuk është vetëm ‘Llamkos’-i që është në thonjtë e kësaj bande hajnash, serbiane Devolli, por këta janë të shtrirë edhe më gjerë.“Të gjitha dikasteret e mëdha, të cilat janë në emër të huaj, prapa këtyre pa më të voglin dyshim janë ky grup mafio-oligarkësh Devolli. Por, një gjë nuk duhet harruar se, përpos këtij grupi hajdutësh më të rrezikshëm në Ballkan qëndrojnë edhe mbështetësit dhe kryebanditët e majave të shtetit dhe qeveria kuislinge që ndajnë pazarin bashkë.

Kjo bandë hajnash, banditësh e matrapazësh, që e vjedhin shtetin qëllimisht lehin si qentë e zgjebosur, kinse falimentoi dikasteri dhe po e blejmë ne. Kështu vepron ky rrjet kriminal mafio-oligarkësh, për të trashur xhepat e tyre, për të siguruar nëpër bankat e huaja dhe sigurojnë pasuri qindra milionësh, duke vjedhur djersën e taksapaguesve dhe duke vjedhur me qindra miliona edhe buxhetin e shtetit.

Merreni me mend se as ligji as shteti nuk mund të ndalë këtë bandë hajdutësh që e shkatërroi deri në palcë ekonominë e vendit, janë të pangopur dhe të pashpirt. Pra, dua të them se kjo bandë Devolli është mbi ligjin, mbi shtetin, që janë më të fuqishëm se organet e larta”, tha Badallaj për “Kosova Sot”.

Image
Ragip Guraziu

Ndërmarrjen e pret shkatërrimi

Analisti Ragip Guraziu është shumë i bindur se Devollët me para të tatim paguesve, të zhvatura, pasi janë lidhur me pushtetin, po i blejnë edhe kompanitë e ndryshme, për të dominuar vetë.“Prandaj, shtrohet pyetja; a do t’i bëjë rrush e kumbulla Blerim Devolli edhe pronat e ‘Llamkos’-it, ku janë 18 hektarë tokë, ndërtesa, linjën e prodhimit, si dhe makineri e pajisje, do t’i shkatërrojë, siç kishte vepruar me vëllain e tij kur shkatërroi ish-Fabrikën e Amortizatorëve në Prishtinë.

Është vështirë të gjendet përgjigje se si e bleu LLAMKOS-in një kompani tregtare, EMONA, e cila, edhe pse në ARBK evidentohet si kompani me pronar nga Vushtrria, dyshohet se realisht prapa kësaj kompanie qëndron Blerim Devolli. Pra, që na lë të kuptojmë se është realisht stili i njëjtë i Devollëve që për një kohë kompanitë që po i blejnë me paratë e zhvatura nga populli po i lënë për një kohë në emër të ish-pronarëve, për t’i kaluar pastaj në emër të kompanive të tyre në parajsat fiskale në Maltë, Panama, e shumë vende të tjera, siç kishte vepruar Shkëlqim Devolli me kompaninë ART MOTION e me shumë prona të tjera që i ka ‘zhvatur’ në privatizimin e inkriminuar në Kosovë”, tha Guraziu për “Kosova Sot”. Dhe, derisa beson që janë Devollët prapa kësaj blerje, Guraziu thotë se skenari i shkatërrimin ngjashëm me Amortizatorët është tanimë i gatshëm dhe nuk ka kush e ndalon, nëse nuk vepron drejtësia.

“Me siguri që do ta ketë edhe kjo fabrikë fatin e shumë ndërmarrjeve si Fabrika e Amortizatorëve, e privatizuar në mënyrë të dyshimtë nga Blerim dhe Shkëlqim Devolli dhe së cilës iu ndryshua destinimi përmes proceseve të inkriminuara të privatizimit. Ndryshe nuk ka se si të bëhet që i bleu EMONA të gjitha hipermarketet e INTEREX-it dhe tani shtrohet me të drejtë pyetja se a qëndron prapa tyre kryeoligarku i Kosovës, Blerim Devolli. Po ashtu le të shtrohet pyetja se a do t’i bëjë rrush e kumbulla Blerim Devolli edhe pronat e Llamkos-it, ku janë 18 hektarë tokë, ndërtesa, linjën e prodhimit, si dhe makineri e pajisje, siç kishte vepruar me vëllain e tij kur shkatërroi ish-Fabrikën e Amortizatorëve në Prishtinë”, theksoi Guraziu.

Image
Nexhat Haziri

Privatizimi, me pasoja shkatërruese

Analisti Nexhat Haziri i ka thënë gazetës se procesi i privatizimit të ndërmarrjeve publike në Kosovë, përveçqë e ka shkatërruar ekonominë kosovare, është bërë në formë mafioze, ku kompani të caktuara, të afërta me PDK-në, kanë qenë ato që kanë përfituar më së shumti nga ky proces, duke bërë që ekonomia kosovare të pësojë goditjen fatale, edhe më të rëndë se nën okupimin e Serbisë.

“Edhe në rastin që po i referoheni ju është përdorur metoda e njëjtë e shitjeve dhe stërshitjeve të ndërmarrjeve publike për interes të klaneve të caktuara të biznesit të lidhur me politikën, ku spikat kompania "Devolli", e cila ka lidhje të ngushta me familjen e presidentit Thaçi, në shumë biznese dhe funksionimi apo veprimtaria e kësaj kompanie i përngjanë oligarkëve rus që mbështetën fuqishëm nga Kremlini. Ndërsa në rastin e LlAMKOS-it në Vushtrri, dikur një gjigant i ekonomisë kosovare, natyrisht se nëse ka rënë në duart e oligarkëve "Devolli", do ta ketë fatin si Fabrika e Amortizatorëve, e privatizuar në mënyrë të dyshimtë nga këta oligarkë, të cilës iu ndryshua destinimi përmes proceseve të inkriminuara të privatizimit”, u shpreh ai.

“Nuk është asgjë e re kur në proceset e privatizimit të ndërmarrjeve publike, pas kompanisë gjoja ''fituese'' fshihet dikush tjetër, si në rastin e LLAMKOS-it, ashtu siç nuk është ndonjë sensacion për opinionin të thuhet se një pjesë ë madhe e ekonomisë kosovare është nën monopolin e oligarkëve "Devolli" dhe familjes së presidentit Thaçi, në veçanti vëllezërve të tij”, tha Haziri për ‘Kosova Sot’.

Image
Ramush Berisha

Berisha: “Llamkos”-i, rrugës së Fabrikës së Amortizatorëve

Kreu i Sindikatës së Fabrikës së Amortizatorëve të Prishtinës, Ramush Berisha tha për ‘Kosova Sot’ se nuk ka shumë informacione rreth privatizimit të LLAMKOS-it dhe kush janë pronarët që e kanë blerë, por, sipas tij, edhe ky proces si është shitur kjo fabrikë është i papranueshëm dhe nuk do të ketë përfundim tjetër veç modelit të Amortizatorëve.

“Sigurisht që ata mund të veprojnë po njëjtë sikurse me Fabrikën e Amortizatorëve, e cila me të vërtetë u privatizua në mënyrën më skandaloze. Ne nuk e kemi dashur atë privatizim, e kemi gjykuar dhe e gjykojmë. Ne po presim edhe çka po ndodhë me ata 7-8 hektarë tokë të Fabrikës së Amortizatorëve. Që aty ka bërë një planifikim për t’ia dhënë dikujt, por kur do të ndodhë ajo nuk po e dimë as ne”, tha Ramush Berisha.

Image
Ragip Hasani

Hasani: Sindikata vendos të premten

Kryesindiklisti i punëtorëve të LLAMKOS-it, Ragip Hasani, i kontaktuar nga gazeta, tha se rreth privatizimit të LLAMKOS-it janë informuar që fabrika është blerë së fundi nga EMONA SHPK në Vushtrri, me një vlerë prej 6 milionë euro, i cili e ka fituar garën në mesin e tre ofertuesve, ngase i katërti që ka qenë në konkurrencë ishte tërhequr nga interesimi, nga ankandi publik. Sindikalisti Hasani tha se nuk e përjashton mundësinë që këtu të jenë prapa blerjes Devollët dhe objekti të përjetojë fatin e Amortizatorëve, sepse sipas tij edhe zëri i punëtorëve përmes sindikatës ka qenë kundër këtij privatizimi, kundër kësaj shitje, por ata nuk janë pyetur nga askush.

“Ne sindikata kemi qenë çdoherë jo kundër shitjes, por për të mos ia ndërruar destinimin që ka pasur deri më tani, pra që fabrika të vazhdojë me prodhimin e llamarinës, kurse gjykata blerësit ia ka lejuar që të ndërrohet destinomi. E tani a do të vazhdojë ky për të prodhuar apo të mos prodhojë pronari i ri, ne nuk e dimë, sepse me mua nuk ka folur, vetëm sa e kam parë kështu si figurë, kurse me mua nuk ka folur asnjëherë, sepse me sindikatën asnjëherë nuk kanë bashkëpunuar, por mua nuk ma merr mendja që ky do të vazhdojë të ruajë sistemin e prodhimit.

Ky objekt është privatizuar në vitin 2005, ka shkuar shumë mirë deri në vitin 2007, por ia kanë shtrirë zullumin dhe nga viti 2009 kemi pauzuar tri vjet, deri në vitin 2011, pastaj punuam dy vite, kurse tash e 5 vjet na kanë larguar dhe po më duket që kështu e kanë përgatitur edhe këtë për të vepruar sikurse me Amortizatorët”, tha Hasani. Sipas tij, për hapat e mëtejmë të veprimit do të mbahet një tubim i punëtorëve për të vendosur ditën e premte.

Qytetarët në alarm

Image
Mirsad Krasniqi

Sipas qytetarit Mirsad Krasniqi, edhe me rastin e privatizimit të LLAMKOS-it po shihet se sa thellë janë kapur shteti dhe pushteti nga mafio-politika dhe oligarkët, e ku bëjnë pjesë edhe Devollët.“Nuk ka dyshim sepse po shihet vërtet që ky pushteti ynë është i kapur në tërësi, do të thotë bëjnë çfarë t’u dojë qejfi, sepse e dinë që nuk japin llogari. Unë dëgjova që është shitur LLAMKOS-i dhe nëse veç prapa tyre qëndrojnë Devollit ata me siguri do t’ia bëjnë sikurse edhe me Amortizatorët.

Bëjnë ata çfarë të duan dhe ia ndërrojnë krejtësisht destinimin dhe jo sikur parashihet me atë spinofin special që do të duhej për ta vazhduar të njëjtën veprimtari, madje edhe për ta ngritur numrin e punëtoreve. Tek rasti i Amortizatorëve ata jo vetëm që nuk e vazhduan të njëjtën veprimtari, por e shuan atë dhe e bën një televizion dhe çfarëdo qoftë tjetër”, theksoi ai. Krasniqi dyshon se pikërisht edhe mbrapa ‘Emonës’ qëndrojnë Devollët dhe në një zinxhir me kastën politike, edhe mbrapa shumicës së marketeve të mëdha tregtare, pra ku janë tregtarët tanë, por me emra të huaj.

Qytetari

Image
Ismail Hamiti

i tha për “Kosova Sot” se kushdo që mund ta ketë blerë LLAMKOS-in më rendësi është që të mos përsëritet skenari dhe përvoja e Fabrikës së Amortizatorëve, por të mbetet destinimi i njëjtë që pa pasur kjo fabrikë, të avancohet prodhimi e të ruhen vendet e punës dhe jo që të shndërrohet në qendër tregtare për të shitur artikuj të konsumit të përditshme, dhe punëtorët të mbeten të pa shpresë dhe pa vendet e tyre të punës.

“Unë mendoj se këto privatizimet që po bëhen nuk duhet të shkatërrojnë tërë bazën e destinimit që kanë pasur deri më tani si objekte kapitale të prodhimit dhe të punësimit të fuqisë punëtore, qoftë asaj që vjen si fuqi e re, qoftë asaj ekzistuese. Duhet të ruhet së paku diçka, një minimum që ruan prodhimin dhe vazhdimin e punësimit të fuqisë së re punëtore. Tani në këtë rastin e LLAMKOS-it bëhet fjalë për rreth 500 punëtorë që mbajnë shpresën e mbijetesës së tyre nga ai objekt. Mendoj që ky objekt nuk duhet të lejohet të shndërrohet në objekt vetëm për shitje të mallit, për tregti ku përfiton një grup i caktuar i njerëzve, sepse jemi të gjithë dëshmitarë që dita-ditës po kemi më pak vende të reja të punës, kurse të rinjtë po na ikin jashtë vendit.

Në asnjë mënyrë nuk do të duhej lejuar që edhe LLAMKOS-i ta përjetojë fatin e njëjtë të shkatërrimit sikurse ndodhi me Amortizatorët”, tha Hamiti për “Kosova Sot”.

Image
Hetem Maqedonci

Edhe qytetari tjetër, Hetem Maqedonci, e ngre zërin e tij të kundërshtimit kundër mundësisë së shkatërrimit të këtij objekti që ka qenë emblemën e qytetit të Vushtrrisë, por edhe ekonomisë së Kosovës, sado që dyshon se duke qenë Devollët mbara këtij privatizimi, është i pashmangshëm fati i shkatërrimit sikurse ka ndodhur me Amortizatorët.”Edhe ky objekt mund të rrezikohet nga i njëjti skenar i shkatërrimit, na e kënda apo nuk na e ka ëndja, nuk na pyet askush, sepse mendoj që prapë e njëjta këngë po këndohet. Sidoqoftë interesi i ekonomisë se vendit dhe punëtorëve o të ishte të mos ndodhë kjo, por të ruhet destinimi i vazhdimit të prodhimit dhe të mos ju cenohet e drejta e punës punëtorëve të saj. Nga prodhimi përfitojnë të gjithë... Me të vërtetë ekziston rreziku që edhe ky objekt t’i nënshtrohet mbretërisë së Devollëve, por se sa do t’u shkojë kungulli mbi ujë le të presim e të shohim, sepse unë nuk besoj që populli do të rrijë e të durojë përgjithmonë kështu, e kur flet populli, fjala e popullit do të jetë fjala e Zotit”, tha Hetem Maqedonci për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)