Drejtësia për mafio-politikanët nënë, për qytetarët njerkë

  • 21 April 2019 - 08:07
Drejtësia për mafio-politikanët nënë, për qytetarët njerkë

Politika e ndëshkimeve e ka rrënuar sundimin ligjor

 “Në disa raste gjykatat i caktojnë dënimet sipas përkatësisë klanore dhe politike. Ish-ministra për dëme materiale milionëshe dënohen me kusht, me kusht dënohen edhe ata që janë në pension, që nuk janë nëpër institucione, me burg dënohen dëmtuesit e pyjeve, vjedhësit e bagëtive, me 5 vjet burg dënohet një minoritare për dëme shtetit prej më pak se 1000 euro”, ka thënë Hasan Preteni për “Kosova Sot”

Drejtësia në Kosovë vazhdon të jetë e sfiduar nga politika dhe dirigjimi i zbatimit të ligjit nën presionin e grupeve të interesit. Qytetarët mbesin të pambrojtur përballë padrejtësive të këtij sistemi, qartazi të inkriminuar. Gjyqtarët nuk japin vendime të drejta, profesionale dhe të paanshme, edhe pse ata i detyrohen ligjit, por punojnë dhe marrin aktgjykime në shumicën e rasteve sipas porosive të pushtetarëve të inkriminuar dhe nëntokës kriminale që po e udhëheq shtetin. Qytetarët që kanë probleme me gjykatat thonë se gjyqtarët vendosin në shumicën e rasteve në bazë të lidhjeve politike. Për çfarë drejtësie mund të flasim nëse gjyqtarët edhe 20 vjet pas luftës, e mbi 11 vjet shtet i pavarur, nuk sjellin një vendim profesional dhe të paanshëm, të bazuar në ligje dhe Kushtetutë? Analistët pyesin se deri kur gjyqtarët në Kosove do të vazhdojnë të jenë zbatues të urdhrave të politikës së inkriminuar.

Image
Skender Kapiti

Në çfarë derexheje ka rënë ky shtet

Analisti Skënder Kapiti thekson se është fatkeqësi e madhe kombëtare kur politika injorante, e kriminalizuar dhe e korruptuar, montohet në pushtet, pra kur ajo e kap dhe e privatizon demokracinë dhe drejtësinë dhe jo vetëm ato, por kur edhe më pastaj kjo lloj politike edhe bën moralin dhe jep leksione "akademike " ,"diplomatike" e "patriotike". “Por, traumat më të rënda kjo politikë i bën publikut dhe kombit atëherë kur ajo kap drejtësinë dhe kur drejtësia në punën e saj motivohet në shërbim të politikës, korrupsionit dhe hajdutërisë politike. Më pastaj kjo drejtësi fiton të drejtën për të bërë batërdinë me ligjin dhe drejtësinë edhe për veten e saj, sepse ka prapavijë dhe mbrojtje të fuqishme politikën dhe pushtetin”, u shpreh ai për gazetën “Kosova Sot”.“Kur shteti bie në këtë derexhe politike dhe juridike aty nuk bëhet më fjalë as për liri, as demokraci dhe as shtet ligjor, pasi gjithçka sundohet e qeveriset pastaj nga mafio-oligarkia politike, juridike dhe ekonomike”, vijoi më tej Kapiti.

Sipas tij në këtë gjendje ku bie shteti dhe shoqëria standardet dhe vlerat janë zëvendësuar nga antivlera.“Në shtetin keqfunksional, si një shtet antishtet, antipublik dhe antiligjor, si normalitete dhe si vlera në atë shtet janë injoranca, nepotizmi, hajnia, papërgjegjshmëria, kriminaliteti dhe sidomos korrupsioni i organizuar mirë institucionalisht në shtet dhe në pushtet”, ka potencuar analisti Skënder Kapiti.

Image
Hasan Preteni

Analisti Hasan Preteni vlerëson se sipas raportit të Zyrës së Avokatit të Popullit mesatarja e zgjidhjes së një kontesti në gjykatat e Kosovës është 7.5 vjet. “E kush duhet t’u drejtohet këtyre gjykatave. Në raportin e fundit të "gjyqësorit" dolën raportimet se numri i kallëzimeve po zvogëlohet. Në anën tjetër edhe presidenti i vendit për rastet që është dashur të merren gjykatat thirret në metoda mesjetare, në kanun, betohet me pleq dhe me kanun, e kur titullarët më të lartë të shtetit nuk u besojnë mekanizmave të drejtësisë në vend si t’i besojnë qytetarët e thjeshtë”, u shpreh Preteni për gazetën “Kosova Sot”.Një çështje merr vite e vite të zgjidhet në gjykata

“Në disa raste gjykatat i caktojnë dënimet sipas përkatësisë klanore dhe politike. Ish-ministra për dëme materiale milionëshe dënohen me kusht, me kusht dënohen edhe ata që janë në pension, që nuk janë nëpër institucione (si të përsërisë veprën personi që nuk është në detyrë), me burg dënohen dëmtuesit e pyetjeve, vjedhësit e bagëtive, me 5 vjet burg dënohet një minoritare për dëme shtetit prej më pak se 1000 euro”, ka thënë ai.“Rreziku më i madh që mund t’i ndodhë një vendi është ai kur qytetari të humbë besimin në institucione. Po kalojnë dy dekada të shekullit 21 dhe kosovarët problemet e veta i zgjidhin me kanun, me marrëveshje apo edhe e marrin drejtësinë në duart e veta. Më të rëndësishëm janë pleqtë e katundit dhe këshillat e pleqnarëve se gjykatësit dhe gjykatat. Kështu sundojnë rendi dhe ligji në Kosovë. Ligjet të gjitha, institucionet, të gjitha, por kush t’i zbaton ato”, potencon Preteni. Sipas tij, faktori njeri, po çalon dukshëm. “Njeri në kuptimin e plotë të fjalës, njerëz me dinjitet etik dhe integritet. Njerëz-zyrtarë që e dëshmojnë dashurinë e tyre duke e dashur shtetin dhe duke i respektuar institucionet. Duke i respektuar ligjet dhe duke i respektuar institucionet i respektojmë shtetin dhe kombin. Kosova ka nevojë për patriotë institucionalë”, ka vlerësuar analisti Hasan Preteni.

Image
Naim Miftari

Llogaridhënia e institucioneve të drejtësisë është zero!

“Fatkeqësisht për 20 vjet pas luftës dhe 11 vjet shtet i pavarur në drejtësinë kosovare nuk mund të flitet për verdikte profesionale e të paanshme, qoftë edhe të pavarura e të bazuara në ligje e Kushtetutë dhe faktikisht gjyqësori nuk mund të ecë para derisa absolutisht mungon llogaridhënia e mirëfilltë brenda tij dhe e vetmja llogaridhënie ekziston ndaj mafisë politike, ekonomike dhe grupeve të caktuara të interesit, kriminale. Në të vërtetë në institucionet e drejtësisë kosovare nuk ka llogaridhënie në përputhje dhe në respekt të ligjit në gjyqësor etj., në mënyrë që të ndëshkohen dhe penalizohen, madje edhe të përjashtohen, të gjithë ata gjyqtarë që u japin llogari politikës dhe mafio-oligarkëve, dhe jo ligjit e Kushtetutës së vendit, për të cilën janë të thirrur dhe e kanë detyrim ligjor.

Prandaj, duhet paraprakisht që edhe mekanizmat përkatës që i marrin në përgjegjësi gjykatësit për veprimet e tyre, të spastrohen nga ndikimet politike dhe të mafio-oligarkëve... Mbase është imperativ i kohës që të ndërmerren një sërë masash reformuese për pastrimin e policisë, prokurorisë dhe të gjyqësorit, pasi edhe nëse vetëm njëri institucion çalon apo dështon, do të kemi çalim apo dështim të tërë sistemit të drejtësisë dhe krejt kjo i shkakton dëm të madh funksionimit të shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit në Kosovë”, ka vlerësuar Naim Miftari për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)