Kulla dhe Çakorri, ‘goditje’ për Haradinajn: Ja pse ua fali tokat malazezëve

  • 18 prill 2019 - 17:15
Kulla dhe Çakorri, ‘goditje’ për Haradinajn: Ja pse ua fali tokat malazezëve

Kulla e Çakorri brenda Kosovës? Ky ishte vetëm një mashtrim i pushtetarëve, pasi në fakt kufiri nuk do të kthehet aty ku ish-opozita protestonte dikur e që sot një pjesë e saj është ne pushtet. Sipas analistëve, kjo opozitë vajtonte që marrëveshja me Malin e Zi ia merr Kosovës 8 mije hektarë, gjë që tani kur janë në pushtet e harruan këtë punë si një kauzë të rrejshme.

Analistët thonë se a do të na mashtrojnë këta pushtetarë edhe për demarkacionin me Serbinë, ku sërish do të tkurret Kosova me këta politikanë mashtrues e gënjeshtarë.

Analisti Ali Hertica theksoi për gazetën "Kosova Sot" se Komisioni "Meha", në kohën sa ishte Hashim Thaçi, doli me defekt, e zhvendosi kufirin nga Çakorri dhe Kulla për gjashtë kilometra në brendi të Kosovës.

Image
Ali Hertica

"Shpërtheu revolta së pari nga partitë opozitare, por pati edhe revolta nga qytetarët e Kosovës e, më së shumti nga ata të zonës së Rugovës, doli që ky Komision po ia humbte nja 8200 hektarë Kosovës. Kështu demarkacioni hyri përsëri në qorrsokak, u falën toka malazezëve për kolltukë. Dhe u ndez edhe Kuvendi i Kosovës nga opozita për ta ndaluar miratimin e kësaj Marrëveshje në Kuvend, por edhe ajo në fund u dorëzua si Don Kishoti. Qeveria "Thaçi" e pastaj edhe ajo "Mustafa" formuan edhe dy komisione sa për sy e faqe, por demarkacioni nuk kaloi dhe me këtë erdhi si "shpëtimtar" Haradinaj duke u thirrur në amanetin e të parëve, por në fund ai vetë e ia fali Çakorrin e thoshte se kinse do të rikthehet në shqyrtim që kurrë nuk do të ndodhë kjo",theksoi Hertica.

Sipas tij, askush nga këta "patriotë" nuk po merret me rishikimin e kufirit me Malin e Zi, sepse atë e vulosi opozita e dikurshme e shndërruar në pozitë, ku harruan kauzën e tyre. "Kjo klasë politike nuk u kujdes për ndërtimin e shtetit, por për mbushjen e xhepave të tyre. Kështu që kjo kastë politike shumë shpejt u korruptua, duke vjedhur çdo gjë që u vinte ndorësh, sepse prioritet e kanë pushtetin dhe jo ndërtimin e shtetit dhe ruajtjen territoriale", theksoi ai. 

Hertica shtoi se e njëjta gjendje do të ndodhë edhe me demarkimin me Serbinë, sepse Kosova është e mbuluar me politikanë mashtrues që nuk skuqen fare nga mashtrimet.