Abdixhiku: Franca s’ka nevojë për paratë e Kosovës, Qeveria po shitet “franquze”

  • 17 April 2019 - 14:12
Abdixhiku: Franca s’ka nevojë për paratë e Kosovës, Qeveria po shitet “franquze”

Deputeti i LDK’së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Ramush Haradinaj, se Kosova do ta ndihmojë me mjete financiare Francën pas djegies së katedrales Notre Dame në Paris e cila u dogj dy ditë më parë.

Abdixhiku ka shkruar në Facebook se Franca nuk ka nevojë për paratë e Kosovës, as si substancë e as si simbolikë, pasi siç thotë ai, tashmë janë mbledhur mbi 1 miliardë euro për Notre Dame.

Abdixhiku thotë se për paratë e shtetit kanë nevojë dy vajza të cilat janë të sëmura dhe fotot e fyre po shpërndahen gjithandej për të kërkuar ndihmë.

“Për paratë e Kosovës nevojë kanë ato dy vajza – njëra 2 vjeçe e tjetra 18 – fotot dhe lutjet e së cilave për ndihmë na shpërndahen gjithandej. Për këto para nevojë kanë dhe ato spitale që kërkojnë dorza sterile para secilës lindje. Për këto para – dhe shumë më shumë – nevojë kanë hallgjorët e Kosovës, qeveria e së cilëve ka vendosur të shitet “franquz””, ka shkruar Abdixhiku.

Katedralja Notre Dame në Paris u shkatërrua dy ditë më parë nga një zjarr masiv që e kaploi atë. Për rindërtimin e saj, që nga dita e djegies në mënyrë vullnetare shumë shtete, si dhe individë të caktuar, kanë ofruar mbështetjen e tyre financiare.

(Kosova Sot)