Daçiq paralajmëron: Serbia në Gjermani nuk do të lëshojë pe rreth Kosovës

  • 21 April 2019 - 14:55
Daçiq paralajmëron: Serbia në Gjermani nuk do të lëshojë pe rreth Kosovës

Ministri i Punëve të jashtme i Serbisë Ivica Daçiq ka thënë se takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor në Berlin në të cilin do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e Kosovës, nuk do të jetë vendimtar për zgjidhjen e problemit Kosovë- Serbi, sepse, ka shtuar, Serbia nuk do të lëshojë pe ndaj presioneve e shantazheve.

Ai në televizionin Përva, Daçiqi, siç përcjell gazeta e Beogradit “danas”, ka thënë se Gjermania e ka organizuar takimin pa u konsultuar me shtete tjera, pos me Francën, dhe kjo, sipas tij, është dëshmi se “dikush po e do marrjen e liderizmit” për zgjidhjen e problemit me Kosovën. 

Duke folur për gjashtë vjetorin e Marrëveshjes së Brukselit, Daçiq ka thënë se ai dokument ka qenë i mirë për interesat e serbëve në Kosovë, porse nuk është realizuar për shkak të tolerancës që bashkësia ndërkombëtare ia bën Kosovës. 

„Për këtë arsye sot askush nuk flet për formimin Asociacionit të Komunave serbe, por për ndërprerjen e taksës për çfarë ne duhet të bëjmë disa lëshime. Toleranca e bashkësisë ndërkombëtare ka sjellë deri aty sa që nuk e kemi bërë asnjë hap në implementimin e Marrëveshjes së Brukselit”, ka thënë ai.

(Kosova Sot)