Qarri: Pa ndëshkuar rrënuesit, nuk ka kuptim kurrfarë hetimi

  • 20 April 2019 - 14:29
Qarri: Pa ndëshkuar rrënuesit, nuk ka kuptim kurrfarë hetimi

Sipas analistit politik Gani Qarri, do të ketë disa mbledhje e “reklamime” të komisionit para medieve, por nuk do të ketë rezultat në finale të hartimit të raportit dhe hetimit për t’u ndëshkuar rrënuesit e PTK-së.“Ndaj mbetet pikëpyetje e madhe se çka dhe nëse mund të presin fare, qytetarët rezultat nga hetimi i komisionit parlamentar për abuzimet më shumë se një dekadë e gjysmë në ndërmarrjen më profitabile publike në vend, Postë- Telekomin e Kosovës.

Kjo për vetë faktin se që në fillim, dihet mirëfilli se përderisa të jetë në pushtet kjo kastë totalisht e kriminalizuar politike edhe ky hetim i komisioni parlamentar realisht do të përfundojë me fiasko dhe mbetet në kujtim vetëm si farsë dhe dështim i plotë, pasi që këta deputetë nuk janë për herë të parë në legjislaturë dhe po të dëshironin e ishin njëmendë të interesuar, kanë mundur ta bëjnë këtë punë edhe shumë vite më parë”, u shpreh ai.

“Kështu që, çfarëdo raporti të cilin mund ta nxjerrë ky komision për abuzimet milionëshe në PTK, mbi abuzime që janë bërë çdo ditë për 20 vjet me radhë, do ta ketë fatin e njëjtë me raportet e deritanishme të të gjitha komisioneve nga mandatet paraprake të Kuvendit të Kosovës, për të cilat nuk reagoi dhe nuk veproi kurrë Prokuroria Speciale, e as ajo e shtetit, por u harruan dhe mbeten të mbulohen me pluhur në sirtarët e Kuvendit të Kosovës, kurse deputetët morën mëditje të majme për kinse punën "e madhe" hetimore të bërë gjoja nga ana e tyre.

Dhe, përderisa shihet qartë karakteri i pavendosur i deputetëve aktualë, qytetarët e Kosovës, nuk mund të presin "bash hiç" asgjë nga këta deputetë e as nga kjo qeveri e këta pushtetarë të të dyja niveleve të qeverisjes, pasi që politika kosovare është bërë peng i arkivave të SHIK-ut të Kadri Veselit, politikës sharlatane të Shefqet Krasniqëve dhe hajmalive pa efekt të Burdushit”, theksoi Gani Qarri.

(Kosova Sot)