“Kosova Sot”, denoncuese e zhvatjeve, krimit, korrupsionit dhe padrejtësive

  • 19 April 2019 - 09:18
“Kosova Sot”, denoncuese e zhvatjeve, krimit, korrupsionit dhe padrejtësive

Qytetarët: “Kosova Sot” raporton për mashtruesit e politikës në qeverisjen e vendit, që nuk po shohin përtej interesave të tyre

Qytetarë të vendit dhe përfaqësues të jetës sportive janë shprehur se gazeta “Kosova Sot” është me qytetarin dhe për qytetarin. Ata shtojnë se nuk është e lehtë as tani të mbahet një kurs i pavarur dhe i pandikuar nga politika, por besojnë që gazeta ”Kosova Sot” nuk do ta ndryshojë këtë kurs, se do të jeni një dritare e drejtë dhe e vërtetë e informimit, sidomos duke mos hezituar për të denoncuar dukuritë negative, zhvatjen, krimin dhe korrupsionin

Image
Shefqet Shala
 

Shefqet Shala, qytetar

Unë fillimisht dua ta përgëzoj gazetën “Kosova Sot” për informimin e guximshëm dhe korrekt që po e bën sot për lexuesit e saj. Duke mos hezituar që t’i thotë të bardhës e bardhë dhe të zezës e zezë. Pra, pa asnjë hezitim po i kundërvihet çdo dukurie negative në këtë shtet që po e shohim dhe po e përjetojmë.

Unë jam lexues i rregullt, që nga ditët e para kur ka dalë kjo gazetë, para 20 vjetësh, duke përjashtuar kohën e ndalesës së përkohshme gjatë luftës, prandaj e çmoj lart edhe atë periudhë kohore që ishte ndër më të vështirat, sepse gazeta “Kosova Sot” sillte informacione besnike dhe të plota nga terreni. Ishte gazeta më e guximshme që ka raportuar për krimet serbe në Kosovë, prandaj regjimi serb i Milosheviqit veproi ashtu siç e dimë ne lexuesit dhe qytetarët, që e kemi në kujtesë atë kohë.

E dënoi me para dhe më pastaj ia vuri flakën dhe e bëri shkrumb e hi shtypshkronjën e gazetës. Këtë atak kundër gazetës “Kosova Sot” regjimi i Milosheviqit e bëri pasi që aksionet kundër medieve kishin për qëllim krijimin e territ informativ, për të mos u informuar bota për krimet që po bëheshin në Kosovë kundër një popullatë të pambrojtur e që po përndiqej me qëllim të spastrimit etnik. Më kujtohet si sot kur u botua kalendari me ushtarët e UÇK-së dhe atë kalendar e kemi edhe sot e kësaj dite në kornizë në familjen tonë, e ruaj me kujdesin më të madh dhe me respekt. Uroj që gazeta “Kosova Sot” të mos e ndryshojë këtë qasje kritike që ka në denoncimin e krimit dhe korrupsionit që ia ka zënë frymën zhvillimit të Kosovës, edhe pse kjo qasje dihet që nuk u pëlqen atyre që janë në pushtet, por popullit duhet t’i thuhet e të mos i fshihet e vërteta. Këtë mision deri më tani po e kryen me sukses gazeta “Kosova Sot”.

 
Image
Aziz Kongjeli

Gazeta, halë në sytë e politikanëve

Aziz Kongjeli, qytetar

Përgjigjja është fare e thjeshtë se cila ishte arsyeja që okupatori serb iu kundërvu aq ashpër kësaj gazete para 20 vjetësh. Unë si një nga lexuesit e lagjes detyrohesha aso kohe të dal herët dhe ta siguroj në rrjetin e shitjes këtë gazetë për të mësuar të vërtetën që po ndodhte gjithandej në Kosovë, në ballafaqimin e popullatës me ushtrinë dhe policinë serbe. Pra, gazeta “Kosova Sot” shitej ndër të parat, pasi që ishim mësuar që vetëm prej kësaj gazete të kishim reportazhe të zgjeruara nga zhvillimet në terren. Unë edhe sot e kësaj dite habitem për guximin që tregonin aso kohe gazetarët dhe reporterët, të cilit punonin në këtë medium. Mirëpo, regjimi serb i instaluar në Kosovë nuk e zgjati shumë dhe duke e parë seriozitetin me të cilin po informonte “Kosova Sot”, me ato fotot e masakrave, me dëshmitarët okularë dhe me fjalët e viktimave që po përjetonin dhunën dhe masakrat, vendosi që të bëjë çdo gjë vetëm e vetëm që këtë gazetë të mos e lejojë të botohet. Paralajmërimi serioz ishte ajo gjoba e famshme me qindra-mijëra marka, por nuk u ndal me kaq. Më kujtohet si sot lajmi që u përhap të nesërmen, pas bombardimeve të NATO-s, e që u tha se ishte djegur shtypshkronja e gazetës “Kosova Sot”. Nuk kishte rrugë tjetër okupatori serb për ta pamundësuar depërtimin e së vërtetës për krimet serbe në opinionin e gjerë ndërkombëtar.

Për mua gazeta “Kosova Sot” vazhdon të jetë një medium, të cilit ia kushtoj një pjesë të madhe të kohës edhe sot për ta lexuar në kopjen fizike, sepse atë guximin e raportimit në kushte lufte po e ruan edhe sot, duke insistuar që të jetë e para për të denoncuar të gjitha fenomenet e dëmshme që e pengojnë zhvillimin e venit. Posaçërisht dua të veçoj angazhimin për sundimin e ligjit, luftimin e krimit dhe korrupsionit dhe të lidhjeve të krimit me politikën. Pra, edhe sot kjo gazetë po e raporton realitetin, sado që politikës aktuale mund të mos i pëlqejë dhe për këtë gazeta edhe mund të jetë halë në sy edhe ndaj kësaj politike që nuk është akoma në funksion të qytetarit, por të grupeve të caktuara të interesit.

Ju uroj për guximin dhe uroj ta vazhdoni këtë, sepse ne qytetarët duam të informohemi dhe jo të mashtrohemi e të dezinformohemi me shpresa të rreme e premtime që nuk po realizohen nga mashtruesit e politikës në qeverisjen e vendit që nuk po shohin përtej interesave të tyre dhe lakmisë për tu pasuruar në kurriz të qytetarit.

Një qiri në errësirën e madhe

Image
Gani Gashi
 

Gani Gashi, qytetar

Gazeta “Kosova Sot”, për mendimin tim, u ndoq aq ashpër nga regjimi serb në kohën e kuptimit pasi që pati një rol shumë serioz në informimin e opinionit, pikërisht në kohën kur regjimi na la pa radio dhe pa TV, e që i instaloi mediet e veta elektronike me komandën qendrore fashiste në Beograd, me do shqipfolës, të cilët ia bënin argatin regjimit të krimit.

E gazeta “Kosova Sot” dekonspiroi gënjeshtrën e atij regjimi duke sjell informatat e vërteta për tmerrin që po ushtronte regjimi mbi popullatën e pambrojtur, e që në plot raste kjo popullatë masakrohej në arsyetimin se ishin përballje të ushtrisë dhe policisë serbe me ushtarët e UÇK-së. Gazeta “Kosova Sot” printe në raportimin e kësaj gjendje, prandaj edhe reagimi ishte aq i ashpër nga ana e formacioneve kriminale. Sigurisht që duke sulmuar dhe duke shkatërruar shtypshkronjën, djegur rrafsh me tokë, ishte një humbje e madhe jo vetëm për gazetën “Kosova Sot”, por edhe për të gjithë ata që shërbeheshin me informacionet e kësaj gazete, sepse regjimit i konvenonte pikërisht krijimi i territ informativ.

Mirëpo dihet se ndodhi e çka ndodhi, regjimi nuk pati shumë kohë të merret me vazhdimin e krimit, pasi që erdhën aleatët tanë të NATO-s dhe Kosova shpejt u çlirua, kurse kjo gazetë rilindi përsëri si një feniks, erdhi si një qiri në errësirën e madhe edhe tani po vazhdon përsëri në një situatë të re për ta dhënë kontributin e saj në formimin e shtetit, përmes informimit të drejtë. Nuk ka mision më të shenjtë në këtë profesion sesa të japësh atë që është e vërtetë për lexuesin, për qytetarin, dhe këtë mision po e vazhdon me guxim “Kosova Sot”, sado që ka sinjale të qarta që politikës nuk i konvenojnë raportimet e pacensuruara, sidomos kur denoncohet krimi dhe korrupsioni në institucione.

Unë ju admiroj për punën që bëni si gazetë në këtë fushë dhe ju uroj që të mos ndaleni, por të jeni zë i ngritur në vazhdimësi, në mbështetjen e problemeve të qytetarëve. Me qytetarin dhe për qytetarin. E di që nuk është e lehtë as tani të mbahet një kurs i pavarur dhe i pandikuar nga politika, por dua të besoj që gazeta ”Kosova Sot” nuk do ta ndryshojë këtë kurs, se do të jeni një dritare e drejtë dhe e vërtetë informimit, sidomos duke mos hezituar për të denoncuar dukurive negative, zhvatjen, krimin dhe korrupsionin, padrejtësitë që i bëhen qytetarit të thjeshtë nga grupet e instaluara të interesit nëpër institucione, sidomos me mosfunksionimin e shtetit ligjor.

Image
Arbnor Morina

Sportistët: “Kosova Sot”, zë i fuqishëm i realitetit

Arbnor Morina, trajner

Më kujtohet nata kur ka ra bomba e parë dhe një storie me babanë tim të ndjerë, i cili të gjithë familjarëve na tha urime, u krye kjo punë. Them të vërtetën nuk e kuptova e as nuk e pyeta se çfarë deshi të thotë, por pasi përfundojë lufta e luta të më shpjegojë se çfarë deshi të thotë urime.

Përgjigja e tij ishte ‘është vështirë me e fut në luftë Amerikën, por kur futet ajo e çon deri në fund dhe kjo punë mori fund. Gjithsesi, ishin momente frike, por edhe krenarie që edhe ne po e fillojmë rrugëtimin tonë në shtetformim. Gazeta ka qenë shumë e frytshme në të gjitha aspektet e jetës. Ajo sigurisht që ka dhënë kontribut të madh dhe kjo nuk ka pasur si mos të bie në sy të okupatorit, i cili përmes djegies u mundua t’ju shuajë. Fatmirësisht e përballuat dhe edhe sot jeni zë i fuqishëm i realitetit. 24 marsi nuk do të harrohet kurrë ishte një ditë e shpresës për ne dhe ashtu edhe doli. Sot jemi të lirë dhe dita-ditës po e marrim veten.

Morina

Image
Shpetim Babaj

Shpëtim Babaj, menaxher i futbollistëve

Unë e kam përjetuar luftën e Kroacisë, pasi në atë kohë kam jetuar në Kroaci dhe kur nisi lufta në Kosovë e kisha të qartë se çka do të thotë ajo. Muajin e bombardimeve e kam pritur me krenari dhe me shpresë se populli do të shpëtojë. Sa u përket informatave, ka qenë shumë vështirë nga jashtë të kuptojmë çfarë po ndodh, por falë gazetës suaj gjithçka ishte më e lehtë dhe kjo sikur e ka tërbuar okupatorin që e sulmoi këtë medium, i cili fatmirësisht nuk u ndal dhe edhe sot po vazhdon me punë të suksesshme.

Babaj

Image
Robert Gjeraj

Robert Gjeraj, futbollist

Rolin e gazetës “Kosova Sot” para, gjatë dhe pas luftës dhe gjithë këtyre viteve e shoh si ndikimin të madh në informimin e drejtë në kohë të saktë dhe reale për çdo gjë që ka ndodhur në Kosovë. Gazetën e vlerësoj shumë edhe për qëndrimin e durimin që e ka pasur kundër regjimit të kriminelit Milosheviq, ku në çdo mënyrë ka dashur të eliminojë çdo gjë që ka qenë në të mirë të Kosovës.

Gazeta “Kosova Sot” e ka edhe një vlerësim të veçantë prej meje, sepse është një ndër gazetat që ka kontribuar në informimin e sportit, sidomos futbollit në veçanti, që të jemi sa më afër lajmeve të sakta në atë kohë dhe tash, ku edhe mua personalisht më ka përkrahur në çdo aspekt duke më rritur si sportist. Me vjen keq për dëmet që ju janë shkaktuar me shpresë se ajo kurrë më mos të përsëritet.

(Kosova Sot)