Ish-Presidenti vret veten me armë para arrestimit, policët i “mashtroi” me një…telefonatë

  • 17 April 2019 - 18:35
Ish-Presidenti vret veten me armë para arrestimit, policët i “mashtroi” me një…telefonatë

Ish-presidenti i Perusë, Alan Garcia, vdiq pasi qëlloi veten me pistoletë, ndërsa policia kishte shkuar për ta arrestuar në shtëpinë e tij.

Garcia, 69-vjeç, u dërgua me urgjencë në spital të mërkurën, në kryeqytetin Lima. Vdekja e tij u konfirmua nga presidenti i tanishëm Martín Vizcarra.

Një turmë mbështetësish u mblodhën jashtë spitalit. 

Ministri i Brendshëm Carlos Morán u tha gazetarëve se kur erdhi policia, Garcia kërkoi të bënte një telefonatë dhe hyri në një dhomë dhe mbylli derën.

Minuta më vonë, u dëgjuan të shtëna me armë. Policia u detyrua të hapte derën me forcë, duke gjetur zt. García ulur në një karrige me një plagë plumbi në kokë.

Garcia, i cili shërbeu si president nga viti 1985 në 1990 dhe nga viti 2006 deri në vitin 2011, është nën hetim për ryshfet në lidhje me një skandal masiv të korrupsionit që ka përfshirë një numër ish-liderësh të Amerikës Latine.

Burimet pranë hetimit i thanë CNN-së se autoritetet peruane kishin lëshuar një urdhër për arrestimin e tij të menjëhershëm.

Garcia është akuzuar se ka marrë ryshfet nga një prej firmave më të mëdha të ndërtimit në Amerikën Latine, Odebrecht, me seli në Brazil, gjatë ndërtimit të një treni elektrik për metro të Limas, ndërsa ishte president gjatë mandatit të tij të dytë. Ai ka mohuar pretendimet. 

Në një artikull të botuar të martën, Garcia tha se nuk kishte asnjë provë kundër tij dhe akuzoi prokurorët peruanë për spekulime, duke shtuar se nuk ishte shitur kurrë dhe se kjo ishte e provuar.

Në nëntor të vitit të kaluar, Garcia kërkoi azil në ambasadën e Uruguait pasi një gjyqtar e ndaloi të largohej nga vendi për 18 muaj. Qeveria uruguaiane e mohoi kërkesën në dhjetor.

(Kosova Sot)