Heshtje në Prokurorinë e Shtetit pas akuzave të Kurtit

  • 21 April 2019 - 14:47
Heshtje në Prokurorinë e Shtetit pas akuzave të Kurtit

Askush në Prokurorinë e Shtetit s’ka dashur të komentojë paralajmërimet e Albin Kurtit se do të premten e ardhshme do të nisë me protesta kundër sistemit të drejtësisë që po amniston politikën nga ndjekja penale për shkak të krimit e korrupsionit.

Sylë Hoxha, Prokuror Special i autorizuar të flasë për media, ka thënë se nuk dëshiron të komentojë lidhur me akuzat e Kurtit. Ka thënë se cili i kryen punët e veta.

“Nuk dëshiroj të them asnjë fjalë për këtë paralajmërim”, ka thënë Syla, për Express.

Ndërkohë, Express, ka provuar të kontaktojë me Aleksander Lumezin, i cili nuk është lajmruar në telefon.

Sidoqoftë, Kurti i është referuar Kryeprokurorit me një mbiemër të ri si Aleksander Lepuri. Ka thënë se Lumezi është i shantazhuar dhe i frikësuar nga tre udhëheqësit e Shtetit.

Lideri i VV’së ka thënë se protesta kundër Lumezit do të nisë të premten në mesidtë.

“Në Kosovën tonë të dashur nuk mund të kemi luftim të krimit të organizuar dhe të korrupsionit të institucionalizuar, nuk mund të kemi gjyqësor të drejtë e drejtësi gjyqësore, me kryeprokuror Aleksandër Lepurin. Me këtë kryeprokuror, shteti i Kosovës nuk është Republikë, por Lepurblikë. Ai është frikacak dhe, mbase, i shantazhuar”, ka thënë Kurti.

“Andaj, të premten e 26 prillit 2019, në ora 5 n’12, pra 5 minuta para mesditës, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve për protestë paqësore para ndërtesës ku ndodhet Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, në rrugën “Luan Haradinaj”, në Prishtinë. Ky Lepur nuk e ka vendin në rrugën që mban emrin Luan”, ka shtuar ai.

(Kosova Sot)