Haradinaj në qendër të kritikave, nesër ndan paratë për Notre Dame

  • 17 April 2019 - 14:07
Haradinaj në qendër të kritikave, nesër ndan paratë për Notre Dame

Notre Dame do të restarurohet brenda pesë vitesh, ka deklaruar presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Për ta kthyer në gjendjen e mëparshme binesmenë biznesmënë nga e gjithë bota janë shprehur të gatshëm për të ndihmuar me para. E një gjë të tillë do ta bëjë edhe Kosova. Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë sot se me buxhet të Kosovës do të ndihmohet Franca.

Ky vendim i kryeministrit Haradinaj ka marrë kritika të shumta nga deputetët e shoqëria civile.

Megjithatë kjo punë tashmë është vendosur dhe nesër në mbledhjen e qeverisë priten të ndahen fondet. Këtë e ka konfirmuar Donjeta Gashi nga zyra e kryeministrit Haradinaj.

“Paratë ndahen në mbledhje të qeverisë, mbledhja mbahet nesër. Nuk dihet ende shuma”, tha Gashi.

Por, ky solidarizim i kryeministrit me Francën nuk po i pëlqen opozitës.

“Franca nuk ka nevojë për paratë e Kosovës; as si substancë e as si simbolikë. Për Notre Dame janë mbledhur mbi 1 miliardë euro tashmë”, ka thënë deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Për këto para më shumë kanë nevojë qytetarët e Kosovës, ka shtuar Abdixhiku.

Ndërsa, u raportua në media se pas kritikave Ramush Haradinaj ka thënë se shuma e parave që do t’i ndahen Francës do të jetë simbolike.

Ndryshe, dy ditë më parë Notre Dame simboli i trashëgimisë kulturore të kryeqytetit francez është përfshirë nga flakët. Ai është shkatërruar pothuajsë tërësisht, ndërsa nuk dihën shkaqet se si u përfshi nga zjarri.

Në ato momente me Francën ka bashkëndjerë e gjithë bota, përfshirë edhe kosovarët.

(Kosova Sot)