Kriza politike/ Oferta e Ramës: Me Bashën, gati të bëjmë një ‘pit-stop’

  • 19 April 2019 - 08:27
Kriza politike/ Oferta e Ramës: Me Bashën, gati të bëjmë një ‘pit-stop’

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Kuvend, deklaroi se PS do t’i fitojë zgjedhjet, pasi përballë tyre s’ka alternativë.

Duke folur për mundësinë e dialoguar me opozitën, Rama, përmes ironisë, foli për dy parti demokratike, njëra, Partia Demokratike rrugore, e cila dogji mandatet dhe tjetra Partia Demokratike parlamentare, me deputetët që zëvendësuan mandatet e djegura. Rama theksoi se me PD-në është i gatshëm për të diskutuar, por jo për t’u konfrontuar.

“Të vijnë si vëzhgues në zgjedhje ata të ikurit, pasi kemi një PD parlamentare dhe një rrugore. Me ata rrugorët jemi gati të diskutojmë në një pit stop, por s’mund të dalim në rrugë në një garë kush hedh më shumë kapsolla”, tha Rama.

Në vijim të fjalës së tij, kreu i qeverisë tha se qeveria nuk do të rrëzohet dhe se PS do të fitojë zgjedhjet vendore. 

“Qeverisë nuk kanë ç’t’i bëjnë, nuk e ndryshojnë dot me kapsolla apo duke kënduar stonate. Nuk e ndryshojnë dot duke kërcënuar e shantazhuar, penguar e bllokuar, s’kanë se si, edhe sikur të arrijnë të futen këtu e të këndojnë këngë patriotike. Parlamenti është mishërim i sovranit me votë. Te 140 vetë, është populli sovran i përfaqësuar. Nëse s’kanë ç’i bëjnë qeverisë, kanë shumë ç’i bëjnë, për keq, Shqipërisë në rrugën e zhvillimit, shqiptarëve si njerëz, si prindër, si njerëz që punojnë e studiojnë. Dëmtohet gjithkush, përveç atyre që janë turistikë politikë. Këtu është e rëndësishme ta dëgjojnë të gjithë, kjo nuk varet nga ne. Ç’varet nga ne, jemi përpjekur ta bëjmë e do e bëjmë edhe më mirë, për t’i dhënë edhe më shumë garanci, por ky Parlament vjen nga zgjedhjet më të pakontestuara të pluralizmit. Janë të parat, ku Kolegji Elektoral nuk ka trajtuar asnjë çështje, është hera e parë që kontestohen një vit e gjysmë me vonesë. Pse? Sepse zgjedhjet e tjera janë në prag dhe kanë po atë përfundim. Do humbasin ata që s’kanë çfarë i ofrojnë njerëzve, veç sharjeve kapsollave akuzave, asgjë tjetër. PD ka qenë gjithmonë kundërshtare e jona, por ky refuzimi me firmë i mandatit për të përfaqësuar atë që të ka besuar ty të shkosh në Parlament, është diçka e re edhe për vetë PD-në, s’e pranon askush. Ne s’kemi asnjë rrugë veçse të vijojmë drejt e të fitojmë sfidat tona. Sfidë nuk janë zgjedhjet, i kemi fituar e do fitojmë për sa kohë s’do ketë një alternativë, sfidat tona janë të mëdha, pasi duhet të mbrojmë pozicionet që Shqipëria ka fituar ndërkohë”, tha Rama.

HOLANDA

Kreu i qeverisë doli në foltoren e Kuvendit për të diskutuar edhe për vendimin e marrë nga Parlamenti holandez, i cili i kërkon qeverisë së tij që të ndërmarrë hapat për rikthimin e vizave për shqiptarët. Sipas Ramës, ky ishte një vendim për konsum politik të brendshëm dhe se qeveria shqiptare nuk ka se çfarë të bëjë. Kreu i qeverisë tha gjithashtu se, pavarësisht vendimit të Parlamentit holandez, nuk do të pengohet lëvizja e lirë për shqiptarët. 

“Është një procedurë parlamentare, e cila s’ka asnjë implikim të drejtpërdrejtë në lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Të gjithë duhet ta kenë parasysh se për revokimin e lëvizjes së lirë duhet të përmbushen disa kritere objektive, asnjëra prej të cilave nuk përkon me faktorin shqiptar në Holandë. Ministri për Drejtësinë dhe Sigurinë e Holandës në fjalën e tij reagoi, duke thënë pikërisht këtë, që s’ka asnjë kriter të përmbushur negativisht për të adresuar këtë problematikë në Kuvendin e tyre. Janë disa kritere teknike, të cilat vlerësohen nga Komisioni Europian dhe pikërisht ky komision ka nënvizuar se Shqipëria i plotëson 100%. Ajo që nuk gëlltitet është festa në Tiranë. Ata të dominuarit nga urrejtja kanë humbur logjikën, kanë humbur disa vlera që politika shqiptare i ka ruajtur instinktivisht, edhe në ditët e saj më të errëta. Kjo është një festë e neveritshme”, tha Rama.

(Kosova Sot)