Rajko Kozlin dënohet me 15 vjet burgim për vrasjen e civilëve në Suharekë

  • 17 prill 2019 - 09:42
Rajko Kozlin dënohet me 15 vjet burgim për vrasjen e civilëve në Suharekë

Departamenti i veçantë për krime të luftës i Gjykatës së Lartë të Beogradit e dënoi me 15 vjet burg, Rajko Kozlin, ish-pjesëtar i Ushtrisë Jugosllave, për vrasjen e 15 dhe plagosjen e dy civilëve shqiptarë në Tërnje, afër Suharekës, në mars të vitit 1999.

Sipas vendimit të Gjykatës, ai së bashku me një grup ushtarësh urdhëroi, orkestroi dhe mori pjesë në vrasjen dhe plagosjen e civilëve shqiptarë.

Ish-pjesëtari tjetër i ushtrisë jugosllave, Pavle Gavriloviq, u lirua nga përgjegjësia.

Asnjë nga anëtarët e familjes së viktimave, të cilët kanë marrë pjesë në shpalljen e vendimit para gjykatës në Beograd, nuk kanë dashur të bëjnë deklarata.

Sipas prokurorisë, Gavriloviq dhe Kozlin si pjesëtarë të Ushtrisë Jugosllave më 25 mars të vitit 1999, kanë marrë pjesë në sulmin në fshatin Tërnje në Kosovë ku janë vrarë 31 civilë shqiptarë mes të cilëve 12 gra dhe katër fëmijë.

Gavriloviq i cili në atë kohë ka qenë komandant i batalionit 549 të ushtrisë, sipas prokurorisë, e ka urdhëruar sulmin pasi ka mbledhur rreth vetes vartësit e tij ndër të cilët edhe Kozlinin dhe i ka urdhëruar ata që t’i vrisnin civilët duke iu thënë “nuk duhet të ketë të mbijetuar”. Sipas aktakuzës, Kozlin dhe komandantët tjerë më pas e filluan sulmin.

Në fillim të gjyqit, Gavriloviq dhe Kozlin mohuan fajin.

Organizata joqeveritare “Fondi për të Drejtën Humanitare” në maj të vitit 2008 ngriti kallëzim penal ndaj 11 pjesëtarëve të brigadës 549 nën dyshimin se kanë kryer krim në Tërnje. Të njëjtin vit kallëzim penal ndaj tyre paraqitën edhe familjarët e viktimave.

(Kosova Sot)