Grabitja në Rinas, autorët harruan celularin në makinë dhe...

  • 18 April 2019 - 18:11
Grabitja në Rinas, autorët harruan celularin në makinë dhe...

Një celular i gjetur në kroskotin e makinës së loguar “Hetimi Tatimor” mund të çoje hetuesit në zbardhjen e supergrabitjes. 

Deri më tani aparati i vjetër i është nënshtruar disa ekzaminimeve, por për Prokurorinë është mjaft e vështirë në zbardhjen e telefonatave, pasi celulari është model mjaft i vjetër dhe nuk ka të përfshirë sistemin GPRS apo valë, raporton A2 CNN.

Gjithashtu hetuesit dyshojnë se njëri prej personave të armatosur në brendësi të perimetrit të sigurisë është ish- ushtarak.

Nga analizimi i pamjeve filmike hetuesit dyshojnë se njeri prej grabitësve mban armën në mënyrë identike me persona të specializuar si komando.

Për këtë policia së bashku me Prokurorinë kanë zhvilluar disa teste për analizimin e qelizave telefonikë në afërsi të fshatit Dritas, aty ku dhe mendohet se ka qenë pika e fundit ku autorët dogjën makinën me të cilën transportuan paratë.

Hetuesit besojnë se mes grabitësve ka pasur ura komunikimi dhe orari kur u dogj makina në 4 të mëngjesit mund ta lehtësojë punën me qelizat telefonike. 

Nga ana tjetër, të gjitha bankave të nivelit të dytë u janë dërguar shkresa zyrtare për të mësuar shumën e eurove të grabitura, por shifra paraprake bën fjalë për 5.7milionë euro.

Për sa i përket vendngjarjes ku humbi jetën 47 vjeçari Admir Murataj, janë sekuestruar 10 gëzhoja kallashnikovi, ndërsa laboratori shkencor ka konkluduar se plumbi që i mori jetën Muratajt është i forcave të ndërhyrjes së shpejtë.

Edhe pse dyshohet se nuk kishte shkëmbim zjarri  pritet dhe një ekzaminim tjetër pasi dhe grabitësit përdornin të njëjtat armë si të policisë.

(Kosova Sot)