Analiza e EUROPOL-it: Mafia shqiptare, kërcënim kryesor për sigurinë evropiane

  • 17 April 2019 - 10:03
Analiza e EUROPOL-it: Mafia shqiptare, kërcënim kryesor për sigurinë evropiane

Grupet më të dhunshme të krimit të organizuar përbëjnë kërcënimin më të madh për sigurinë evropiane, duke tejkaluar terrorizmin dhe migrimin, tha të martën EUROPOL.

Grupet mafioze italiane, shqiptarët e evropianët lindorë si dhe bandat motorike “të jashtëligjshme” janë “lojtarët” kryesorë të krimit në kontinent, thanë zyrtarët në një konferencë të udhëhequr nga agjencia anti-mafia e Italisë dhe agjencia e policisë e BE-së, EUROPOL.

Por grupet aziatike, afrikane dhe amerikano-jugore ishin gjithashtu duke u futur në biznesin e krimit të organizuar prej 110 miliardë euro në vit, ku shumë njerëz punojnë duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin. “Aktualisht krimi i organizuar përbën rrezikun më të lartë për sigurinë e brendshme të BE-së”, tha Jari Liukku, kreu i Qendrës Evropiane të Krimit të Organizuar dhe të Krimit të EUROPOL-it, në një konferencë shtypi.

Zyrtarët thanë se krimi i organizuar ishte “në hije” vitet e fundit kur Evropa u përball me një valë sulmesh terroriste dhe një krizë të madhe migracioni. “Për të parandaluar krimin e organizuar ne duhet të veprojmë ndërkombëtarisht, sepse grupet e krimit të organizuar tashmë po e bëjnë këtë (bashkëpunimin ndër-kontinental)” shtoi Liukku, shkruan “France 24”.

Giuseppe Governale, kreu i Drejtorisë së Hetimeve Anti-Mafia të Italisë, tha se Cosa Nostra siciliane, “Ndrangheta” e Kalabrisë dhe Kamorra Napolitane janë ende “kampionë” të mafies, por shtoi se problemi është bërë më i përhapur. “Ky është një problem evropian”, tha ai.

Autoritetet evropiane po shikojnë që të godasin pastrimin e parave. “Pesha e pastrimit të parave ka një ndikim të madh në shoqëri, të gjithë sektorët janë destabilizuar dhe mund të rrezikojnë ekonominë dhe sigurinë kombëtare”, shtoi ai. Një shenjë dalluese e grupeve të reja të krimit të organizuar ishte një nivel në rritje i dhunës, thanë zyrtarët në konferencë.

Suedia në veçanti kishte parë një rritje të pashembullt të dhunës, e ngjashme me një “forcë të ulët lufte”, tha zyrtari i lartë i policisë suedeze Jale Poljarevius. Të shtënat fatale ishin rritur nga 15 në vit në 2011 në mbi 40 në vitin 2018, ndërsa në tre muajt e parë të vitit 2019 ka pasur 12 vdekje me armë në 67 shkëmbime – si dhe një të vdekur në 47 shpërthime me granata.

“Suedia kurrë nuk ka parë këto lloj numrash”, tha Poljarevius. Në dhjetor autoritetet e BE njoftuan arrestimin e rreth 90 të dyshuarve mafioz të grupit Ndrangheta në gjashtë vende në Evropë dhe në Amerikën e Jugut.

(Kosova Sot)