“Aleksandri në burg ishte peng i Adit”, flet vëllai i Murtajt: Çfarë i thashë policisë, me të do qaj hallet, por…

  • 17 April 2019 - 10:27
“Aleksandri në burg ishte peng i Adit”, flet vëllai i Murtajt: Çfarë i thashë policisë, me të do qaj hallet, por…

Vëllai i Admir Muratajt, ashtu si ditën kur e identifikoi në morg, 24 orë pasi mbeti i vrarë, edhe dje ka përsëritur se ai është përdorur, por pa thënë se nga kush.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët në vilën e familjes së vëllait në Fushë-Prezë, e sekuestruar tashmë nga Prokuroria, Can Murataj tregon jetën në arrati të të vëllait, veprimtarinë e tij para dhe pasi u akuzua për grabitje. Ndërsa thekson se vëllai tjetër i tij, Aleksandër Murataj, që sot ndodhet në burg, i dënuar për 3 episode grabitjesh, është arrestuar pa asnjë provë.

Madje, sipas tij, Aleksandri është mbajtur në burg si peng për kapjen e Admirit. Në këto rrethana, ai pret që tashmë të bëhet drejtësi, duke qenë se Admir Murataj nuk jeton më dhe vëllai tjetër i tij po mbahet në burg pa arsye. Nga ana tjetër, sa i përket identifikimit të Admir Muratajt në Institutin e Mjekësisë Ligjore, Can Murataj thotë se u ka thënë policëve që e identifikonte vetë të vëllain, nuk kishte nevojë për ADN.

“Ka qenë një emision që e kam marrë vesh se Admir Murataj është vrarë. Në orën 6 të mëngjesit kam shkuar në Polici. U thashë që nëse doni ta identifikoni, e njoh unë, s’ka nevojë për ADN. Nuk kemi punë me gjurmët e bashkëpunëtorëve, i gjen Policia”, shprehet ai.

Pas sekuestrimit të pronave tuaja si familjarë të Admir Muratajt, a mendoni se organet ligjzbatuese po ju persekutojnë si familje?

Nuk di çfarë të them për këto. Unë flas gjithmonë për hetime, që i kam ndjekur, i kam parë. Kam qenë person në hetim vetë. Kam qenë në dijeni të dosjes. Kam parë të gjitha seancat gjyqësore për grupin e grabitjes së parë. Nuk kam parë asnjëherë një detaj që ta gjeja veten nën akuzë. Dita e parë e kontrollit tim ka qenë dita e 14 shkurtit 2017. Në biznes, në shtëpi, në familje, arrestime, bujë, televizione. Nuk e imagjinoja as vetë se si mund ta kujtoj të atëhershmen dhe të tashmen. Dua të them se e tashmja është shumë më e vështirë. E atëhershmja ka qenë vetëm me fjalë, e tashmja është pak më afër realitetit. Po shohim vëllain. Të gjithë njerëzit flasin për të, thonë u vra, e vranë, e hodhën. Jemi munduar të ruajmë qetësinë. Kurse te Policia, kam kërkuar sqarime që nga data 14 shkurt 2017. Ka qenë përplasje përballë me Policinë. Kanë përdorur metodat e veta, përgjim, ndjekje, hyrje dalje, makina, ndërrim makinash, që në fakt janë metoda normale. Por kam qenë transparent me Policinë që ditën e parë. Te servisi u kam thënë që nëse shohin një detaj që ka pjesë në grabitje puna ime, nuk dua asnjë lloj tolerimi. Po pati ligj me varje, ma dhuro të parit njeri në Shqipëri, dua ta meritoj unë. Kanë hapur kasafortat, kanë marrë një shumë, 100 dollarë. Kemi shkuar vetë në Polici për të dhënë sqarime. Pas një kohe prej një muaji u arrestua edhe vëllai tjetër, Aleksandër Murataj, i dyshuar për grabitje. Është pikërisht kjo vila këtu, që është shkaku i arrestimit të tij. Është parë në derën e kësaj shtëpie, me duar në xhepa, duke pirë cigare me vëllain tim, të ndjerin Admir Murataj. Dhe pas kësaj, Policia ka ndërtuar akuzën, grabitje me dhunë, armëmbajtje pa leje. Po bën 2 vite e 3 muaj në paraburgim pa asnjë sqarim. Dy prokurorëve të çështjes u kam kërkuar personalisht sqarim dhe ka ngelur hetimi aty ku askush në Shqipëri nuk e beson. Vëllai im është peng. E mbajtën peng deri sot për Adin. Adi vdiq, tani të shohim nëse drejtësia mund të bëjë ndonjë gjë. Por ai është marrë peng për Adin dhe po mbahet 2 vite e gjysmë peng për Adin, tani të shohim, shpresojmë të ketë drejtësi. Ka qenë te vila këtu, është parë 3 minuta në një kamera ditën e grabitjes, i kanë ndërtuar akuzën. Ka prova të pamohueshme që Aleksandër Murataj, ditën e grabitjes, ka qenë nën operacion.

Sot jemi pas një historie që nis për herë të parë nga 2015, që Policia dhe Prokuroria ia faturon Admir Muratajt. Kush ishte Admir Murataj për opinionin publik?

Ai është vëllai më i mirë që mund të jetë, historia do mbetet. Ai ka qenë për familjen, për miqtë, më i miri. Unë kurrë nuk mund të bëhem më i mirë se ai. Admiri ka studiuar për pedagogji, ka qenë mësues. Mund të quhet “Robin Hoodi” shqiptar, por për mua është vëllai më i mirë që mund të jetë. Nuk vjen më, iku. Historia do të mbetet. Admiri ka qenë për familjen, shoqërinë, miqtë, kurrë unë nuk mund të bëhem më i mirë se Admiri. Çështjet e brendshme të tij kanë qenë të Admirit dhe Admiri i mori me vete.

A kishte familja dijeni për aktivitetin e Admirit, pasi gjithë pasojat vijnë prej tij? Çfarë bënte ai në Greqi dhe Shqipëri?

Kur kemi marrë rrugën e emigracionit, unë i thosha: “Vëllaçko, si mund të jesh kaq punëtor?”, se unë nuk e bëja punën e tij. E kam gjetur në shtëpi me kushte të tmerrshme, që i pikonte çatia, i thosha: “Ik nga Greqia, është Europa e madhe”. Admir Murataj, të jeni të bindur te Zoti, ka filluar punën murator në Greqi. Ngaqë ishte shumë profesionist, mori një supermarket për mirëmbajtje. Pastaj, sesi erdhi çekuilibrimi, nuk e di, kam qenë në Belgjikë.

Kanë qenë autoritetet greke që e kanë dyshuar dhe hetuar për grabitje bandash, një histori që do të rikthehej më pas në Shqipëri. Në këto vite, kur e keni mësuar për herë të parë për këtë çekuilibrim?

Unë e kam mësuar çekuilibrimin e tij familjar rreth vitit 2014. Ai ishte momenti që erdhi nga Greqia, më tha shumë drejt: “Vëllaçko, Greqia për mua ka marrë fund”. Ai është bastarduar nga 15 ditë hetimi, ka rënë rreth 16 kile nga pesha, nuk e kanë njohur familjarët. Aty ka filluar historia, ka ardhur në Shqipëri, ka pasur një jetë shumë normale, shumë korrekt.

Cilat janë identitetet e Admir Muratajt, se flitet që ka pasur shumë emra?

Mbi 20 identitete i kam kaluar unë, ka qenë për të marrë asistencë në Europë. Ka qenë për motive përfitimi. Keni marrë ndonjë informacion nga Policia, jeni thirrur në Prokurori? Deri në këto momente, jo. Ka qenë një emision që e kam marrë vesh se Admir Murataj është vrarë. Në orën 6 të mëngjesit kam shkuar në Polici. U thashë që nëse doni ta identifikoni, e njoh unë, s’ka nevojë për ADN. Nuk kemi punë me gjurmët e bashkëpunëtorëve, i gjen Policia.

Ku ka qëndruar Admiri gjatë këtyre dy viteve që ka qenë person në kërkim?

Bashkëshortja e tij, bashkë me 4 fëmijët, ka jetuar gjithmonë në Tiranë. Nuk është shkëputur në asnjë moment nga Tirana. Admiri ka qenë hije për ne që nga historia e Greqisë. Pastaj, nga viti 2015 e pas ishte thjesht një emër kur e dëgjonim në televizor, në lajme, edhe ditët që iknim në Gjykatë. Vetëm aty dëgjohej emri i tij, për të tjerat nuk ka pasur lëvizje asnjëherë. Se ku ka qëndruar këto dy vjet, këtë mund ta sqarojë më mirë Policia.

Nuk keni pasur asnjë telefonatë apo kontakt me të?

Asnjë lloj komunikimi, as kontakti. Telefonatat dhe çdo gjë tjetër janë të hapura, janë transparente.

A kishte shokë Admiri në Shqipëri? A njihni ndonjërin prej tyre?

Me shoqërinë e Admirit nuk kemi pasur kurrë kontakte. Kontaktet më të shpeshta të Admirit janë këta që thonë se janë të akuzuar për grabitjet e njëpasnjëshme, pra, që kemi krijuar një lloj lidhjeje me ta para dyerve të burgut dhe kemi krijuar një njohje të natyrës që ky ka qenë miku i mikut të Adit apo ky ka qenë miku i Adit. Të kësaj forme. Kjo ka qenë lidhja me ish-shoqërinë e tij.

A keni arritur të mësoni diçka se me kë ka qenë Admiri ditën kur ndodhi ngjarja, më 9 prill?

Jo, nuk kemi. Po të kishte qenë çështje e pakapshme, do shihja që para disa kohësh, kur rrija me Adin, që shihja ndonjë njeri me të, do krijoja një ide. Por me këtë pjesën e grupit që është arrestuar dhe më pas, nuk kam krijuar kurrë një dyshim që do më bënte të ktheja kokën mbrapa po të shihja një njeri. Nuk e kemi menduar asnjëherë.

Pse mendoni se iu rikthye Admir Murataj grabitjeve?

Kjo është ajo që mua më mundon më shumë. Kam biseduar edhe me Policinë për çështjet hetimore. Gjithmonë fliten shuma, jo 2 milionë, 3 milionë, 5 milionë, 7 milionë. E kam menduar edhe vetë, unë kam ngrënë e kam pirë me vëllain tim, por kurrë në jetën time nuk kam përfituar 50 cent nga ana familjare. Në trungun tonë familjar, çdo familje është në jetën e tij, në pjesën e tij, në aktivitetin e tij. Ne e kemi edhe zakon që barra e vëllait do më bjerë mua dhe unë do ta heq. Jam ballëlartë.

Por ne flasim për një shtëpi, që është disa milionë euro…

Është disa miliona dhe kjo është e habitshme, kjo është enigma. Këtu del ajo pangopja. Sikur Admir Murataj është i pangopur. Këtë duhet ta studioni ju.

Nëse ju kërkon Prokuroria, a jeni gati të bashkëpunoni për gjetjen e personave që morën pjesë bashkë me Admir Muratajn në ngjarjen e 9 prillit? A keni bërë ju vetë kërkime dhe a i dini se kush janë këta persona?

Nuk kemi pasur kohë që të mendojmë as ish-shokun, as ish-grabitësin, as ish-mikun. Unë jam nga 14 prilli 2017 e deri më sot, çfarë më qan zemra mua, i kam thënë në Polici e do t’i them. Me Policinë do qajmë hallet, por deri në këtë moment nuk na ka shkuar mendja. Kemi pasur rast tjetër, kemi pasur angazhimet për të përcjellë vëllain tonë dhe deri më sot vetëm me këtë jemi marrë.

Po sekuestrot që ka bërë Prokuroria, si i gjykoni?

Unë për sekuestrot e Prokurorisë asnjëherë nuk e kam kthyer kokën mbrapsht. Në objektin tim, te puna ime janë marrë 9 automjete, të gjitha të targuara, me certifikata pronësie dhe me taksa të paguara. Pa asnjë element krimi. Nga ana e Policisë, çfarë është kërkuar për të justifikuar të ardhurat për blerjen e këtyre automjeteve, unë i kam dërguar në Polici. Nga ana tjetër, nëse këtë e bëjnë për bujë apo për të treguar se po bëjnë një punë, se na ka rënë në dorë dhe duhet ta bëjmë, le t’i sekuestrojnë të gjitha, edhe pantallonat jam gati t’ia jap Prokurorisë.

Policia apo Prokuroria ju ka kërkuar që të bashkëpunoni?

Kurrë nuk jam bashkëpunëtor i Prokurorisë. Qajmë hallet, por jo bashkëpunëtor. Po të jem bashkëpunëtor, 3 vjet burg.

A keni dijeni se si janë ndarë paratë në rastet e mëparshme?

Në dijeninë time, bashkëpunëtorët e drejtësisë kanë pranuar, kanë dorëzuar, me sa di unë, edhe një pjesë të parave. E kanë pranuar si vepër. Me çfarë kam lexuar unë, se nuk jam specialist i fushës, them që në të gjitha detajet, bashkëpunëtorët e drejtësisë kanë përmendur emrin Adi, ose malësori, apo nuk e di se si. Kanë përmendur edhe emra të tjerë, duke thënë se ngaqë e kanë njohur, ua ka prezantuar një mik, i kanë bërë këto punë me Adin. Pjesën e tyre e kanë pranuar që e kanë marrë, pjesën tjetër mund ta ndajnë ata bashkëpunëtorët e drejtësisë, me Adin, me ata shokët e grupit, është mënyra e tyre sesi i kanë ndarë ata. Ata bashkëpunëtorët e drejtësisë e dinë më mirë se kanë dhënë llogari për çështjen e ndarjes.

Çfarë pasurie ka lënë Admir Murataj për bashkëshorten dhe fëmijët?

Koha do ta vërtetojë. Kjo shtëpi që po rrimë tani, është prona e vetme e Admir Muratajt.

Ditën pas identifikimit të Admir Muratajt te morgu, thanë se ai ishte përdorur…

E kam thënë atë ditë dhe këtë do ta mbroj deri ditën e fundit.

Sipas jush, kush e ka përdorur?

Për këtë duhet të dalë ndonjë detaj nga Prokuroria. Unë besoj se pas 2 vitesh do të dalë një bashkëpunëtor drejtësie. Këto punë bëhen me shokët. Unë besoj te guximi i vëllait tim. Po t’i thoshin që të vinte të jepte një intervistë këtu, edhe pse do vijnë 500 policë, ai do vinte që ta jepte intervistën.

(Kosova Sot)