Trump nervozohet nga Raporti i Mueller-it

  • 21 April 2019 - 15:33
Trump nervozohet nga Raporti i Mueller-it

Presidenti Donald Trump u nervozua pa masë rreth "Raportit të çmendur të Muellerit", të premten në mëngjes, duke insistuar se pjesë të raportit ishin të fabrikuara, apo 'broçkulla të pastra' dhe se ai kurrë nuk ka bërë deklarata të turpshme, të cilat i vishen në raport. 

Ky është fundi i presidencës sime'

Sipas raportit, Trump kishte deklaruar se "e pat puna ime", pasi mori vesh emërimin e Robert Mueller-it, duke shtuar se 'ky është fundi i presidencës sime', thotë Jody Hunt, shef i stafit të ish prokurorit të përgjithshëm, Jeff Sessions. Shtëpia e Bardhë menjëherë u përpoq që të relativizonte pohimet e Hunt-it, duke e quajtur atë si një njeri i cili nuk kishte qenë andejpari aq shpesh gjatë viteve të fundit. Të enjten presidenti kishte mohuar se kishte tentuar ndonjëherë largimin e Muellerit. "E kisha të drejtën që t'i jepja fund gjuetisë në shtriga, po të doja. Mund ta pushoja kë të doja nga puna, duke përfshirë edhe Muellerin. Por, vendosa që të mos e bëja një gjë të tillë. Kisha të drejtën e përdorimit të privilegjeve ekzekutive, por nuk e bëra një gjë të tillë'.

Nuk bashkëpunuan me Rusinë

Presidenti thotë se disa ngjarje të përmendura në raportin e Muellerit, kurrë nuk kanë ndodhur. 'Meqë asnjëherë nuk kisha pranuar të dëshmoja, nuk e kisha të domosdoshme që të përgjigjesha ndaj deklaratave të bëra në Raport rreth meje, ku disa prej tyre janë broçkulla të pastra, që kanë për qëllim vetëm të më bëjnë të dukem keq". Pasi prokurori i përgjithshëm, William Barr, ia dërgoi një letër Kongresit, ku thoshte se Raporti i Muellerit kishte ardhur deri te përfundimi se as presidenti, e as kampanja e tij, nuk kishin bashkëpunuar me Rusinë, që të ndikonin në rezultatin e zgjedhjeve, Trump tha se këshilltari special ishte 'njeri i ndershëm'. 

(Kosova Sot)