Hashim Thaçi e zbulon skenarin e takimit të Berlinit më 29 prill

  • 17 April 2019 - 11:47
Hashim Thaçi e zbulon skenarin e takimit të Berlinit më 29 prill

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur rreth takimit që do të mbahet me 29 prill në Berlin me ftesë të kancelares gjermane, Angela Merkel dhe presidentit të Francës, Emanuel Macron.

Thaçi ka zbuluar skenarin e këtij takimi, duke thënë se ky takim nuk është ftuar për të arritur ndonjë marrëveshje apo plan në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij nuk do të ketë diçka të fshehtë që do të arrihet në këtë takim.

“Si president jam në konsultim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë për zhvillimet në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Takimi i Berlinit do të jetë vazhdimësi e interesimit të Gjermanisë dhe Francës për Kosovën dhe rajonin tonë. Ne e mirëpresim dhe e përshëndesim këtë iniciativë. Bazuar në konsultat që kam zhvilluar, nuk do të ketë asnjë plan që do të propozohet për marrëveshjen Kosovë-Serbi. Për më tepër, nuk ka asnjë agjendë të fshehtë prapa këtij takimi”, ka shkruar Thaçi.

Ai ka treguar se në fund të këtij takimi, pjesëmarrësit do të dalin me një deklaratë të përbashkët që konfirmojnë perspektivën evropiane të Kosovës dhe Serbisë.

“Presim që, në fund, ky takim të rezultojë me një deklaratë retorike të përgjithshme, paraprakisht të dakorduar mes pjesëmarrësve, e cila ndër të tjera do të rikonfirmojë së paku perspektiven evropiane të rajonit tonë, thellimin e reformave sidomos në sundimin e ligjit, si dhe do të theksojë domosdoshmërinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Për Kosovën do të ishte tepër dëshpëruese në rast se edhe në këtë takim, Franca dhe Gjermania, dështojnë të harmonizojnë qëndrimet e tyre për vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë. Kosova mbetet vendi i vetëm i izoluar në Evropë. Prandaj, të flasësh për perspektiven evropiane të Kosovës, qoftë edhe vetëm në mënyrë retorike, është më tepër se hipokrizi! “, ka përfunduar ai.

Këto deklarime të Thaçit vijnë pas raportimeve se në Berlin do të arrihet një marrëveshje në parim mes Prishtinës dhe Beogradit.

(Kosova Sot)