Pushtetarët “patriotë” harruan Çakorrin e Kullën

  • 18 April 2019 - 07:59
Pushtetarët “patriotë” harruan Çakorrin e Kullën

Hertica: Kosova është e mbuluar me politikanë gënjeshtarë që nuk skuqen fare nga mashtrimet

 “Territori i Kosovës gjithnjë është rrudhur, ky ka qenë derivat i politikës së dobët dhe jokonsoliduese për stabilitetin e brendshëm, dhe nëse eventualisht kërkohet një demarkim me Serbinë, që konsideroj se do të bëhet, atëherë si shtet sërish do të pësojmë gjeografikisht. Mbase është e njëjta gjeneratë dhe e njëjta mendësi, që për interesa të tyre klanore, madje edhe të sëmura, janë në gjendje të japin edhe territor”, thotë për gazetën “Kosova Sot”, analisti Arsim Haziri

Kulla e Çakorri brenda Kosovës? Ky ishte vetëm një mashtrim i pushtetarëve, pasi në fakt kufiri nuk do të kthehet aty ku ish-opozita protestonte dikur e që sot një pjesë e saj është ne pushtet. Sipas analistëve, kjo opozitë vajtonte që marrëveshja me Malin e Zi ia merr Kosovës 8 mije hektarë, gjë që tani kur janë në pushtet e harruan këtë punë si një kauzë të rrejshme. Analistët thonë se a do të na mashtrojnë këta pushtetarë edhe për demarkacionin me Serbinë, ku sërish do të tkurret Kosova me këta politikanë mashtrues e gënjeshtarë.

Image
Ali Hertica

Hertica: Iu falën tokat malazezëve për kolltukë

Analisti Ali Hertica theksoi për gazetën “Kosova Sot” se Komisioni “Meha”, në kohën sa ishte Hashim Thaçi, doli me defekt, e zhvendosi kufirin nga Çakorri dhe Kulla për gjashtë kilometra në brendi të Kosovës. “Shpërtheu revolta së pari nga partitë opozitare, por pati edhe revolta nga qytetarët e Kosovës e, më së shumti nga ata të zonës së Rugovës, doli që ky Komision po ia humbte nja 8200 hektarë Kosovës. Kështu demarkacioni hyri përsëri në qorrsokak, u falën toka malazezëve për kolltukë.

Dhe u ndez edhe Kuvendi i Kosovës nga opozita për ta ndaluar miratimin e kësaj Marrëveshje në Kuvend, por edhe ajo në fund u dorëzua si Don Kishoti. Qeveria “Thaçi” e pastaj edhe ajo “Mustafa” formuan edhe dy komisione sa për sy e faqe, por demarkacioni nuk kaloi dhe me këtë erdhi si “shpëtimtar” Haradinaj duke u thirrur në amanetin e të parëve, por në fund ai vetë e ia fali Çakorrin e thoshte se kinse do të rikthehet në shqyrtim që kurrë nuk do të ndodhë kjo”,theksoi Hertica. Sipas tij, askush nga këta “patriotë” nuk po merret me rishikimin e kufirit me Malin e Zi, sepse atë e vulosi opozita e dikurshme e shndërruar në pozitë, ku harruan kauzën e tyre.

“Kjo klasë politike nuk u kujdes për ndërtimin e shtetit, por për mbushjen e xhepave të tyre. Kështu që kjo kastë politike shumë shpejt u korruptua, duke vjedhur çdo gjë që u vinte ndorësh, sepse prioritet e kanë pushtetin dhe jo ndërtimin e shtetit dhe ruajtjen territoriale”, theksoi ai. Hertica shtoi se e njëjta gjendje do të ndodhë edhe me demarkimin me Serbinë, sepse Kosova është e mbuluar me politikanë mashtrues që nuk skuqen fare nga mashtrimet.

Image
Arsim Haziri

Haziri: Mendësi klanore

Analisti Arsim Haziri theksoi se opozita e mëhershme, përjashto Lëvizjen VETËVENDOSJE!, protestimin kundër rrudhjes së territorit, por e kishte pasur vetëm si mashtrim qytetar, realisht e kundërshtonte versionin ku parashihej ngushtimi i hapësirës tokësore të Kosovës.

“Dhe, duke gjetur kjo kauzë mbështetje partiake e qytetare, AAK-ja arriti të konsolidojë pozicionin e saj brenda koalicionit parazgjedhor, saktësisht pozicioni i kryeministrit aty u jetësua. Territori i Kosovës gjithnjë është rrudhur, ky ka qenë derivat i politikës së dobët dhe jokonsoliduese për stabilitetin e brendshëm, dhe nëse eventualisht kërkohet një demarkim me Serbinë, që konsideroj se do të bëhet, atëherë si shtet sërish do të pësojmë gjeografikisht.

Mbase është e njëjta gjeneratë dhe e njëjta mendësi, që për interesa të tyre klanore, madje edhe të sëmura, janë të gjendje të sakrifikojnë gjithçka. Në rrafsh ndërkombëtar, shtetet e vogla gjithnjë janë shndërruar në apetite të shteteve të mëdha”, ka theksuar Haziri për gazetën “Kosova Sot”. Sipas tij, situatës së pafavorshme me Serbinë do të mund t'i ndërpritej jetësimi i ndarjes, nëse vendi do të kishte pasur një qeverisje tjetër, ku prona publike do të konsiderohej si diçka e shenjtë, diçka e paprekshme, dhe në rast cenimi do të mund të zgjonte fuqishëm aparatin shtetëror.

Image
Shefik Shkodra

Shkodra:Toka që e rrëmbeu Mali i Zi nuk i kthehet Kosovës kurrë më

“Partitë në opozitë kthehen në pozitë, por atë që e kanë thënë dje, sot e mohojnë ose e heshtin. Kjo do të thotë se, nuk paskan pasur të drejtë, apo kur u bie mirë për veti çdo gjë fshihet në memorien e tyre. Një opozitë që dje ishte me zërin kundërshtues për çfarëdo rasti, e edhe për demarkacionin me Malin e Zi, sot është në pozitë, por demarkacioni është kryer në favor të M. Zi, dhe kjo tokë nuk i kthehet Kosovës kurrë më.

Prandaj, me vetëdije edhe heshtet nga institucionet e Kosovës. Kështu është e mundur, në moment që bëjnë pazarin edhe me Serbinë. Të flitet e shkruhet disa kohë nëpër media, pastaj pas një tjetër afere, që në disa media me porosi e rrisin problemin dhe e bëjnë 'mizën buall', atëherë edhe për kufirin me Serbinë pak kohë do t'i mbetet për t'u diskutuar. Gradualisht do të harrohet si shumë çështje të tjera”, theksoi analisti Shefik Shkodra për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)