Një ish-komando mori pjesë në grabitjen e Rinasit, drejt identifikimit bashkëpunëtori i Muratajt

  • 19 April 2019 - 12:42
Një ish-komando mori pjesë në grabitjen e Rinasit, drejt identifikimit bashkëpunëtori i Muratajt

Grupi hetimor që po punon për zbardhjen e grabitjes së ndodhur më 9 prill në pistën e Rinasit, është drejt identifikimit të bashkëpunëtorit kryesor të Admir Muratajt, i cili mbeti i vrarë pas ngjarjes.

Nga analizimi i pamjeve filmike dhe një fotografie që është shkrepur nga pasagjerët e avionit, i cili ishte gati për fluturim kur ndodhi grabitja, dyshohet se personi që shfaqet më afër Muratajt, me veprime aktive dhe i armatosur, është një ish-komando. Burimet thanë se veprimet e tij janë të ngjashme me ato të një ushtari profesionist, por gjithashtu edhe mënyra sesi e mban kallashnikovin.

Nga ana tjetër, burimet shtuan se nuk janë vetëm këto arsyet që i kanë shtyrë të dyshojnë për përfshirjen e një ish-ushtari të forcave Komando. 

Sipas tyre, duke bërë një analizë edhe të ngjarjeve të mëparshme, ku autorë të grabitjeve kanë qenë ish-komando, duket se Admir Murataj, i dyshuar si organizator i këtyre ngjarjeve, zgjedh si bashkëpunëtorë personat me përgatitje ushtarake.

Megjithatë, grupi hetimor po verifikon edhe persona të tjerë, ish-të dënuar për grabitje, brenda dhe jashtë vendit, nëse kanë marrë pjesë në ngjarjen e 9 prillit.

HETIMET

Në pamjet filmike dhe fotografitë që disponon Policia e Prokuroria, personi që dyshohet të jetë ish-komando, shfaqet duke mbajtur në dorë, në pozicion qitje, një armë zjarri automatike. Megjithatë, ende nuk është saktësuar nëse ai e ka shkrepur armën gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë. Burimet thanë se vetëm dy prej grabitësve kanë qëlluar me armë zjarri gjatë përballjes me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Kjo është provuar edhe nga analizimi i 10 gëzhojave të kallashnikovit që janë sekuestruar në vendin e ngjarje. Nga ekzaminimi ka rezultuar se gëzhojat u përkasin dy armëve të ndryshme, duke përjashtuar ato të qitura nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, që janë veçuar nga gëzhojat e armëve të grabitësve. Gjatë të shtënave, mbeti i vrarë me një plumb në sy Admir Murataj. Burimet thanë se nuk është bërë e mundur gjetja e predhës, me të cilën është qëlluar për vdekje 47-vjeçari Murataj. 

Nga këqyrja e kufomës është konstatuar vrima hyrëse dhe dalëse e predhës, në pjesën e pasme të kokës. Nga ana tjetër, pas ndërtimit të skemës së ngjarjes, rezultoi se Admir Murataj është qëlluar kur ndodhej përballë FNSH, në kohën kur shkëmbehej zjarr. Në këto rrethana, duke qenë se është qëlluar nga pjesa ballore, duket se nuk ka më dyshime për vrasjen e tij. Pra, Murataj është qëlluar për vdekje nga Policia që kishte përballë.

(Kosova Sot)