"Kosova Sot", denoncuese e skandaleve të njëpasnjëshme të pushtetarëve

  • 17 April 2019 - 08:18

Një tribunë e hapur e mendimit të lirë dhe kritikës së shëndoshë 

Qytetarë e përfaqësues të jetës sportive janë shprehur se gazeta "Kosova Sot" ishte dritare informimi në luftë, por e vazhdon traditën edhe në paqe, pavarësisht se kjo mënyrë informimi për devijimet në shoqëri edhe mund të mos u pëlqejë sot njerëzve të shumtë në politikë, që duan t'i kenë mediet nën kontroll, sipas dëshirave dhe tekeve të tyre.

Sipas tyre, në kohën e lirisë dhe të paqes, kur lakmia për pushtet mund të përcillet edhe me skandale dhe devijime serioze në punën e institucioneve të shtetit, nuk është rastësi as befasi që gazeta "Kosova Sot" po vazhdon të kritikojë këto dukuri negative, sepse ka si mision interesin e qytetarëve dhe të vendit

Adem Hoti, qytetar

Pa dyshim se kontributi i redaksisë së gazetës "Kosova Sot" zë një vend meritor në historinë e medieve të Kosovës, jo vetëm në dekadat e fundit, por sidomos në periudhën në prag të luftës. Aso kohe "Kosova Sot" ka luajtur rolin e vet informues, rol i pazëvendësueshëm në kohën e errësirës mediale dhe në kohën gjenocidiale të ushtruar nga aparati shtetëror policor-ushtarak dhe paramilitar serb.

Dihet se ishin ato vite të okupimit, vite të një dhune masive. Ishin ato kohë kur luftohej për jetë a vdekje, sepse aparati shtetëror serb kishte goditur çdo cep të vendit tonë. Ishin goditur të gjitha fushat e jetës. Pra, gjithçka që frymonte shqip ishte në shënjestër të aparatit policor-ushtarak dhe të gjenocidit. Gazeta "Kosova Sot" me raportimet e veta luante rolin e denoncuesit, ndër më të rëndësishmit, prandaj edhe nuk u kursye nga asnjë formë e ndjekjes dhe ndëshkimit dhe si kundërveprim ndodhi edhe ai sulmi makabër, që është goditur dhe djegur shtypshkronja e gazetës "Kosova Sot", sepse qëllimi ishte të shkatërrohej çdo gjë për të pamundësuar informimin e drejtë të opinionit publik, vendor e ndërkombëtar, për gjenocidin që po ushtrohej pa asnjë kufizim kundër shqiptarëve, me qëllim të spastrimit të plotë etnik të Kosovës dhe okupimit.

Prandaj, edhe sot kam një respekt të veçantë kur e marr dhe e lexoj gazetën "Kosova Sot", sepse po shihet ashiqare që po e vazhdon traditën e të qenit dritare informimi për qytetarin, pavarësisht se kjo mënyrë informimi për devijimet në shoqëri edhe mund të mos u pëlqejë sot njerëzve të shumtë në politikë që duan t'i kenë mediet nën kontroll, sipas dëshirave dhe tekeve të tyre

"Kosova Sot" si medium ndau fatin me popullin

Behxhet Kosumi, qytetar

Po, më kujtohet ajo ngjarja shumë e hidhur që i ndodhi gazetës "Kosova Sot" më 24 mars 1999, kur forcat okupuese serbe e sulmuan për të pamundësuar informimin e drejtë të ngjarjeve të tmerrshme të luftës. "Kosova Sot" si medium ndau fatin e njëjtë me shumicën e popullit, sepse në fakt kjo gazetë ishte vetë zëri dhe dhimbja e popullit që po vuante tmerret e luftës.

Pra, e vetmja arsye që ka ndodhur ky krim i sulmit kundër shtypshkronjës "Kosova Sot" ka qenë se "Kosova Sot" ishte vazhdimisht pengesë e pakalueshme dhe halë në sytë e okupatorit për shkak të mënyrës së informimit. Sidoqoftë, arritja e qëllimisht ishte një kalim afatshkurtër, sepse 'Kosova Sot' rilindi shumë shpejt dhe tani vazhdon të jetë gazetë lidere në informimin e drejtë të lexuesve edhe përgjatë këtyre viteve të vështira në përpjekje për krijimin dhe forcimin e identitetit të ri shtetëror të Kosovës, proces që nuk është i lehtë, por ka sfidat e veta, luftën me devijimet që po ndodhin gjatë këtij rrugëtimi të vështirë.

Gëzim Karagjiu, qytetar

Gazeta "Kosova Sot" iu bashkua tregut të medieve të reja shqipe në kohën më të vështirë të ballafaqimit me regjimin kriminal okupues serb, por megjithatë në këtë kohë të vështirë ia doli me sukses në informimin e drejtë të qytetarëve, gjë që i kushtoi me ndjekje dhe persekutimin që diti ta bëjë vetëm armiku. Pra, roli dhe ndikimi i gazetës "Kosova Sot" ishte i pazëvendësueshëm në atë kohë, ndonëse secili medium kishte rolin dhe hapësirën e vet të veprimit, por jo edhe të guximit që kishte "Kosova Sot".

Është për t'u çmuar dhe admiruar edhe sot roli i kësaj gazete, sikurse që ishte në të kaluarën në përhapjen e së vërtetës së luftës çlirimtare nga vijat e frontit, edhe roli i tanishëm në kujdestarinë e institucioneve, për të hetuar, shënuar dhe denoncuar skandalet e njëpasnjëshme të pushtetarëve, denoncimin e sistemit akoma jo të forcuar të drejtësisë nga i cili po pësojnë shumë qytetarët. Sipas mendimit dhe vlerësimit tim, gazeta "Kosova Sot" po vazhdon sikurse atëherë, edhe në ditët e sotme, për të qenë hiç më pak se një tribunë e hapur e mendimit të lirë dhe kritikës së shëndoshë e parimore për të gjitha zhvillimet shoqërore.

Arsim Bullatovci, qytetar

Nuk ka dyshim aspak që gazeta "Kosova Sot" ka qenë zëdhënëse e realitetit, në ditët e vështira të luftës. Regjimi serb ka përndjekur dhe sulmuar çdo gjë që ka frymuar shqip, prandaj pengesa më e madhe për ta realizuar këtë qëllim kriminal ishte fusha e medies, informimi. Këtë çmim e ka paguar shtrenjtë gazeta "Kosova Sot", por është diçka që i mbetet historisë dhe çmohet nga ata që e kujtojnë daljen e kësaj gazete dhe kontributin në ditët e vështira të okupimit. Fatmirësisht qëllimi i armikut nuk u realizua për çrrënjosjen e shqiptarëve nga kjo hapësirë e shtetit të Kosovës.

Bash me lirinë u rikthye edhe liria e plotë e shtypit dhe "Kosova Sot" zë një vend të çmuar dhe shumë meritor. Si lexues i rregullt i gazetës "Kosova Sot" edhe e përgëzoj gazetën për gjithë sakrificën dhe angazhimin në funksion të interesit kombëtar që e ka dëshmuar që në kohën e luftës, por edhe për kontributin kreativ dhe kritik që ka tani për informim sa më të drejtë, në luftimin e dukurive negative. Në kohën e lirisë dhe paqes, kur lakmia për pushtet mund të përcillet edhe me skandale dhe devijime serioze në punën e institucioneve të shtetit, nuk është rastësi as befasi që gazeta "Kosova Sot" po vazhdon të jetë gazetë shumë e besueshme për informim të drejtë, profesional e të pavarur.

Sportistët: Gazeta "Kosova Sot" nuk është ndaluar asnjëherë

Taib Kabashi, trajner hendbolli

Sigurisht se kontributi i gazetës është shumë i madh, sidomos në kohën e luftës. Nuk është çudi që është bombarduar shtypshkronja e gazetës "Kosova Sot". Me anë të bombardimit është munduar që të ndalë informimin për qytetarët e Kosovës, megjithatë nuk ia ka arritur qëllimit, sepse gazeta nuk është ndalur së funksionuari edhe pas luftës. Për më shumë se dy dekada ka informuar qytetarët se çfarë po ndodh në vend, madje, në kohën e luftës, duke raportuar edhe nga vatrat e luftës. Ajo periudhë ka qenë shumë e vështirë, sidomos të raportosh nga zonat e luftës. Kjo sigurisht se i ka penguar pushtuesit serbë.

Drilon Hajrizi, basketbollist

Gazeta "Kosova Sot" ka raportuar në mënyrë të drejtë në gjithë sektorët. Kështu ka ndodhur edhe në sport. Është e vështirë të funksionosh, duke marrë problemet e shumta, megjithatë gazeta "Kosova Sot" nuk është ndaluar asnjëherë, madje as në kohërat më të vështira. Kështu ishte edhe gjatë luftës. Ka raportuar në mënyrë të drejtë dhe saktë. Për këtë arsye është bombarduar shtypshkronja, duke u munduar që të ndalë veprimtarinë e saj, por nuk ia ka arritur, sepse edhe sot e kësaj dite funksionon. Shpresoj se asnjëherë nuk do të ndalë veprimtarinë.

Qëndrim Biraj, basketbollist

Kanë kaluar 20 vjet nga ajo që ka ndodhur, por nuk harrohet asnjëherë çfarë ka ndodhur në luftë. Të gjithë kanë dhënë kontributin e tyre. Edhe gazeta "Kosova Sot" ka dhënë kontribut, sidomos gjatë luftës, kur ka qenë shumë e nevojshme. Atëherë ka qenë jetike të informohesh në mënyrë të drejtë, kur propaganda serbe ka qenë shumë e përhapur, duke dezinformuar popullin se çfarë po ndodh po ndodh në të vërtetë. Por, ishte gazeta "Kosova Sot" që ka raportuar në mënyrë të drejtë dhe të saktë. (vijon)

(Kosova Sot)