Shikoni pamjet: Sulmohet me grushte lideri i opozitës turke

  • 21 April 2019 - 15:08
Shikoni pamjet: Sulmohet me grushte lideri i opozitës turke

Lideri i partisë opozitare turke, Kemal Kilicdaroglu, është sulmuar nga disa burra të dielën gjatë një ceremonie varrimi në Ankara.

Kryetari i Partisë Popullore Republikane, i cili shënoi fitore të konsiderueshme në zgjedhjet lokale të 31 marsit, ishte duke marrë pjesë në funeralin e një ushtari të vrarë në përleshjet me militantët e Partisë Punëtore të Kurdistanit kur u sulmua nga burrat e panjohur.

Në pamjet e publikuara në medie shihet se si kryetari i partisë kryesore opozitare goditet të paktën dy herë me grushte, përderisa truprojat e tij përpiqen t’i largojnë disa njerëz që u afruan ta sulmojnë atë. Ai arriti të largohet nga vendi i sulmit dhe u fut në një shtëpi që ndodhej afër. 

“Të gjithë jemi të prekur nga ky incident. Kemal Kilicdaroglu është mirë. Ai është dërguar në një vend të sigurt”, tha Levent Gok, deputet i partisë opozitare nga Ankaraja. “Duhet të qëndrojmë të qetë. Kryetari do ta bëjë një deklaratë”, shtoi ai.

Kandidatët e Partisë Popullore Republikane i mposhtën kandidatët e partisë së presidentit turk në Ankara dhe Stamboll, të cilat janë dy qendrat kryesore të Turqisë, shkruan “Reuters”.

(Kosova Sot)