Roboti që pastron dhomën e fëmijëve

  • 19 April 2019 - 20:15
Roboti që pastron dhomën e fëmijëve

Nëse edhe fëmijët tuaj e bëjnë dhomën e tyre rrëmujë, atëherë mos u shqetësoni, së shpejti do të vijë roboti, i cili do të përkujdeset për këtë gjë

Një kompani teknologjike japoneze është duke përdorur teknikën e të mësuarit ‘të thellë’, që të mësojë disa makina ta bëjnë një punë të thjeshtë për njerëzit, por befasisht të komplikuar për robotët – ta pastrojnë një dhomë gjumi. Sidomos dhomën e gjumit të fëmijëve.

“Të mësuarit e thellë” nënkupton situatën kur algoritmet, të frymëzuara nga truri njerëzor, mësojnë nga një sasi e madhe e të dhënave, në mënyrë që të jenë në gjendje të kryejnë detyra të komplikuara.

Gama e veprimtarisë së robotëve ende mbetet e kufizuar

Disa nga këto detyra, sikur që është bashkimi i pjesëve të karrocerisë së veturës, janë tepër të thjeshta për robotët, meqë bëhet fjalë për veprime që përsëriten, e të cilat mund të jenë të mërzitshme për njerëzit, por jo edhe për robotët. Por, gama e veprimtarisë së robotëve ende mbetet e kufizuar, meqë kur ata ballafaqohen me një dhomë kaotike, sikur që dinë të jenë dhomat e gjumit të fëmijëve, robotët ‘hutohen’ dhe nuk dinë nga t’ia nisin. Algoritmet e tyre dështojnë. Kjo kufizon detyrat që robotët mund t’i kryejnë në fabrika, prandaj e njëjta Inteligjencë artificiale që përdoret në automobilat që ecin vetë dhe në fabrikat ‘e mençura’, tani është duke u përdor që t’i mësojë robotët se si ta pastrojnë kaosin. Në disa foto të siguruara nga seria e “BBC”-së, “Disruptors”, shihet roboti duke vënë rendin në një dhomë gjumit të fëmijëve.

Robotët e kryejnë ngadalë këtë punë

Në një bodrum në Tokio, kërkuesit shkencorë nga “Preferred Networks” kanë aplikuar një lloj të inteligjencës artificiale për të mësuar robotët se si t’iu qasen objekteve të prishura, apo gjërave që nuk i kanë ‘parë’ asnjëherë deri më tani. Atyre iu duhet që ta identifikojnë çdo objekt, ta vendosin atë në vendin e vet, apo në kuti të veçanta. Kompania thotë se robotët e kryejnë ngadalë këtë punë dhe se shpejt mposhten nga gjërat të cilat nuk i dinë.

Përkundër të gjithave, themeluesi i kompanisë dhe shefi ekzekutiv i saj, Toru Nishikawa, shpreson se, brenda 5 vjetësh, do të jetë në gjendje që t’i shesë këta robotë pastrues.

(Kosova Sot)