Scott ligjëron me harta të Serbisë pa Kosovën, tensione në një shkollë fillore

  • 19 prill 2019 - 12:00
Scott ligjëron me harta të Serbisë pa Kosovën, tensione në një shkollë fillore

Një vizitë e ambasadorit amerikan në Beograd, Kyle Scott, në shkollën fillore ‘Zarko Zrenjanin’, ka nxitur reagime të shumta të prindërve dhe qytetarëve, pasi në ligjëratën që e kishte mbajtur Scott aty kishte prezantuar tri harta të Serbisë të cilat nuk e përfshijnë edhe Kosovën.

Siç shkruan medium serb ‘Srbija Danas’, studentët kur e kanë parë një gjë të tillë janë ngritur dhe kanë thirrur ‘Kosova është Serbi”, ndërkohë ambasadori Scott thuhet se ka ndërruar faqen e  ligjëratës, dhe ka vazhduar ligjërimin sikur asgjë të mos kishte ndodhur.

Përveç nxënësve kjo ligjëratë ishte ndjekur edhe nga drejtori i shkollës dhe disa mësues.

Lidhur me këtë ngjarje ka folur Nebojsha Mediç, njëri prej prindërve. Sipas tij një ngjarje e tillë është një turp

“Unë u zemërova kur djali im më tha se gjatë ligjëratës, Ambasadori amerikan kishte paraqitur tre harta të Serbisë, dhe në asnjërën nuk ishte Kosova. Vetëm kur fëmijët filluar të bërtasin ‘Kosova është Serbi, ai hoqi atë slide të ligjëratës dhe vazhdoi sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Nuk mund ta besoj se kjo po ndodhte në mesin e Serbisë, në mes të shkollës, para drejtorit dhe se do të kalonte pa reagimin dhe protestën e tyre”, ka thënë Mediç i cili ka marrë pjesë në ligjëratë.

Gazeta serbe shkruan se qëndrimi i këtij prindi u mbështet nga qytetarë të tjerë por edhe disa mësuese të cilët protestuan për shkak të hartave të Serbisë pa Kosovë.

Ndërkohë nuk kanë komentuar rreth kësaj çështje nga shkolla fillore “Zharko Zrenjanin”.

(Kosova Sot)