Tentoi të përdhunonte 13-vjeçaren, banorët bëjnë për spital kanadezin. Dëshmia e tij në polici: Unë doja…

  • 18 April 2019 - 12:40
Tentoi të përdhunonte 13-vjeçaren, banorët bëjnë për spital kanadezin. Dëshmia e tij në polici: Unë doja…

Tentoi të përdhunonte një vajzë të mitur në zonën e plazhit në Durrës, banorët bëjnë për spital turistin nga Kanadaja.

Një ngjarje me pasoja të rënda për një vajzë 13-vjeçare është parandaluar nga disa kalimtarë të rastësishëm.

Bëhet fjalë për një turiste nga Hungaria, që kishte ardhur për pushime bashkë me familjen në Durrës, e cila ka shpëtuar nga tentativa për përdhunim nga një tjetër turist nga Kanadaja. 50-vjeçari kanadez, Robert Hedorson, mësohet se ka tentuar që ta çojë me forcë në apartamentin që kishte marrë me qira në zonën pranë bregdetit.

Ngjarja ka ndodhur mesditën e së mërkurës në zonën e plazhit në Durrës, në lagjen Nr. 13 të qytetit bregdetar. Policia e Durrësit, e cila ndërhyri në kohë, arriti të ndalonte 50-vjeçarin nga Kanadaja, cili prej disa ditësh ndodhej në Durrës me pushime.

Burime thanë për gazetën se përpjekja për ta përdhunuar vajzën e mitur, e cila gjithashtu ndodhej me pushime me familjen e saj (shtetase hungareze), ka zgjatuar vetëm disa çaste, pasi ka qenë vetë 13-vjecarja që ka kërkuar ndihmë në momentin që kuptoi se 50-vjecari kishte qëllime të tjera.

Mësohet se shtetasi i ndaluar tashmë i kishte kërkuar vajzës t’i tregonte se ku ndodhej vendi që ai do të shkonte, duke qenë se ajo dinte të fliste anglisht. Pasi qëndruan për disa minuta bashkë, ai i kishte kërkuar ta shoqëronte deri tek një apartament, sepse druante se mund të humbte rrugën. Me shumë mirësjellje, vajza 13-vjeçare e ka shoqëruar deri pranë apartamentit që ndodhet në një nga pallatet e zonës së plazhit të Durrësit.

Turisti Robert Hedorson në spital

Por, në momentin që kishin mbërritur pranë këtij pallati (që është edhe zonë disi e fshehur), 50- vjeçari Robert Hedorson i ka kërkuar ta shoqëronte deri tek apartamenti. Në momentin që vajza ka refuzuar të ngjitej bashkë me 50-vjeçari në apartament, ai e ka kapur për dore duke përdorur forcë për ta futur në hyrjen e pallatit.

Në këtë moment, vajza ka bërtitur duke kërkuar ndihmë. Për fatin e saj të mirë, aty pranë ndodheshin disa banorë të zonës, të cilët janë afruar për t’i dhënë ndihmë vajzës së mitur. Ndërkohë, nga ana tjetër, 50-vjeçari ka tentuar të largohej me shpejtësi.

Banorët, të shumtë në numër, e kanë kapur dhe më pas kanë ushtruar dhunë mbi turistin kanadez. Më pas, ata lajmëruan Policinë, e cila në pak minuta bëri të mundur ndalimin e 50-vjeçarit, i cili më pas u mor në pyetje në Komisariatin e Policisë Durrës.

Image

Policia ka vënë në dijeni edhe ambasadën kanadeze, me qëllim marrjen e informacioneve rreth personalitetit dhe së shkuarës së tij, detaje që do të ndihmojnë në hetimin e rrethanave të ngjarjes pasi turisti pretendon se nuk ka kryer asnjë veprim kundër vullnetit të vajzës së mitur.

Gjithashtu, Policia ka sekuestruar dhe kamerat e sigurisë në zonën pranë pallatit për të parë nëse janë regjistruar veprimet e kryera nga 50-vjeçari ndaj vajzës nga Hungaria.

Ndërkohë, pas prangosjes, turisti kanadez u dërgua për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Durrësit për shkak të dëmtimeve që iu shkaktuan nga goditjen e banorëve të zonës, të cilët ndërhynë pas të bërtiturave të vajzës së mitur.

50-vjeçari: Veprimi im u keqkuptua

Turisti kanadez, Robert Hedorson, gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit, ka mohuar të ketë tentuar të përdhunojë vajzën e mitur, duke deklaruar se 13-vjeçarja e ka keqkuptuar, pasi me veprimet e tij nuk kishte për qëllim ta përdhunonte. “Nuk është absolutisht e vërtetë. Unë i kërkova të më shoqëronte dhe në momentin që mbërrita në destinacion, e falënderova duke e përqafuar. Ky gjest u keqkuptua nga vajza dhe bërtiti duke kërkuar ndihmë. Kjo është e gjitha. Në momentin që vajza bërtiti, u afruan disa qytetarë dhe më goditën”, mësohet të jetë shprehur ndër të tjera 50-vjeçari, Hedorson. Ndërkohë, vajza nga Hungaria është marrë gjithashtu në pyetje në prani edhe të një psikologu. Ajo ka pohuar se 50-vjeçari ka tentuar ta fuste forcërisht në apartamentin që kishte marrë me qira në zonën e plazhit në Durrës. Mësohet se shtetasi kanadez qëndronte prej disa kohësh në qytetin e Durrësit për pushime.

(Kosova Sot)