Zbulohen emrat e dy personave që Prokuroria po i heton për vrasjen e Oliver Ivanoviq

  • 19 April 2019 - 19:19
Zbulohen emrat e dy personave që Prokuroria po i heton për vrasjen e Oliver Ivanoviq

Prokuroria e Shtetit po i vazhdon hetimet e nisura një vit më parë për të kapur vrasësit e Oliver Ivanoviqit. Nën llupën e prokurorisë speciale janë edhe dy të dyshuar të rinj që sipas Prokurorit Sylë Hoxhaj po kërkohen për t’u arrestuar. Që të dy jetojnë në Mitrovicën Veriore dhe janë të përfshirë në krim të organizuar. Gazeta beogradase, “KRIK” shkruan se bëhet fjalë për Zvonko Veselinoviq dhe Milan Mihailoviq.

Vrasësit e politikanit serb Oliver Ivanoviq ende nuk janë zbuluar, ani se për këtë çështje tashmë janë gjashtë persona të dyshuar.

Për vrasjen e cila ndodhi në mëngjesin e 16 janarit të 2018’ës në Veri të Mitrovicës, nga prokuroria po hetohen edhe dy të dyshuar të tjerë.

Të dy këta, sipas hetuesisë kosovare, jetojnë ne pjesën veriore të Mitrovicës. Të dyshuarit e rinj thuhet se merren me krim te organizuar në Mitrovicë.

Detaje rreth hetimeve te vrasjes së politikanit serb ka dhënë ditë më parë prokurori special që po merret me rastin, Sylë Hoxha.

“Hetimet ne jemi duke i vazhduar. Kemi mbledhur prova, intervistuar persona të ndryshëm që ndërlidhen me rastin”, ka thënë Hoxha.

Ai e pranon se hetimet për këtë vrasje janë zgjeruar si dhe janë edhe dy persona te tjerë të dyshuar.

“Po, kemi zgjeruar hetimet. Janë edhe dy persona të tjerë qe i kemi futë në listë. Jemi duke punuar për arrestimin e tyre. Vendndodhjen e tyre e dimë”, deklaron prokurori special që po merret me zbardhjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

E sipas Gazetës beogradase, të dyshuarit e tjerë për vrasjen e Ivanoviqit po del të jenë Zvonko Veselinoviq dhe Milan Mihailoviq.

Për deklarimet e Presidentit serb rreth këtij rasti, ka reaguar sot edhe Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Tahiri ka thënë se kjo është një përpjekje e ulët për të penguar hetimet në lidhje me zbardhjen e të vërtetës për këtë vrasje.

“Në qendër të këtyre orkestrimeve të presidentit Serb, është qëllimi për t’i frikësuar dëshmitarët dhe qytetarët serb të Kosovës që i besojnë sistemit të drejtësisë së Republikës së Kosovës dhe që do të mund të bashkëpunonin me Prokurorinë e Republikës së Kosovës lidhur me hetimin e këtij rasti”, ka thënë Tahiri.

Ndryshe, rreth këtij rasti, Kosova, tashmë ka këshuar një urdhërrest nderkombëtar për Milan Radojiçiq, si i dyshuar për përfshirje në vrasje.

Milan Radojiçiq, i cili konsiderohet si njeriu më i fuqishëm i Veriut, ka qenë target në një operacioni të kryer nga njësitë speciale të Kosovës në orët e para të mëngjesit të 23 nëntorit.

Ai nuk është gjendur në shtëpinë e tij, por Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona të tjerë, tre prej të cilëve policë serbë që dyshohej se janë implikuar në vrasjen e Ivanoviqit.

Radojiçiq edhe më tutje është në arrati, ndërsa Gjykata Themelore e Prishtinës, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, ka lëshuar urdhër arrest.

Oliver Ivanoviq, ish-ministër dhe ish-deputet në Kuvendin e Kosovës ka udhëhequr SDP’në, ndërsa u vra më 16 janar të vitit 2018.

(Kosova Sot)