Shakaja me “Volkswagen”- in, për të mbuluar dështimet në ekonomi

  • 18 April 2019 - 08:05
Shakaja me “Volkswagen”- in, për të mbuluar dështimet në ekonomi

Krasniqi: Një kompani gjigante si “Volkswagen” nuk është çmendur të vijë të investojë miliarda në një vend të korruptuar politikisht

“Ardhja e “Volkswagen”-it në Kosovë më shumë do të jetë lajm që do të përfitojnë portalet sesa një lajm i vërtetë. Kosova është njëra ndër vendet më të papërshtatshme për të tërhequr investitorët e huaj, jo për nga strategjia gjeografike, por nga ajo politike dhe sigurisht që pas luftës shumë kompani kanë qenë të interesuara që të investojnë në Kosovë, por këtë ua ka pamundësuar mjerimi politik i pushtetarëve”, thotë analisti Driton Gashi për gazetën “Kosova Sot”

Qeveria ‘Haradinaj” po luan me fjalë të mëdha rreth ekonomisë ku përmendet ardhja e “Volkswagen”-it në Kosovë, por analistët thonë se ky pushtet dhe pushtetet paraprake nuk krijuan kushtet për ardhjen e gjigantëve ekonomikë, pasi investimet kushtëzoheshin me “talle e ryshfete”.

Sipas tyre, deri më sot shumë fabrikave që kanë qenë të interesuara të investojnë në Kosovë u është kërkuar hise kriminale dhe në këtë mënyrë frenohen investitorët. Gjithashtu, sipas tyre, diplomacia jonë ekonomike ka dështuar tërësisht për të pasur sot gjigantët industrialë që po shkojnë në vendet e rajonit përreth nesh.

Image
Driton Gashi

Qeveria sheh ëndrra në diell

Analisti Driton Gashi theksoi për gazetën “Kosova Sot” se ardhja e “Volkswagen”-it në Kosovë më shumë do të jetë lajm që do të përfitojnë portalet sesa një lajm i vërtetë. “Kosova është njëra ndër vendet më të papërshtatshme për të tërhequr investitorët e huaj, jo për nga strategjia gjeografike, por nga ajo politike dhe sigurisht që pas luftës shumë kompani kanë qenë të interesuara që të investojnë në Kosovë, por këtë ua ka pamundësuar mjerimi politik i pushtetarëve, - ku nuk u ka interesuara asgjë vetëm që të arrijnë t’i kushtëzojnë këto kompani me marrje të ryshfeteve.

Prandaj, sot për sot, nuk besoj që ndonjë kompani e huaj ka leverdi që të vijë në Kosovë, të investojë, sepse gjithmonë në pyetje është siguria. Prandaj, ardhja e gjigantit “Volkswagen” mendoj që është një ëndërr e parealizuara e qeveritarëve, të cilët po shohin ëndrra në diell, - sidomos në këtë fluks ikjesh të qytetarëve nga këtu”, është shprehur Gashi.

Image
Grapci

Analisti Dardan Grapci u shpreh për “Kosova Sot” se Qeveria “Haradinaj” duhet të rrëzohet deri në shtator të këtij viti, duke e ditur që jo vetëm “Volkswagen” si kompani, por edhe shumë kompani të tjera kanë qenë të interesuara që të investojnë në Kosovë, ku shumë qytetarë të punësohen dhe ta kenë një jetë sa më të mirë, por pushtetarët që sot i kemi në Qeveri dhe duke kërkuar haraç, i kanë

larguar këto kompani nga Kosova, ku qytetarëve u kanë humbur shpresat për të punuar dhe për të jetuar në Kosovë. “Mos të harrojmë që më 4 prill 2019 ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, i pati dërguar letër kompanisë (“Volkswagen”) për të investuar në Kosovë, por pas disa ditësh kompania iu pati përgjigjur ministrit Endrit Shala se nuk janë të gatshëm për të investuar njëherë as në Kosovë e as në Serbi. Shpresoj që një ditë këta qeveritarë të kuptojnë se nuk bën të luhet me jetët e qytetarëve, përndryshe personat që do të jetojnë në Kosovë do të jenë vetë këta që e kanë shkatërruar këtë vend”, theksoi Grapci.

Image
Nexhat Haziti

Pa sundim të ligjit nuk vijnë investitorët

Analisti Nexhat Haziri u shpreh për “Kosova Sot” se kjo Qeveri nuk ka një program zhvillimor ekonomik të vendit dhe e tëra çfarë mundohet të bëjë është që të gënjejë qytetarët gjoja për ardhjen e investitorëve të huaj për investime në Kosovë.

“Nuk ka asnjë ardhje e asnjë interesimi të investitorëve kredibilë të huaj, për shkak të gjendjes së krijuar në vend, sidomos në fushën e sundimit të ligjit, jostabilitetit politik, mungesa e sigurisë për investime, krimit të organizuar dhe korrupsionit që kap nivelet më të larta të shtetit, gjë që kanë bërë po ashtu që Kosova edhe në rrafshin ndërkombëtar të ketë një imazh negativ. Pra, çdo investitor kërkon parametrat e një normaliteti dhe funksionimi të ligjit, gjë që kjo Qeveri, që sundon në mënyrë mafioze, nuk mund t’i afrojë as një të interesuari për investime, pra as kompanisë “Volkswagen”. Dhe, deklaratat që vijnë nga ndërtesa e Qeverisë, se gjoja kompania “Volkswagen” po vjen të investojë në Kosovë janë gënjeshtra dhe manipulim me opinionin në tentimin e tyre për të fshehur dështimet në zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës dhe për të sjellë një perspektivë për vendin”, theksoi analisti Haziri.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi: Ambasadorët e konsujt gjysmë-analfabetë

“Në këtë kohë ku kemi ikje të të rinjve me viza pune drejt shteteve të Perëndimit, këta propagandojnë për gjoja ardhjen e një gjiganti të automobilave si “Volkswagen”. Është turp të bëhen lojëra të tilla, lojëra të pista me të rinjtë e pashpresë të Kosovës.

Një kompani gjigante si “Volkswagen” nuk është çmendur të vijë të investojë miliarda në një vend të korruptuar politikisht. Çfarë ka bërë diplomacia jonë ekonomike për të sjellë investitorë të huaj në Kosovë? Nga tipa të ambasadorëve dhe konsujve gjysmë-analfabet s'mund të presim investime të huaja. Ata nuk dinë gjë tjetër, përveç të prodhojnë skandale nëpër shtetet ku shërbejnë. Janë pjellë e kësaj politike kriminale dhe mafioze, që kanë uzurpuar çdo pore të shtetit”, theksoi analisti Faik Krasniqi për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)