Konsujt e… Turpit!

  • 18 April 2019 - 07:37
Konsujt e… Turpit!

Kelmendi: A ka gjë më kriminale për shtet që Devollët e Pacollët të bëhen konsuj nderi?

“Për çfarë imazhi të Shqipërisë mund të flitet, në kushtet kur ajo në bashkëpunim me mafio-oligarkët në Kosovë, zgjedh konsuj nderi njerëz si Rrahim Pacolli apo Blerim Devolli, i cili përmbi 10 vjet përmes pushtetarëve të inkriminuar së bashku me vëllain e vet i bën qindra miliona euro, duke zhvatur popullin dhe ndërmarrjet publike si dhe buxhetin e shtetit të Kosovës”, ka thënë analisti Gani Qarri për “Kosova Sot”

Politika dhe diplomacia janë arenë e skandaleve të ndryshme. Oligarkët kanë arritur të fitojnë edhe tituj diplomatikë, pa meritë, ndërsa mbrohen nga shërbëtorët e tyre në pozita. Kështu ka ndodhur me vendimin që Rrahim Pacolli u konsiderua si i padenjë nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, për të bartur titullin e Konsullit të Nderit të Shqipërisë, por jo edhe biznesmeni Blerim Devolli, nga Peja. Ky i fundit si Konsull Nderi i Shqipërisë në komunën e Pejës po shijon privilegjet, për të cilat, siç thonë analistët, duket ua ka lyer fytin pushtetarëve në Tiranë.

Ky privilegj po ia mundëson Blerim Devollit të shëtitet me targa diplomatike dhe me të tjera privilegje të konsullit të nderit, duke i krijuar vetes imunitet, të blerë, me gjasë, me para nga pushtetarët shqiptarë. Analistët pyesin se për çfarë imazhi të Shqipërisë mund të flitet kur zgjedh konsuj nderi njerëz si Blerim Devolli apo Rrahim Pacolli. Edhe përkundër pyetjeve të dërguara Blerim Devollit, ai nuk ka kthyer përgjigje. As Rrahim Pacolli nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës.

Fushata e shkarkimeve

Rrahim Pacolli është vlerësuar i padenjë nga Gent Cakaj për të bartur titullin e Konsullit të Nderit të Shqipërisë, por jo edhe biznesmeni nga Peja, Blerim Devolli. Gent Cakaj, ministër në detyrë për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, pasi u hoqi privilegjet konsujve të shteteve të tjera në Shqipëri, ka filluar me shkarkime të konsujve të nderit. Shqipëria kishte katër konsuj nderi në Kosovë, mes tyre edhe biznesmenët Rrahim Pacollin e Blerim Devolli. Cakaj, ministër nga Kosova, ka shkarkuar Pacollin me arsyetimin se ai nuk i plotëson kriteret e bartësit të imazhit të Shqipërisë. Mirëpo, njëjtë ministri kosovar në kabinetin e Edi Ramës nuk e ka parë Blerim Devollin, i cili vazhdon të mbajë titullin e Konsullit të Nderit të Shqipërisë në Kosovë. Blerim Devolli është konsull nderi i Shqipërisë në komunën e Pejës.

Pacolli ishte Konsull nderi në Komunat Prizren, Dragash, Suharekë dhe Mamushë me zyrën e konsullatës së nderit në Prizren. Emërime të dyshimta ka bërë edhe qeveria kosovare. Javë më parë Kosova ka emëruar në Shqipëri Mentorn Nazarkon, që është edhe këshilltar i kryediplomatit Behgjet Pacolli, dhe Mimoza Ndroqin, që është gruaja e biznesmenit shqiptar, Ylli Ndroqi, e për të cilin është raportuar se është dyshuar që ka qenë i përfshirë në një rast të trafikimit me narkotikë. Konsulli i Nderit është titull diplomatik që e marrin shtetasit me nënshtetësi të vendit pranues, e që konsiderohen se janë të denjë për të përfaqësuar imazhin e shtetit që i emëron.

Image
Ragip Guraziu

Oligarkët e paprekshëm

Analisti Ragip Guraziu vlerëson për gazetën “Kosova Sot” se po t'i prekësh Devollët ke prekur institucionet të larta të shtetit të Shqipërisë dhe të Kosovës. “Dhe kjo është arsyeja pse Gent Cakaj, ministri i Jashtëm i Shqipërisë nuk guxon e as nuk e denjon t`ia marrë titullin edhe Blerim Devollit si Konsull Nderi i Shqipërisë, i cili vlerësohet vetëm si turpi dhe kryezhvatësi i Kosovës e kurrsesi nderi i Shqipërisë !?

Kështu tani u vlerësua vetëm nga Rrahim Pacolli si i padenjë nga Gent Cakaj për të bartur titullin e Konsullit të Nderit të Shqipërisë, por jo edhe biznesmeni i inkriminuar në skandale, Blerim Devolli, nga Peja, siç po i shfrytëzon Blerim Devolli si konsull nderi i Shqipërisë në komunën e Pejës privilegjet, për të cilat siç duket ua ka lyrë fytin pushtetarëve në Tiranë, duke u shëtitur Blerim Devolli me targa diplomatike dhe me të tjera privilegje të konsullit të nderit, duke i krijuar vetes imunitet, të blerë me para nga pushtetarët shqiptarë”, ka potencuar ai.

“Por për çfarë imazhi të Shqipërisë mund të flitet kur zgjedh konsuj nderi njerëz si Blerim Devolli apo Rrahim Pacolli, të cilit iu mor ai titull, mirëpo mikut të ngushtë të pushtetarëve në Kosovë dhe Shqipëri, Blerim Devollit, i cili përmbi 10 vjet përmes pushtetarëve të inkriminuar, së bashku me vëllain e vet, i bën qindra miliona euro, duke zhvatur popullin dhe ndërmarrjet publike si dhe buxhetin e shtetit. Dhe kjo është arsyeja pse Gent Cakaj, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, nuk guxon e as nuk denjon t`ia marrë titullin edhe Blerim Devollit si konsull Nderi i Shqipërisë, i cili vlerësohet vetëm si turpi dhe kryezhvatësi i Kosovës e kurrsesi nderi i Shqipërisë !?”, ka thënë më tutje analisti Ragip Guraziu.

Image
Muhamet Kelmendi

Kelmendi: Matrapazët u bënë konsuj

“Ishte bërë konsull Rrahim Pacolli, personat e kriminalitetit me të skrupull të familjes Devolli etj. Turpi i vetë shtetit shqiptar. Të bëhen konsuj kriminelët dhe matrapazët, spiunët dhe analfabetët është turpi i shtetit. A ka gjë më kriminale për shtet që Devollët e Pacollët të bëhen konsuj.

Kjo e dëmton edhe imazhin e shtetit. Tregon se çfarë shteti kemi kur matrapazët bëhen konsuj. Vallë nuk pati Kosova kuadro për arsim të kualifikuar veç Besa Shahinit? A nuk pati Kosova kuadro të tjera të kualifikuara veç Gent Cakës, një fëmijë i lazdruar dhe gjoja i kualifikuar që në moshën adoleshente. Nuk përfaqësohet Kosova me matrapazë dhe me mafiozë të tipave të Devollëve e të Pacollëve. Kjo tregon kalbjen e sistemit politik të shtetit. Tregon se Tirana nuk është në vijën e kombit”, u shpreh Muhamet Kelmendi” për “Kosova Sot”.

Image
Blerim Burjani

 Burjani: Politika e diplomacia, biznese të pista

“Politika është e lidhur me biznes, politikanët kanë propozuar konsuj nderi, ku shumica e njerëzve që kanë marrë statuse të çuditshme dhe absurde, këto gjëra kanë ndodhur, por tash gjera të tilla po largohen dhe qëndrimi i Shqipërisë në ketë temë është korrekt dhe ka qenë i domosdoshëm që mos të keqpërdoren tituj nderi që kanë prish imazhin. Biznesmenët janë bërë urë lidhëse me politikën për rritje të biznesit, për ketë arsye janë dhënë këta tituj për çështje biznesore, edhe pse ka tituj nderi duhet t’u jepen njerëzve që kanë kontribuar shumë në zhvillimin e shtetit ose edhe për fusha të caktuara, por jo për shkak se janë njerëz që shquhen me punë të caktuara.

Këto gjëra mund të ndodhin vetëm në Kosovë dhe Shqipëri dhe askund tjetër ku pa meritë marrin tituj të shumtë konsuj, lloj-lloj analfabeti bëhet ambasador. Duhet të rikonstruohet komplet shërbimi diplomatik i Kosovës , në mesin e njerëzve ambasadorë në Kosovë janë analfabetë, inxhinierë, agronomë, ndërtimtarë, mjekë, matematikanët gjithçka, se lëre më të flitet për shërbim civil të ambasadave dalin dajë e teze e kunata, gjithçka, pra Kosova është rast qesharak me diplomaci, prandaj kërkohet një reformim i plotë i diplomacisë”, u shpreh analisti Blerim Burjani për “Kosova Sot”.

Image
Reshat Badallaj

Badallaj: Banda e Serbisë dirigjon Tiranën

“Me duhet të ripërsëris pa pasur frike farë se shteti këndej e andej Drinit janë në duart e kryebanditëve, kryevagabondëve, kryeoligarkëve, që e vjedhin shtetin deri në palcë. Ky rrjet kriminal është i lidhur ngushtë me krimin. Por krimineli i kësaj katrahure është edhe spiuni i Jovica Stanishiqit, Baton Haxhiu dhe Blerim Devolli, që me direktiva të Serbisë janë duke bërë hata kundër shtetit dhe qytetarëve. Me para të pista ky rrjet kriminal i ka blerë këta langonj të majave të shtetit, prandaj janë mbi ligjin, janë mbi shtetin dhe me para të pista janë bërë supermilionerë dhe populli lufton për bukën e gojës.

A nuk është skandaloze që një hajn, si Blerim Devolli, të shpallet me titull të konsullit. Po kjo është çmenduri dhe ofendimi më i madh që i bëhet popullit dhe kombit në përgjithësi, kur një hajn, një matrapaz serbian, si Blerim Devolli, të bartë këtë titull. Genc Cakaj është pion i Edvin Kristaq Ramës. Pra, ajo banda mafioze e Tiranës është e korruptuar deri në fyt nga kryeoligarkët e gjakut serbian, vëllezërit Devolli. Shqipëria me imazh është e shtrirë përtokë, sepse është në dorën e kryemafiozëve më të rrezikshëm që për lekë ata e shesin vendin si plaçkë. Këta janë soj banditësh dhe të lidhur ngushtë me krerët e Serbisë fashiste”, theksoi analisti Reshat Badallaj-Zhuriani për “Kosova Sot”.

Image
Gani Qarri

 Konsuj nderi bëhen njerëzit e denjë, jo antikombëtarët

Analisti Gani Qarri vlerëson se sipas të gjitha rregullave të njohura universale deri më tani titulli "Konsull i Nderit" u jepet vetëm personave të cilët vërtet konsiderohen të denjë për përfaqësimin e popullit dhe shtetit që ata i emëron e jo mafio-oligarkëve si Rrahim Pacolli dhe Blerim Devolli, të cilët më tepër bartin interesat ruse dhe serbe sesa ato shqiptare në Kosovë. “E përderisa konsulli i nderit është titull i vlerësuar diplomatik që u besohet njerëzve me nënshtetësi të vendit ku ata jetojnë, por vetëm ndonjërit prej atyre, të cilët vërtet konsiderohen se janë të denjë për të përfaqësuar shtetin që ata i emëron, besojë se si Rrahim Pacolli, aq më zi Blerim Devolli,as njëri, as tjetri nuk i plotësojnë, kushtet as kriteret për të përfaqësuar shtetin amë të shqiptarëve-Shqipërinë në Kosovë”, shpjegon ai për “Kosova Sot”.

“Ndaj është e pakuptueshme se si dhe pse nga Gent Cakaj u konsiderua vetëm Rrahim Pacolli si i padenjë për të bartur titullin e Konsullit të Nderit të Shqipërisë, por jo edhe biznesmeni i inkriminuar deri në fyt, në skandale, Blerim Devolli nga Peja, i cili për të shfrytëzuar privilegjet e titullit të konsullit të nderit të Shqipërisë në Kosovë, siç duket, ua ka lagur mirë fytin pushtetarëve "të pa ngopur" në Tiranë. Kështu që sot Blerim Devolli shëtitet me targa diplomatike dhe privilegje tjera që i ofron titulli i konsullit të nderit atij, duke i krijuar vetes imunitet, të blerë me shumë para nga pushtetarët e korruptuar shqiptarë të të dy anëve, prej bëmave mafiozë të të cilëve të dy shtetet tona sot janë bërë si mos më keq në të gjithë Evropën, për ç`shkak Kosovës nuk po i hiqet regjimi i vizave, ndërsa Shqipërisë, me nismën e Parlamentit holandez, mund t’i rivendoset përsëri ndalimi i lëvizjes së lirë dhe pa viza”, vijoi më tej ai

“Pra, se për çfarë imazhi të Shqipërisë mund të flitet, në kushtet kur ajo në bashkëpunim me mafio-oligarkët në Kosovë, zgjedh konsuj nderi njerëz si Rrahim Pacolli apo Blerim Devolli, i cili përmbi 10 vite përmes pushtetarëve të inkriminuar së bashku me vëllain e vet i bën qindra miliona euro, duke zhvatur popullin dhe ndërmarrjet publike si dhe buxhetin e shtetit të Kosovës, këtë mund ta sqarojë vetëm Edvin Kristaq Rama dhe Hashim Thaçi, i cili deri me ndërrimin e pushtetarëve në FYROM, Blerim Devollin e kishte konsull nderi të Gruevskit.

Ndaj dhe është plotësisht e kuptueshme se pse Gent Cakaj, çunaku i katapultuar nga Edvin Rama në detyrën e ministrit të jashtëm të Shqipërisë nuk guxon t`ia marrë titullin edhe Blerim Devollit si Konsull Nderi i Shqipërisë, me gjithë faktin se ai vlerësohet vetëm si turpi dhe kryezhvatësi i Kosovës, e kurrsesi nderi i Shqipërisë”, ka thënë analisti Gani Qarri.

Image
Florim Zeqa

Zeqa: Titujt e dyshimtë e ulën imazhin e shtetit shqiptar

Analisti Florim Zeqa thekson se pas "Samitit të Diasporës" u bë ndarja me bollëk e titujve të "nderit" nga Republika e Shqipërisë, saqë tani është bukur e vështirë të dallohen ambasadorët dhe konsujt e vërtetë të kombit shqiptar. “Dhënia e dekoratave dhe ndarja e titujve pa asnjë kriter nga Republika e Shqipërisë për figurat e dyshimta politike apo biznesmenët e inkriminuar e ka ulur në pikën zero imazhin e shtetit shqiptar.

Sikurse zgjedhja e z. Genc Cakaj në postin e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, ashtu edhe zgjedhja e "konsujve të nderit" ka të ngjarë të jetë bërë me direktiva të Beogradit zyrtar.

Ashtu siç ndarja e titujve bëhet edhe revokimi i tyre nga ministri servil i shtetit shqiptar, i cili e revokon një titull me rekomandim, por jo edhe tjerët pa meritë si ai!”, u shpreh ai për “Kosova Sot”. “Vlerësimi vetëm i Rrahim Pacollit si i padenjë nga Gent Cakaj për të bartur titullin e Konsullit të Nderit të Shqipërisë, por jo edhe biznesmenit nga Peja, Blerim Devolli, tregon qartë për interferim të jashtëm në politikën e shtetit shqiptar.

Kështu biznesmenët si konsuj nderi të Shqipërisë, i shfrytëzojnë privilegjet nga të gjitha anët, për të cilat siç duket ua kanë lagur mirë fytin pushtetarëve në Tiranë, Prishtinë apo Beograd!

"Konsujt e Nderit" me postet e blera me para shëtisin me targa diplomatike dhe me të tjera privilegje të konsujve të nderit, duke i krijuar vetes imunitet të blerë me para nga pushtetarët shqiptarë.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë pa integritet politik dhe pa kredibilitet qytetar, Gent Cakaj, është vetëm zbatues i urdhrave të padronëve të tyre në Tiranë e në Prishtinë, i cili më së paku e kupton rëndësinë e titullit "Konsull Nderi", e lërë më të përzgjedhë apo refuzojë dikë për titullin në fjalë”, ka vlerësuar analisti Zeqa.

Gent Cakaj shkarkon edhe Blerim Devollin nga pozita e Konsullit të Nderit të Shqipërisë në Kosovë

Të mërkurën mbrëma është raportuar nga mediet se ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka vendosur për shkarkimin e Blerim Devollit nga pozita e Konsullit të Nderin të Shqipërisë në Kosovë. Cakaj, pasi një ditë më parë shkarkoi nga e njëjta pozitë edhe Rrahim Pacollin, veprimin e radhës e ka tani për biznesmenin tjetër, Blerim Devolli. Mediet shkruajnë se ky vendim nga Gent Cakaj ka ndodhur gjatë ditës së djeshme, po ashtu pritet të bëjë edhe disa shkarkime të reja.

(Kosova Sot)