Guraziu: Kontratat të shpallen të dëmshme

  • 17 April 2019 - 14:37
Guraziu: Kontratat të shpallen të dëmshme

Analisti Ragip Guraziu pyet se pse Prokuroria nuk denjon dhe as nuk guxon të shpallë urgjentisht kontratat e PTK-së si të dëmshme, duke filluar që nga kontrata me “Z-MOBILE” e deri të qindra e mijëra kontrata të tjera zhvatëse, në shërbim të nëntokës kriminale dhe pushtetarëve të inkriminuar që nga majat e pushtetit. “Kryeshefit i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, ka deklaruar se është duke i rishikuar të gjitha kontratat e Telekomit të Kosovës dhe se problematike është që kjo ndërmarrje ka kontraktuar kompani nga jashtë Telekomit të punojnë për këtë ndërmarrje.

Sipas Bedri Istrefit, “e vetmja mundësi, sipas disa ekspertëve ligjorë, është nëse Prokuroria e Shtetit i shpall si të dëmshme të gjitha këto kontrata. Atëherë ne mund të kemi njëfarë baze ligjore për ta plotësuar dhe të gjitha kontratat realisht të dëmshme do të trajtohen”, u shpreh Guraziu për “Kosova Sot”. “Istrefi gjithashtu bëri të ditur se i kanë dërguar të gjitha kontratat në Prokurorinë e Shtetit si dhe në Komisionin Hetimor Parlamentar për gjendjen në PTK dhe ‘Vala’.

Pse Prokuroria nuk denjon dhe as nuk guxon të shpallë urgjentisht kontratat e PTK-së si të dëmshme, duke filluar që nga kontrata me ‘Z-MOBILE’ e deri te qindra e mijëra kontrata të tjera zhvatëse, në shërbim të nëntokës kriminale dhe pushtetarëve të inkriminuar që nga majat e pushtetit !?”, pyet Guraziu më tutje. “Atëherë, pse Prokuroria, sidomos mbi 10 vjetët e fundit,por edhe më herët nuk denjoi e as nuk guxoi kurrsesi të hetojë seriozisht dhe të sjellë para drejtësisë përgjegjësit e nënshkrimit të kontratave dhe urdhërdhënësit e tyre në Qeveri dhe jo vetëm, ku e tëra kjo ka një skemë të krimit të organizuar për zhvatjen e pasurisë nacionale e shtetërore të Kosovës”, është shprehur analisti Ragip Guraziu.

Guraziu: Prokurori frikacake dhe e inkriminuar

“Derisa kemi një Prokurori të zhvatur dhe frikacake dhe të inkriminuar do të vazhdojnë të amnistohen sërish të gjithë protagonistët e këtij krimi prej vitit 2009 e deri më sot, të cilët dëmtuan pasurinë e qytetarëve me këtë marrëveshje skandaloze dhe kriminale me Blerim e Shkëlqim Devollin, por edhe me shumë kontrata të tjera zhvatëse dhe kriminale, të cilat e dërguan Telekomin drejt falimentimit.

Si po rri Prokuroria Speciale dhe prokuroria e Shtetit duarkryq ndaj këtij fenomeni, që po toleron e lejon këto krime skandaloze ekonomike, duke mos pasur guxim Prokuroria që ta hetojë këtë proces nga fillimi e deri në fund, meqë aty janë përfshirë krerë të lartë të shtetit, nga krerët e shtetit, ish-kryeministra e shumë ministra e ish-ministra të lidhur në bashkë-ortakëri me mafio-oligarkët tanimë të kriminalizuar Devolli”, u shpreh Ragip Guraziu për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)