Komisioni i dështuar, SHIK-u mund të zbardhë skandalet

  • 20 April 2019 - 07:26
Komisioni i dështuar, SHIK-u mund të zbardhë skandalet

Politikanët merren me Burdushin, hajnia po mbulohet

“E gjitha kjo lë të nënkuptohet se po qe se SHIK-u i Kadri Veselit vendos t’i hapë një ditë letrat e këtij shërbimi, në skenën politike mund të ndodhë ndonjë tërmet, por jo dhe aq i madh, pasi që shumë gjëra edhe ashtu dihen dhe përderisa kjo klasë e dështuar politike në vend se të luftojë me vepra kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, që mbi 10 vjet ka hyrë në çdo institucion dhe të gjitha ndërmarrjet publike, siç është rasti i PTK-së, kontrata kriminale me ZMOBILE, monopoli në homologim, mafinë që po e udhëheq këtë shtet nga nëntoka e shumëçka tjetër. Ata merren me akuza se kush ka shkuar t’i "fryjë" hoxhë Shefqet Krasniqi apo të shkruajë hajmali te Burdushi, siç ishte rasti i akuzave të Dardan Molliqajt, i partisë së Shpend Jahtit, i cili akuzoi publikisht Glauk Konjufcën në Kuvend”, tha analisti Gani Qarri

Ndonëse Kuvendi i Kosovës ka krijuar një komision hetimor, për t’u marrë me hetimin e abuzimet që kanë ndodhur për më shumë se një dekadë e gjysmë në ndërmarrjen më profitabile publike në vend - në Postë- Telekomin e Kosovës, analistët politikë nuk presin që ky komision do të arrijë të bëjë ndonjë punë konkrete, ta adresojë çështjen si duhet dhe organet e drejtësisë të marrin material shtesë për të nxjerrë eventualisht para bankës së të akuzuarve ata që kontribuuan për më shumë se një dekadë në rrënimin e PRK-së dhe sjelljen e saj buzë falimentimit.

Analistët e politikës, por edhe qytetarët janë shumë të sigurt që edhe ky “hetim” i komisionit parlamentar do të jetë vetëm një farsë dhe dështim i plotë, pasi që po këta deputetë që nuk janë për herë të parë në legjislaturë dhe, sikur të ishin të interesuar, kanë mundur ta bëjnë këtë punë shumë vite më parë dhe të mos lejojnë që gjërat të marrin drejtimin deri këtu, për të rënë buzë greminës.

Sidoqoftë, edhe nëse ky komision bën ndonjë improvizim hetimor, çfarëdo raporti që mund ta nxjerrë ky komision për abuzimet milionëshe në PTK, e që këto abuzime janë bërë për çdo ditë për 20 vjet rresht, paraprakisht në opinion mbizotëron bindja se do ta ketë fatin e njëjtë me raportet e deritanishme të të gjitha komisioneve nga mandatet e Kuvendit të Kosovës, për të cilat nuk reagoi dhe nuk veproi Prokuroria Speciale e as ajo e shtetit, por u harruan dhe mbetën në pluhur në sirtarët e Kuvendit të Kosovës, kurse deputetët morën mëditje të majme për kinse punën hetimore të bërë nga ana e tyre.

Pra, qytetarët nuk mund të presin asgjë nga këta deputetë e as nga kjo qeveri e këta pushtetarë të të dyja niveleve të qeverisjes, pasi që politika kosovare është bërë peng i arkivave të SHIK-ut të Kadri Veselit dhe Burdushit, sepse po qe se Burdushi apo Kadri Veseli i SHIK-ut vendosin një ditë t’i hapin letrat, në skenën politike do të kemi tërmet të madh, pasi që kjo klasë politike në vend se të luftojë me veprime kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit që ka hyrë në çdo institucion, në vend se që mbi 10 vjet të hetojnë krimet në ndërmarrje publike, siç është rasti i PTK-së, kontrata kriminale me ZMOBILE, monopoli në homologim, mafinë që po e udhëheq këtë shtet nga nëntoka e shumëçka tjetër, ata merren me akuza se kush ka shkuar të Burdushi, siç ishte rasti i akuzave të Dardan Molliqajt, i partisë së Shpend Jahtit, i cili akuzoi Glauk Konjufcën që ka shkuar për hajmali te Burdushi.

Image
Ragip Guraziu

Telekomi në mëshirën e mafisë

Analisti Ragip Guraziu tha për “Kosova Sot” se Postë- Telekomi i Kosovës është në mëshirën e mafisë së shtetit.

“Kjo do të ishte arsyeja, sepse edhe kësaj radhe qytetarët e Kosovës nuk kanë çka të presin nga hetimi i komisionit parlamentar për abuzimet më shumë se një dekadë e gjysmë në ndërmarrjen më profitabile publike në vend, Postë-Telekomin e Kosovës, dhe nuk do të ndodhë asnjë befasi, përveçse të na ndjekin 10 vjet këto mrekulli, sa u përket ndërmarrjeve, si tani kjo e PTK-së, që janë dhe do mbesin në mëshirën e mafio-oligarkisë, si ato tjerat deri më tani.

Po mendoj se do të jetë edhe ky hetim i komisionit parlamentar realisht një farse dhe dështim i plotë. Unë e them këtë pasi që mendoj se po qe se Kadri Veseli i SHIK-ut vendos një ditë t’i hapë letrat, në skenën politike do të kemi tërmet të madh, pasi që kjo klasë politike në vend se të luftojë me veprime kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit që ka hyrë në çdo institucion, në vend se mbi 10 vjet të hetojnë krimet në ndërmarrje publike, siç është rasti i PTK-së, kontrata kriminale me ZMOBILE, monopoli në homologim, mafinë që po e udhëheq këtë shtet nga nëntoka e shumëçka tjetër, ata merren me akuza se kush ka shkuar te Burdushi”, theksoi Guraziu.

Image
Reshat Badallaj

Banda në aksion

I sigurt në dështimin e plotë të komisionit për hetimin e abuzimeve në PTK është edhe analisti Reshat Badallaj, sipas të cilit kjo ndërmarrje shpejt do të gllabërohet nga banda Devolli. “Jo që po e them, por ju garantoj me kokën time se asgjë të mos presin qytetarët nga ky komision hetimor, sepse kjo është vetëm sa për sy e faqe dhe sa për t' i hedhur pluhur syve popullit. A e dini se këto dy dikastere më të fuqishme të vendit janë në duart e krye banditëve, kryemafio-oligarkëve dhe kryehajnave më të rrezikshëm në Ballkan.

A e dini se këtu është qëllimi t' i gllabërojë banda serbiane Devolli, kanceri i Kosovës, por kjo bandë e zezë mbështetet nga kryebanditët e majave të shtetit, që pikërisht këta kryevagabondë të peshave të rënda janë duke bërë konkurrencë se kush po vjedh më shumë dhe kush po e uzurpon më shumë dhe pastaj për ta ndarë bashkë pazarin e pistë. Përse këta kryebanditë deri sa nuk u zbuluan nga populli nuk formuan komision hetimor? Mendoni se nuk e kanë ditur?!”u shpreh ai.

“Pra, PTK- ja, Telekomi dhe shumëçka tjetër janë në duart e këtyre kryebanditëve që i përmenda më lart dhe në këtë kope të këtij stani është i strehuar edhe Shpend Hajni apo Shpend Jahti, që nuk po ia përmendi mbiemrin, sepse e di populli që ia dha mbiemrin meritor”, tha Badallaj për “Kosova Sot”. Prandaj, sipas Badallajt, sikur që nuk po bën asgjë Prokuroria për rastin ‘Z-Mobile’, nuk do të mund të bëjë as komisioni parlamentar. “Çka u bë me bandën hajdute te Z-Mobile’ ?...

Asgjë sepse bashkërisht janë në vallen e hajnisë dhe këta kryebanditë qëllimisht i kanë ndërsyer disa langonj dhe zagarë të lehin për SHIK-un dhe atë kryehajnin e popullit, kriminelin që i thonë Burdushi. Shikoni klanin famëzi PRONTO se si i lëshuan ata të Shpend hajnit të merren me pallavra në “mezlishtin” e Kadri Topuzit dhe jo me krimin e organizuar të këtij rrjeti kriminal që e kanë kapur Telekomin, PTK-në dhe shtetin”, tha Reshat Badallaj për “Kosova Sot”.

Image
Hysni Aliu

Politikanët e shantazhuar, komisionet formale

Ky grup deputetësh nuk do të mund të luajë rolin e institucioneve të drejtësisë edhe sipas gjykimit që ka njohësi tjetër i zhvillimeve politike në vend, Hysni Aliu. “Deputetët më tepër të ngjajnë me përfaqësuesit juridikë të pushtetarëve dhe disave nga opozita, sesa të jenë përfaqësues të popullit, ashtu siç është në vendet që synojnë demokraci të mirëfilltë. Këto komisione formohen vetëm për nevoja të brendshme, sa për të thënë që po bëjmë diçka dhe që edhe ata ta ndajnë kulaçin me këta "të mëdhenjtë" , për të marrë mëditje të majme, por edhe për të mashtruar elektoratin se gjoja ne nuk jemi si këta të këqij. Këto komisione zbulojnë ekzakt aq sa di një qytetar i thjeshtë, hiç më pak apo më tepër”, u shpreh ai.

“Këto komisione janë edhe një mbulojë para ndërkombëtarëve, duke dashur të tregojnë se ja edhe te ne funksionon demokracia, sikurse te ju, në Perëndim. Njerëz të shantazhuar, të njollosur dhe antishtet po udhëheqin shtetin ose nëse nuk po e udhëheqin, po e përkrahin në mënyrë aktive ose pasive funksionimin e kriminalitetit. Kjo situatë mua më ngjan me okupimin e Kosovës nga Milosheviqi, për dallim nga atëherë, tani kemi një okupim modern që ngjan më shumë me robërimin, ku duart janë të lidhura me pranga të padukshme, kurse truri është shpërlarë në mënyrë aq të sofistikuar saqë njerëzit s’kanë alternativë t’i bashkohen këtij krimi apo të ikin nga vendi”, vijoi më tej Aliu.

“Unë para një viti kam ardhur me një propozim për aktivizimin e diasporës, sepse jam i pashpresë që nga brenda do të mund të ndryshohet diçka. Diaspora do ta bënte ndryshimin, me përkrahjen e forcave të brendshme që tani për tani të vetëm nuk kanë shanse që të bëjnë asgjë. Për të mos u keqkuptuar, kundër Milosheviqit u luftua me armë dhe luftuam me trupin tonë, kurse tani arma e vetme që u nevojitet atyre që duan ndryshimin është të qenët i vendosur që do të luftojnë me mendje dhe dinjitet për shtetin e jo interesin momental të individit.

Gjersa në luftë ranë martirë me dhjetëra mijëra shqiptarë, u torturuam e dhunuam me qindra mijëra, tani Kosova ka nevojë për atdhedashuri dhe sakrifikim tjetër, pra një sakrifikim intelektual, material dhe kohor i njerëzve nga diaspora që do ta ndiznin zjarrin e lirisë dhe do t’i zgjonin njerëzit e heshtur dhe shpirtthyer brenda Kosovës. Diaspora duhet të zgjohet, është momenti i fundit”, theksoi Hysni Aliu për “Kosova Sot”.

Image
Gani Qarri

Pa ndëshkuar rrënuesit, nuk ka kuptim kurrfarë hetimi

Sipas analistit politik Gani Qarri, do të ketë disa mbledhje e “reklamime” të komisionit para medieve, por nuk do të ketë rezultat në finale të hartimit të raportit dhe hetimit për t’u ndëshkuar rrënuesit e PTK-së.“Ndaj mbetet pikëpyetje e madhe se çka dhe nëse mund të presin fare, qytetarët rezultat nga hetimi i komisionit parlamentar për abuzimet më shumë se një dekadë e gjysmë në ndërmarrjen më profitabile publike në vend, Postë- Telekomin e Kosovës.

Kjo për vetë faktin se që në fillim, dihet mirëfilli se përderisa të jetë në pushtet kjo kastë totalisht e kriminalizuar politike edhe ky hetim i komisioni parlamentar realisht do të përfundojë me fiasko dhe mbetet në kujtim vetëm si farsë dhe dështim i plotë, pasi që këta deputetë nuk janë për herë të parë në legjislaturë dhe po të dëshironin e ishin njëmendë të interesuar, kanë mundur ta bëjnë këtë punë edhe shumë vite më parë”, u shpreh ai.

“Kështu që, çfarëdo raporti të cilin mund ta nxjerrë ky komision për abuzimet milionëshe në PTK, mbi abuzime që janë bërë çdo ditë për 20 vjet me radhë, do ta ketë fatin e njëjtë me raportet e deritanishme të të gjitha komisioneve nga mandatet paraprake të Kuvendit të Kosovës, për të cilat nuk reagoi dhe nuk veproi kurrë Prokuroria Speciale, e as ajo e shtetit, por u harruan dhe mbeten të mbulohen me pluhur në sirtarët e Kuvendit të Kosovës, kurse deputetët morën mëditje të majme për kinse punën "e madhe" hetimore të bërë gjoja nga ana e tyre.

Dhe, përderisa shihet qartë karakteri i pavendosur i deputetëve aktualë, qytetarët e Kosovës, nuk mund të presin "bash hiç" asgjë nga këta deputetë e as nga kjo qeveri e këta pushtetarë të të dyja niveleve të qeverisjes, pasi që politika kosovare është bërë peng i arkivave të SHIK-ut të Kadri Veselit, politikës sharlatane të Shefqet Krasniqëve dhe hajmalive pa efekt të Burdushit”, theksoi Gani Qarri.

Image
Sali Salihu

Deputetët e kapur nuk zbardhin skandale

Edhe analisti dhe publicisti Sali Salihu thotë se ky komision përveç përfitimit material nga mëditjet që do të marrin secili anëtar, nuk mund të shkojë në hetim përtej kornizës që u cakton kryeshefi i mafisë që e kontrollon jo vetëm PTK-në, por edhe si tërësi shtetin e Kosovës, Policinë, Prokurorinë, Gjykatat dhe AKI-në.“Unë ju garantoj që këta deputetë të Kuvendit, kjo qeveri, kjo Presidencë dhe këto institucione të drejtësisë që sot i kemi, asgjë nuk do të mundë të zbulojnë e të ndriçojnë, për ta nxjerrë para drejtësisë asnjë skandal të vetëm të përmasave të mëdha, sikur është skandali që po e rrënon PTK-në, sepse të gjithë këta ja\në të lidhur në mënyrë zinxhirore njëri pas tjetrit. Këtu kemi të bëjmë me një lloj krijese që i ngjan atij yllit të detit me gjembat e tij që i hap dhe i zgjeron, i ngushton dhe mbledh pastaj gjithçka përreth vetes.

Prandaj, unë them që pa u ndryshuar komplet kjo politikë, pa rënë komplet këto institucione të të gjitha niveleve, duke përfshirë këtu edhe komandën qendrore policore, komandantin me gjithë stafin e tij, duke përfshirë këtu edhe AIK-un komplet, pa ndryshime në prokurori dhe në gjykata, pa u ndryshuar komplet kjo qeveri, as nuk mund të hetohen, as të zbërthehen, as të zbulohen gjërat. Nuk mund të bëhet asnjë hetim sepse të gjithë këta i kanë dërguar njerëzit e vet atje dhe absolutisht nuk mund të ketë njeri që del dhe punon tani edhe kundër vetvetes”, tha analisti dhe publicisti Salih Salihu për “Kosova Sot”.

Image
Arsim Haziri

Hetim për konsum politik

Edhe sipas analistit politik Arsim Haziri, puna e komisionit hetimor parlamentar do të jetë punë kot së koti, vetëm sa për konsum politik dhe disa mëditje të mira për deputetët.“Është disi e pamundshme të besohej për ndonjë hetim të mundshëm ndaj PTK-së. Duke qenë pothuajse e njëjta legjislaturë në Kuvend dhe ndërtimi i një komisioni të tillë nga ajo legjislaturë, është i pabesueshëm dhe jokorrekt. Ai aset publik qëllimisht është degraduar me të vetmin qëllim, për ta vënë brenda kornizave privatizuese.

Qëllimisht është toleruar të përfitojë përmes një marrëveshje sa të padrejtë aq edhe të dëmshme. Kompania ‘Z-Mobile’ ka vërë në siklet këtë aset, përmes detyrimit në pagesë ka dërguar në një dështim thuaja të plotë. Kjo pasuri publike çdoherë është kriminalizuar nga bartësit e lartë publikë dhe duke funksionuar në këtë mënyrë e kanë dështuar në masë të madhe”, tha Haziri për “Kosova Sot”.

Qytetarët nuk u besojnë parlamentarëve abuzues

Komision koti do të mbetet komisioni hetimor për PRK-në edhe sipas qytetarëve të anketuar nga gazeta, të cilët janë informuar nga mediet për një komision të tillë.

Image
Islam Visoka

Sipas qytetarit Islam Visoka, praktika e deritanishme ka treguar se komisionet e tilla, në secilin rast, kanë shpenzuar një masë të buxhetit të Kuvendit për mëditjet e tyre, por ato raporte që janë hartuar, qoftë edhe me konstatime për shkelje ligji, nuk janë marrë në trajtim nga Prokuroria, prandaj si i tillë do ta ketë fatin edhe një raport i këtij komisioni, nëse arrin të bëhet.“Prandaj unë po them që nuk i marr aspak si serioze këto lloj komisionesh që formohen, edhe kur është fjala ky për hetimet në PTK, sepse realisht nëse e shohim këta vetë e kanë çuar PTK-në në kolaps.

Tani pa marrë parasysh se cilit subjekt politik i takojnë këta deputetë, nuk do të mund të bëjnë gjë, sepse shkatërrimi ka ndodhur jo në këtë mandat, por ka kohë që ka filluar, mandat pas mandati, qeveri pas qeverie, dhe tani kësaj të fundit i ka mbetur në dorë, ose po duan t’ia lënë në dorë. Prandaj, unë them që edhe ky komision veçse do të improvizojë për një kohë të gjatë, nuk do të sjellë kurrfarë dobie për të gjetur përgjegjësit, për t’i ndëshkuar apo për të anuluar kontratat që e kanë dëmtuar kaq rëndë zhvillimin e PTK-së, duke e sjell buzë falimentimit. Kjo agjendë më shumë do të shërbejë për ta mashtruar një kohë edhe popullin, kurse këta do të vazhdojnë atë avazin e tyre të vjetër, sepse po kalojnë gati 10 vjet të fillimit të shkatërrimit dhe vetëm tani këtyre po u bie ndërmend që të merren me të”, tha Visoka për “Kosova Sot”.

Image
Hasan Syla

Qytetari Hasan Syla tha për “Kosova Sot” se komisioni ka dështuar që në hapin e parë, pasi që zyrtarët e PTK-së të cilët i japin llogari politikës dhe krimit të organizuar, nuk i kanë dhen as dosjet e kompletuara, të gjithë kontratat që janë problematike dhe e kanë sjellë PTK-në deri në këtë gjendje.“Unë, prandaj i pyes se çka mund të punon ai komision ashtu. Nuk mund të merret aspak, as së afërmi, me zgjidhjen apo zbulimin e çështjes, sepse atje ku duhet të zbardhet diçka, atje këta nuk mund të prekin. Nuk i lejojnë këta të prekin aty ku janë bërë skandalet e mëdha. Normal që me këtë çështje është dashur të merret prokuroria, por ja që as kjo nuk merret. Kot e kanë deputetët e komisionit që flasin, ata vetëm do t’i marrin do mëditje edhe shumë të mira edhe në fund të fundit puna do të mbetet askund, nuk mund të bëjnë asgjë”, theksoi Hasan Syla.

Image
Shaban Jakupi

Po me aq mosbesim dhe të paefektshme e sheh punën e këtij komisioni edhe qytetari tjetër, Shaban Jakupi. “Unë mendoj që tek ne gjithmonë gjërat po nisen prej bishti. Me këtë punë është dashur të merret drejtësia, po të kishim drejtësi serioze, prokurori profesionale e të pavarur, dhe jo politika. Prandaj, unë po ju them me garanci 100% se asgjë në dritë nuk do të mundë të nxjerrin as këta deputetë me këtë komision hetimor. Ata do të bëjnë disa improvizime kinse po bëjnë diçka, do t’i marrin ato mëditjet e tyre, sepse qëllimi është tek mëditjet e mira dhe në fund do t’i bëjnë do letra si një lloj raporti që nuk merret kush me të e do t’i thonë njëri-tjetrit në mënyrën popullore, ‘më rrove të rrova, por brisku ishte i berberit’”, potencoi ai. Gazeta i ka dërguar pyetje edhe Prokurorisë Speciale për këtë temë, por nuk ka marrë asnjë përgjigje lidhur me çështjen.

(Kosova Sot)