Gjyqtarët e prokurorët e papërgjegjshëm nxitin vetëgjyqësinë

  • 19 April 2019 - 07:50
Gjyqtarët e prokurorët e papërgjegjshëm nxitin vetëgjyqësinë

Drejtësia kosovare, në udhëkryq të rrezikshëm

Mekanizmat ndëshkues, deri tani jofunksionalë

“Mosdisiplinim i gjyqtarëve e prokurorëve do të thotë vetëgjyqësi, antiligjshmëri dhe antishtet dhe guxim mafiozi prej tyre për të bërë çfarë të duan me ligjin, me drejtësinë dhe me shtetin në ‘Emër të Republikës’. Parlamenti në Shqipëri dhe në Kosovë, përveç VETTING-ut, duhet të miratojnë edhe Ligjin për Gjyqtarët”, thotë analisti Skënder Kapiti për “Kosova Sot”

Neglizhenca në gjykata e prokurori mbetet e pandëshkueshme edhe më tej. Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, tha se njëra prej çështjeve që është diskutuar është edhe disiplinimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Por, si mund të disiplinohen prokurorët e gjyqtarët dhe pse askush nuk e kontrollon cilësinë e punës së tyre, ndërsa mungojnë masat ndaj prokurorëve e gjyqtarëve për shkelje të detyrave të punës. Edhe pse i shkelin ligjet me të dyja këmbët si gjyqtarët, ashtu edhe prokurorët, mungon llogaridhënia. 

Politika vazhdon të ushtrojë një ndikim të fortë në proceset gjyqësore, sipas analistëve të këtij sektori. Gazeta ka kërkuar shpjegime edhe nga KGJK-ja, KPK-ja dhe ZPD-ja, por asnjëri nga këta mekanizma mbikëqyrës të drejtësisë nuk është përgjigjur për gazetën “Kosova Sot”.

Kriteret janë, në praktikë shkelen

Image
Riza Smaka

“Ekzistojnë kritere e normativa për normimin objektiv të punëve dhe detyrave të punëve të funksionarëve të Sistemit të Drejtësisë si dhe për vlerësimin e sasisë dhe cilësisë së ushtrimit të tyre, por të njëjtat duhet të aplikohen në praktikë që deri tani rezulton se nuk është praktikuar. Po ashtu, ekzistojnë praktika të mira për valorizimin e postulateve referuar përgjegjësisë morale e juridike si dhe të efikasitetit dhe efiçiencës gjatë kryerjeve të funksioneve të titullarëve të judikaturës me atë që mbetet të implementohen praktikisht e rregullisht. Gjithsesi ato kritere dhe normativa duhet dhe mund të aplikohen në të gjitha rastet individuale e institucionet. Për këtu kërkohet vullneti politik i mirë dhe përkushtimi i sinqertë për aplikimin e ligjit në fuqi. Në funksion të këtij postulati relevant kërkohet angazhimi i plotë i legjislativit në segmentin e autorizimeve Checs and Balances”, shpjegoi për “Kosova Sot”, analisti Riza Smaka. 

Image
Hasan Preteni

Preteni: Të disiplinohen prokurorët e gjyqtarët

Analisti Hasan Preteni tha se Këshilli Prokurorial mund të zotohet për disiplinimin e vetëm të prokurorëve, gjyqtarët disiplinohen dhe kontrollohen nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

“Fjala disiplinim mund të përdoret në konotacione të ndryshme, disiplinimi mund të kuptojë edhe detyrimi për të vepruar ashtu siç kërkojnë titullarët. Prokurorët dhe gjyqtarët duhet të "disiplinohen" vetëm duke u kërkuar llogaridhënie. Secili nga ata duhet të japë llogari për punën e vet, për rastet që i trajton dhe për rastet që i fiton. Asnjë prokurorë nuk duhet të hapë një rast nëse nuk është i sigurt se do ta fiton. Hapja e rasteve vetëm për të rritur numrin e rasteve dhe mbyllja e tyre pa asnjë veprim, kjo është lojë me shifra dhe lojë me publikun. Masat e tjera që e rrisin efikasitetin e prokurorive janë edhe moslejimi i punësimeve të shumëfishta, mospërfitimi material nga vendimet joligjore, siç është vendimi i Qeverisë për rritjen e pagave dhe jetësimi real i meritokracisë. Vetëm ata që arrijnë rezultate në punë duhet të avancohen dhe përparojnë. Stimulime të ketë vetëm për ata që arrijnë të ndalojnë dhe hetojnë raste ku buxheti i vendit dëmtohet skajshmërisht. Ka edhe shumë metoda të tjera, të cilat nuk janë të panjohura për prokurorët tanë, e dinë ata dhe i kanë parë gjatë vizitave të shumta që ua bëjnë homologëve gjithandej. Të merren praktikat e mira nga e gjithë bota, duke filluar nga Kroacia e Maqedonia. Nuk është vështirë të jetë i suksesshme, duhet të ketë vullnet dhe kaq. Të instalohet transparenca dhe llogaridhënia,kaq”, tha Preteni për “Kosova Sot”. 

Mungesa e disiplinës favorizon korrupsionin

Image
Skënder Kapiti

Analisti Skënder Kapiti vlerëson se disiplinimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve në Kosove bëhet vetëm kur drejtësia në Kosove t'i nënshtrohet VETTING-ut.

“Përderisa paska nevojë për disiplinim të tyre, atëherë çfarë kuptohet me padisiplinim të tyre? Mosdisiplinim i gjyqtarëve dhe prokurorëve do të thotë korrupsion, krim, papërgjegjshmëri, abuzim, hajni, arrogancë dhe papërgjegjshmëri totale prej tyre. Mosdisiplinim i gjyqtarëve e prokurorëve do të thotë vetëgjyqësi, antiligjshmëri dhe antishtet dhe guxim mafiozi prej tyre për të bërë çfarë të duan me ligjin, me drejtësinë dhe me shtetin në ‘Emër të Republikës". Parlamenti në Shqipëri dhe në Kosovë, përveç VETTING-ut duhet të miratojnë edhe Ligjin për Gjyqtarët, të cilët përderisa drejtojnë dhe qeverisin me ligjin, ata duhet të jenë të parët që duhet ta zbatojnë vetë ligjin, përderisa ata janë autorët dhe zbatuesit e ligjit, dhe përderisa kanë të drejtën e vendimmarrjeve për ndëshkimin e krimeve dhe korrupsionit, ata së pari duhen ndëshkuar ashpër kur bëjnë vetë krimin dhe korrupsionin, antiligjin dhe padrejtësinë”, u shpreh Kapiti.

“Edhe moralisht ndëshkimi që u duhet bërë gjyqtarëve për abuzimin që ata bëjnë me ligjet, ndëshkimi kundër tyre është edhe moralisht i justifikueshëm që të jetë akoma më i rëndë sesa për shkelësit e ligjit nga qytetaret e thjeshtë, të cilët edhe nuk e njohin mirë botën e ligjeve. Vetëm kështu disiplinohen gjyqtarët e prokurorët,pasi vetëm kështu ata e njohin frikën dhe vetëm ligji i detyron ata që të disiplinohen, sepse mëkatarët më të mëdhenj janë ata, pra gjyqtarët e prokurorët të cilët shkelin ligjin, bëjnë krimin gjyqësor dhe krimin e korrupsionit, krimin publik dhe atë shtetëror, duke abuzuar rëndë me drejtësinë dhe me pushtetin e gjyqtarit e prokurorit”, potencoi Kapiti për “Kosova Sot”.

Krerët e shtetit abuzojnë

Image
Naim Miftari

“Bahri Hyseni, kryesuesi i Këshillit Prokurorial, ky i lartcekuri si shumë Lumeza, Hoxha, Millaka, Hajdara,Kalludrana ...e shumë zyrtarë të tjerë janë të vendosur në ato poste me rëndësi nga krimi i organizuar vetëm për ta mbrojtur mafinë politike të Kosovës. Atëherë për çfarë këshillash e prokurorish e gjykatash jemi duke folur në Kosovë? Nuk ka askush përgjegjësi zyrtare, sidomos gjyqtarët,hetuesit prokurorë, politikanët, deputetët, ministrat, kryetari, kryeministri kryeparlamentari nuk kanë përgjegjësi para ligjit, prandaj nuk mbajnë përgjegjësi as prokurorët e zyrtarët e tjerë të korruptuar”, u shpreh Naim Miftari për “Kosova Sot” .

Dekriminalizimi i domosdoshëm

Image
Naim Kelmendi

“De fakto nuk mund të ketë luftë kundër korrupsionit, e as krimit të organizuar, as kundër asnjë lloj i kriminalitetit në këtë vend pa pasur një pastrim të sistemit të drejtësisë. Pa shkundjen e plotë të këtij sistemi nuk do të rritet besimi në drejtësinë kosovare, nuk do të hapet rruga e integrimeve, e as nuk do të ketë ekonomi të shëndoshë. Në pozitat e gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të vendosen vetëm ata që janë meritorë në këtë sistem dhe t’ua lënë vendin atyre që duan të punojnë me profesionalizëm për këtë vend dhe për këtë popull. Në të vërtetë do të duhej të nisë dekriminalizimi së pari në institucionet e drejtësisë , në prokurori e gjykata, e pastaj edhe në institucionet e tjera të shtetit, sepse vetëm një prokurori e pastruar nga të inkriminuarit dhe e fortë mund të pastrojë e të largojë të inkriminuarit e tjerë në institucionet e tjera të shtetit, bile edhe në gjykatat e Kosovës. Pa pastrimin e sistemit të drejtësisë përmes një VETTING-u serioz nuk mund të ketë sundim të ligjit e rendit dhe as perspektivë për qytetarët e pashpresë dhe Kosovën e kapur, të ngulfatur e të nëpërkëmbur nga mafio-politikanë e mafio-oligarkë të bizneseve të kundërligjshme, të cilët janë bërë bashkë për të zhvatur e për të plaçkitur edhe atë që ka mbetur ende nëpër këmbët e duart e tyre”, tha Naim Kelmendi për “Kosova Sot”. 

Gjyqtarët lënë për të dëshiruar

Image
Gent Gjini

Avokati Gent Gjini vlerëson se perfomanca, efiçenca dhe puna e gjyqtarëve dhe prokurorëve është njëra prej problematikave kryesore, për të parë dhe për të vlerësuar punën tyre, e sidomos për të vlerësuar faktin, se deri më tani a ka pasur raste të procedimeve disiplinore, të rasteve ndaj vetë gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe si janë përfunduar ato.

“Padyshim se monitorimi do t’i ndihmonte vetë sistemit dhe reformës dhe perceptimit të qytetarëve, për të vlerësuar se ka mekanizma se kush e vlerëson punën e tyre, dhe performancën e tyre, por fatkeqësisht kjo mbetet njëra prej dëshirave që pritet për t’u realizuar. Nga konferencat për shtyp,të gjithë mund të dimë, se sistemi i drejtësisë mbetet sfidë për t’u reformuar dhe janë pikërisht rastet nga praktika në punën e tyre, se sa aktakuza janë përfunduar me aktgjykime të formës së prerë dhe si janë përfunduar ato, dhe sa kanë qenë të bazuara aktgjykimet nga ana e gjyqtarëve, pra gjithmonë flas për rastet dhe dukuritë e korrupsionit dhe krimit të organizuar të profileve të larta publike”, u shpreh ai.

“Me këtë lirisht mund të konstatojmë se sa i përket kuantitetit, në procedimin e lëndëve për “luftimin” e korrupsionit kemi përparime sa të dëshirojmë, por tek kualiteti se si janë përfunduar ato çështje, dhe sa e ka arritur dënimi qëllimin e vet kemi rezultate mjaft të dobëta. Unë mendoj se me demagogji të konferencave për shtyp nuk mund të arrijmë suksese të tilla, pa pasur rezultat-ndëshkim dhe plan të veprimit”, ka vlerësuar Gjini për “Kosova Sot”. Sipas tij, në shumicën e lëndëve disponimi dhe vullneti i punës së disa gjyqtarëve dhe prokurorëve bazohen vetëm në marrëveshjen e pranimit të fajësisë dhe mundohet në këtë mënyrë të përfundohen lëndët dhe të shkarkohen nga përgjegjësia e punës së tyre.

(Kosova Sot)