Shpërthejnë qytetarët: Akuza të rënda mbi Shpend Jahtin

  • 18 April 2019 - 07:46
Shpërthejnë qytetarët: Akuza të rënda mbi Shpend Jahtin

Gashi: Kur e mori Shpend Ahmeti Prishtinën njerëzit kanë menduar që do ta qesë në binarë, por tërësisht ka dështuar

“Më e keqja që mund t’i ndodhë Shpend Ahmetit, e që mund të jetë kulm mbi kulmin e dështimeve, është përballja eventuale në gjykatë me faktet për përfshirje në krim e korrupsion, për çka e akuzojnë fuqishëm ish-bashkëpartiakët. ...

Nëse dështon në këtë mandat le ta harrojë që e voton kush më këtë kryetar, Shpend Ahmetin, sepse njerëzit edhe ashtu kanë filluar që t’i bien pishman pse e kanë votuar. Krejt tash së fundi edhe nga VV-ja po e akuzojnë për përfshirje në korrupsion, prandaj fytyra e Shpend Ahmetit nuk do të mbetet askund hiç”, thotë qytetari Adler Borovci për “Kosova Sot”

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ndonëse tani është në mandatin e tij të dytë, që e fitoi ashtu si e fitoi me një rezultat tepër të ngushtë me kundërkandidatin e LDK-së, sipas notës që i japin qytetarët e Prishtinës do të mbetet me epitetin e kryetarit më të dështuar që nga pas lufta e deri më sot. Jo vetëm kaq, duke pasur parasysh edhe denoncimet që i janë bërë në Prokurorinë e Shtetit, për krim dhe korrupsion, qytetarët presin që drejtësia të trajtojë dhe të sjellë para përgjegjësisë të gjitha zyrtarët e involvuar tërësisht në krim të organizuar dhe korrupsion, përfshirë edhe Shpend Ahmetin.

Kryetari dështak të përballet me drejtësinë

Qytetari Afrim Berisha, nga lagjja “Velania” në Prishtinë, rruga “Nazim Gafurri”, tha për “Kosova Sot” se është krejtësisht i zhgënjyer me mospunën e kryetarit, kurse drejtësia, sipas tij, duhet ta thotë fjalën e vet edhe për dyshimet për çështjen e korrupsionit për çka është denoncuar nga ish-bashkëpartiakët dhe qytetarët e tjerë, nëse ka fakte.

“Nuk po vërehen fare ato ndryshime, vërtet nuk po vërehen. Unë mendoj që arsyeja pse nuk janë ato ndryshime që janë premtuar, e që ne i kemi pritur, është se këta kur po zgjidhen nuk po iu rrinë besnikë premtimeve, votave dhe votuesve të tyre. Nuk po i shohim asnjë nga ato premtime se janë duke filluar së pakut të realizohen në të ardhmen. Ky është për mendimin tim dështim total”, u shpreh ai. “Opozita dhe oponentët politikë po e akuzojnë edhe për korrupsion, është e vërtetë që e kanë denoncuar. Mirëpo, atë që mund të them unë, e që po e shoh çdo ditë, ka të bëjë me përmbushjen e obligimeve ndaj qytetarëve me të cilat nuk është askund në premtimet e dhëna.

Tash, ai po shihet që u fokusua edhe në këtë çështjen e politikës, për bisedimet, prandaj dështimi do të jetë edhe më i madh, sepse ai është dashur të fokusohet në obligimet që ka karshi qytetarëve, që të ballafaqohet me zgjidhjen e problemeve të përditshme të qytetarëve dhe jo me atë politikën e Qeverisë për bisedime. Unë mendoj, megjithatë, që nëse drejtësia e zbulon që është i përfshirë me fakte në afera, edhe për këtë çështje duhet të gjykohet, nuk duhet të amnistohet. Duhet të përgjigjet për të gjitha të bëmat e tij, nëse dalin që janë të vërteta”, theksoi për “Kosova Sot” qytetari Afrim Berisha.

Image
Shefqet Shala

Kaos ngado në kryeqytet, qytetarët u mashtruan

Performancën zero e vlerëson për Shpend Ahmetin, për dallim nga të gjithë kryetarët e tanishëm që ka pasur Prishtina e pasluftës, edhe qytetari Shefqet Shala. “Shpend Ahmeti po vazhdon t’u mbetet borxh qytetarëve në premtimet për projektet e mëdha që do ta ndryshonin krejtësisht funksionimin e deritanishëm jo të mirë të shërbimeve në kryeqytet.

Ai ka borxh të madh edhe kur është çështja te pastërtia e premtuar e qytetit. Për mendimin tim, krejt kaos është sa i takon pastërtisë. Nuk është punë që duhet të vlerësohet vetëm nëse i ndalon ndërtimet pa leje, sepse këtë e obligon ligji, por duhet të ketë në rend të parë që të mbajë në nivelin maksimal pastërtinë e qytetit. Çështje tjetër që akoma na mbetet borxh e që nuk po realizohet është ajo e premtimeve për parkingjet e qytetit. Sa i përket parkingut që parashihet të ndërtohet tek Fakulteti Filozofik, ka thënë se do të fillojë në vitin e kaluar, por tani po kalon gati një vit, jemi në vitin tjetër dhe asgjë nuk ka ndërmarrë, e madje as nuk po duket se ka ndonjë shenjë që do të fillohet me këtë projekt”, ka thënë ai për “Kosova Sot”.

“ Tani e kanë angazhuar edhe atje në politikë, në bisedime, dhe për këtë jam krejt i sigurt që nuk do të mundet në të dyja anët që t’i dalë përballë. Sigurisht që me këtë angazhim të ri, qyteti i Prishtinës akoma më shumë do ta ndien mungesën e tij, sepse nuk ka kapacitet ai që të zgjerohet edhe në politikën qendrore, edhe në këtë lokale- komunale. Këta të VV-së është e vërtetë që e kanë denoncuar në Prokurori për korrupsion. Ligji është ligj për të gjithë dhe duhet të jetë i zbatueshëm njëjtë për të gjithë”, vlerësoi Shefqet Shala.

Image
Aziz Kongjeli

 Dikush duhet të shkojë në burg për këto dështime

Prishtinën e sheh në pikën zero, në vendnumëro dhe stagnim, me Shpend Ahemtin, edhe qytetari Aziz Kongjeli. “Le të nisemi nga një problem më i thjeshti. Le të dalim vetëm deri tek parku dhe shihet gjithçka aty, aty shihen qentë që e kanë bërë sikur të jetë kopsht i tyre në park dhe askush aty nuk ndërmerr masa, më shumë grupe qensh se sa pushues dhe vizitorë të parkut. Nuk është vetëm ky problem, që mund të jetë ndoshta problemi më i vogël, por po nisem nga këtu, sepse realisht për asnjë problem që prekte jetën e qytetarëve, askush këtu nuk ndërmerr masa.

Gjithsesi që as pastërtia nuk është në nivel, ndonëse ka disa hapësira që nuk mund të jenë perfekte, pasi është duke u punuar aty, por edhe kur punohet vlejnë rregullat e ruajtjes së ambientit dhe të pastërtisë, por as ato nuk mbikëqyren”, u shpreh ai për “Kosova Sot”. “Thënë troç, borxhet që po i mban dhe nuk po i përmbush Shpend Ahmeti ndaj Prishtinës, e që i ka premtuar janë tepër shumë, dhe atij borxhe njëherë përnjëherë ai as që mund t’i realizojë ato. Mirëpo, ne do të kërkonim që së paku gjërat kryesore elementare, sikur që është pastërtia, të mos anashkalohet, por ajo të ruhet e të mbahet në nivel, sepse kjo mund të bëhet pa investime të mëdha”, tha Aziz Kongjeli. Sa i takon përfshirjes në korrupsion, Kongjelli thotë se është çështje që duhet ta vërtetojë Prokuroria, ndonëse nuk ka shumë besim në të, pasi deri më tash, sidomos tek të mëdhenjtë e politikës, Prokuroria dhe gjykatat kanë rënë në provim.

“Ato duhet t’i vërtetojë gjykata dhe Prokuroria, ndonëse kur ndalemi dhe shohim mbrapa deri tash, unë nuk e di se cilin denoncim kundër kujt e vërtetuan këto institucione. Janë përmendur deri më tash plot emra të njerëzve të politikës, por le të ndalemi e të pyesim se cili prej udhëheqësve deri më sot shkoi në burg....asnjëri, prandaj as këtu nuk kemi se çka të diskutojmë”, theksoi më tej ai.

Image
Gani Gashi

Dikush me 8 vende pune, e të tjerët as me një rrogë minimale

Po aq i zhgënjyer është edhe qytetari tjetër Gani Gashi. “Unë mendoj që këtu te ne është shumë problem dhe shumë keq. Pikësëpari, po duket si problem kjo çështja e papunësisë së madhe, por unë do të pyesja sa i takon qeverisjes komunale se çka ka bërë Shpend Ahmeti për ta ndryshuar këtë gjendje edhe në punësimet në Prishtinë në dy mandate, në të parin dhe në këtë tash që është i dyti. Sipas mendimit tim, për problemin e punësimeve nuk po duket që është duke bërë diçka, nuk është duke bërë asgjë më ndryshe, përveçse e ka bërë akoma më keq. Në punësimet në Komunë vetëm e ka shtuar akoma më shumë nepotizmin dhe familjarizimin, i ka bërë të gjitha të këqijat.

Unë dje për gjëra të tilla dëgjova edhe nga një hoxhë dhe atëherë thashë më vete se çka na mbetet më neve të jetojmë këtu në Kosovë, kur një njeri arrin t’i mbajë për vete deri në 8 vende pune. Unë nga familja ime 6 anëtarësh nuk punojmë asnjë e dikush në 8 vende pune. Kurse në PTK sot flitet që është njeriu duke u evidentuar kinse punon që 5 vjet dhe fare nuk lajmërohet në punë, por e merr pagën kot, vërtet nuk e di çka na vyen të jetojmë këtu. Prandaj, askush mos të pyesë pse po na ikin rinia.

Për përfshirjen e Shpend Ahmetit në korrupsion po flitet tani së fundi shumë edhe në popull. Tash po përmendet kjo, sepse më herët nuk është përmendur. Më herët kur e mori Shpend Ahmeti Prishtinën njerëzit kanë menduar që do ta qesë në binarë, por besomëni që ka dështuar dhe po dështon edhe Shpend Ahmeti dhe atëherë nuk e di se kush do të mbetet në të ardhmen që t’ia japim votën”, theksoi Gani Gashi për “Kosova Sot”.

Prishtinë e injoruar

Image
Adler Borovci

Ndërsa qytetari Adler Borovci tha për “Kosova Sot” se më e keqja që mund t’i ndodhë Shpend Ahmetit, e që mund të jetë kulm mbi kulmin e dështimeve, është përballja eventuale në gjykatë me faktet për përfshirje në krim e korrupsion, për çka e akuzojnë fuqishëm ish-bashkëpartiakët.

“Ku tani po shihet që ka vendosur të shkojë edhe në këto bisedimet, ka me lanë Prishtinën në harresë dhe ka plotësisht rrezik për me dështua...shumë ka rrezik nëse dështon në këtë mandat le ta harrojë që e voton kush më këtë kryetar, Shpend Ahmetin, sepse njerëzit edhe ashtu kanë filluar që t’i bien pishman pse e kanë votuar. Krejt tash së fundi edhe nga VV-ja po e akuzojnë për përfshirje në korrupsion, prandaj fytyra e Shpend Ahmetit nuk do të mbetet askund hiç, nëse edhe kjo akuzë i vërtetohet dhe gjykohet si e vërtetë për të cilën drejtësia do të kishte fakte, prandaj Shpend Ahmeti në të ardhmen do të mbetej askund, si thoshin përpara të vjetrit, as me “Shehër e as me Barilevë”, tha Adler Borovci për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)