Hoxhaj: Në Berlin mund të ketë afate kohore dhe propozime, por jo marrëveshje Kosovë-Serbi

  • 19 April 2019 - 13:49
Hoxhaj: Në Berlin mund të ketë afate kohore dhe propozime, por jo marrëveshje Kosovë-Serbi

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se në takimin e 29 prillit në Berlin nuk mund të ketë një marrëveshje Kosovë-Serbi.

Sipas tij në takime të formatit të tillë multilateral, mund të ketë vetëm afate kohore, e propozime se si duhet të vazhdohet tutje me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Këto deklarata Hoxhaj i ka bërë gjatë një konference të përbashkët më ministrin e Drejtësisë, Ableard Tahirin.

“Ky është një takim multilateral që organizohet prej gjermanëve dhe francezëve ku marrin pjesë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Dhe në takime të tilla multilaterale mos pritni që të keni marrëveshje. Ky është formati i takimit”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka thënë se qëllimi kryesor i këtij takimi në kryeqytetin gjerman është dialogu Prishtinë, por jo arritja e marrëveshjes apo diskutimi i modaliteteve të saj.

“Fokusi kryesor është dialogu Kosovë-Serbi, por nuk do të ketë qëllim që të arrihet marrëveshje, apo të flitet për modalitetet e marrëveshjes. Mund të ketë mesazhe, mund të ketë afate kohore, apo propozime se si duhet të vazhduar tutje, por jo marrëveshje”, ka thënë Hoxhaj.

Sipas tij kjo është një mundësi shumë e mirë për Ballkanin Perëndimor dhe për Evropën që të thellohet sa i përket zhvillimeve në këtë pjesë.

Ai thotë që nëse hapen këtë verë negociatat me Shqipërinë dhe nëse jepen vizat për Kosovën atëherë do të rritet besimi në BE-në, në të kundërtën mendimi i shqiptarëve për Bashkimin Evropian nuk do të jetë më i mirë se sa ishte në 2018-ën.

(Kosova Sot)