PDK 'llugë' në Llap, partia po ndahet në dy pjesë

  • 21 prill 2019 - 21:29
PDK 'llugë' në Llap, partia po ndahet në dy pjesë

Ndarja në mes të dy kandidatëve është reflektim i ndarjes historike që në këtë rajon e kanë pasur dy komandantët e UÇK’së, Remi dhe Lata. Të dy kandidatët për kryetar të degës po mbështeteshin prej këtyre dyve.

Në degën e Partisë Demokratike të Kosovës në Llap, gjërat janë bërë llugë. Partia në pushtet në nivelin qendror, të cilën e udhëheq Kadri Veseli, po ndahet në dy pjesë në këtë rajon.

Sot është zhvilluar Kuvendi zgjedhor i Degës së PDK’së në Podujevë.

Partia ka bërë të ditur se është zhvilluar “një garë fer dhe demokratike” mes të dy kandidatëve, Naim Fetahu dhe Fahri Osmani. Fitues ka njoftuar se në fund ka dalë Fetahu, me 117 vota, e se Osmani ka marrë 115 vota.

Por, si qëndrojnë gjërat tash? Media ka mësuar, nga burimet e saj, se kanë shpërthyer pakënaqësi në PDK’në e Llapit.

Sipas këtyre burimeve, 30 nënkryetarë të nëndegëve, si dhe pesë asamblistë të partisë në Podujevë, kanë paralajmëruar dorëheqje, pas zgjedhjes së Fetahut.

Thuhet se këto dorëheqje do të bëhen publike zyrtarisht të hënën.

Ndarja në mes të dy kandidatëve është reflektim i ndarjes historike që në këtë rajon e kanë pasur dy komandantët e UÇK’së, Rrustem Mustafa – Remi, dhe Latif Gashi – Lata.

Të dy kandidatët për kryetar të degës po mbështeteshin prej këtyre dyve.

(Kosova Sot)