Akuza e radhës, “goditje” për Thaçin dhe Veselin

  • 21 April 2019 - 13:30
Akuza e radhës, “goditje” për Thaçin dhe Veselin

Kryetari i PDK-së, njëherit edhe kryetar i Kuvendi të Kosovës, Kadri Veseli ka kërkuar nga prokurorët që të ngritin aktakuza për politikanë e profilit të lartë.

“Që nga politikanët që ka boll të korruptuar, që flasin mas shumti. Besoj që sistemi gjyqësor dhe me kapacitet që ka, mundësinw dhe guxim mund të bëhen heronj e të ngrisin aktakuza për njerëz të profilit të lartë politik”, deklaroi Veseli.

E lidhur me kërkesën e Veselit, për “Kosova Sot”, ka folur analisti politik, Nexhat Haziri. Ai e quan hipokrizi deklaratën e kreut të Kuvendit.

Image
Nexhat Haziri

“Kërkesat apo deklaratat si kjo e kryetarit te Kuvendit, njëherit edhe kryetar aktual i PDK-së, z. Kadri Veseli, sikur ajo qe e dëgjuam edhe nga kryeministri Haradinaj, gjoja për mafian në KEK-, janë deklarata hipokrizie që janë në shërbim të mashtrimit të opinionit Kosovar, por unë i shohë edhe në vazhdën e paralajmërimit për zgjedhjet e parakohshme të cilat do të ndodhin në vjeshtën e hershme të këtij viti”, thotë Haziri për “Kosova Sot”.

Sipas tij, po të kishte një sistem të drejtësisë funksional në Kosovë, atëhërë sipas Hazirit, Veseli nuk do të vazhdonte të ishte në krye të organit më të lartë ligjvënës të vendit. 

“Politikanët si soji i Veselit dhe të tjerët nga tarafi i qeverisjes aktuale të vendit, e din se prokuroria është e kapur dhe janë pikërisht këta që e kanë kalbëzuar sistemin e drejtësisë, dhe duke pasur nën kontroll këtë sistem e kanë të lehtë të bëjnë deklarata të tilla. Po të kishim një sistem të drejtësisë funksional nuk besoj se z. Veseli do të vazhdonte të ishte në krye të organit më të lartë ligjvënës të vendit dhe po ashtu shumë nga shokët e tij, duke filluar edhe nga presidenti i vendit z. Thaçi me të cilën bashkëkryesojnë PDK-në, të ishin në pozita të tilla udhëheqëse pasi dihet mirë se kokat e krimit të organizuar, korrupsionit dhe të gjitha fenomeneve negative të cilat e kanë goditur vendin dhe po e mbajnë pengë të ardhmen e etj, janë pikërisht këta që sot me deklarata anti korrupsion, po na shesin “dushk për gogla””, është shprehur për “Kosova Sot”, analisti politik, Nexhat Haziri. 

“Nuk ka dhe nuk do të ketë luftë kundër korrupsionit me këtë klasë qeverisëse ne vend dhe me një prokurori të kapur dhe të shantazhuar nga nëntoka e partive politike të cilat aktualisht qeverisin me vendin. Unë besoj se edhe qytetarët e vendit nuk do të binë pre e këtyre mashtrimeve, “deklaratave të ëmbla” të Veselit dhe të tjerëve si ai, kur dihet fare mirë veprimet e tyre inkriminuese”, përfundon Haziri.

(Kosova Sot)