Kur të korruptuarit thonë se do ta luftojnë korrupsionin

  • 22 April 2019 - 07:47
Kur të korruptuarit thonë se do ta luftojnë korrupsionin

Salih Gajtani: Nuk dënohen pushtetarët që vjedhin milionat, por të vegjlit që vjedhin pak gjë

 “Korrupsioni në nivelin më të lartë të mundshëm, kurse punësimi në nivelin më të ulët të mundshëm, që nuk ka se ku shkon më poshtë. Unë e kam moshën 60- vjeçare dhe as sot e kësaj dite nuk kam arritur ta gëzojë asnjë cent përfitim nga ana e shtetit të Kosovës.

Punë fizike nuk mund të bëjë, sepse jam lodhur duke punuar. Kam punuar axhustator me kualifikim të paralufte, por pas lufte fabrika është shitur dhe nuk punon më. Djemtë kanë shkuar jashtë në Perëndim dhe më kanë lënë vetëm. Në vitin 2001 jam kthyer nga Gjermania për të punuar në vendin tim të punës ku kam punuar përpara në Skenderaj, por fabrika u shit dhe unë mbeta pa punë, kurse djemtë ecën të dytë jashtë në Perëndim dhe tash po më shkon edhe vajza. Po mbetem vetëm, sepse këtu nuk ka shpresë, plus edhe gruaja ka shkuar me fëmijët dhe ka gjetur punë në Gjermani”, theksoi për gazetën “Kosova Sot”, qytetari Ismail Kajtazi nga Skenderaj

Duke parë që përsëri do të ballafaqohen me verdiktin e popullit në zgjedhjet që mund të befasojnë në çdo kohë gjatë këtij viti, figurat kryesore të partive politike, sidomos atyre që janë në pozitën e qeverisjes së vendit, kohëve të fundit janë bërë shumë të zëshme me deklarimet e tyre mashtruese, kinse në mandatin tjetër do të jenë të pakompromis në luftimin e krimit dhe të korrupsionit.

Një taktikë e tillë mashtruese nuk mund të manipulohet, sepse opinioni publik, qytetarët e Kosovës tanimë janë mësuar me fraza të tillë të kota. Qytetarët e anketuar theksojnë se është e turpshme dhe e pamoralshme kjo mënyrë e sjelljes mashtruese, se si kanë filluar tani që t’i shesin popullit moral të së drejtës dhe moral politik e kundër krimit dhe korrupsionit, pikërisht njerëzit kryesorë përgjegjës që me krimin e korrupsionin e tyre 20- vjeçar po e shkatërrojnë për më shumë se dy dekada këtë vend të nëpërkëmbur nga ata e soji i tyre. Sipas qytetarëve në këtë lojë po prin kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili ka deklaruar javën që mbeti pas se njerëzit e pangopur duhet të ndalen, duhet të denoncohen dhe të dërgohen në burg, derisa njerëzit që kanë ide, kreativitet dhe dashuri për vendin duhet të përkrahen.

Qytetarët vlerësojnë se me këtë qasje, kjo deklaratë e Veselit na bënë të kuptojmë se tani të gjithë të inkriminuarit në krim të organizuar duhet të “amnistohen” për kreativitetin e tyre korruptiv e kriminal, por duhet të ndiqen ata që nuk arritën ta bëjnë këtë, sepse nuk ishin “peshkaqenë” të zotët për t’u bërë bashkë me ta, e për të grabitur, dhe tani mund të jenë të ndjekur nga këta që kanë bërë dhjetëra miliona e qindra miliona pasuri e janë rehatuar duke krijuar dhe duke zgjeruar bizneset e tyre kriminale edhe në parajsa fiskale jashtë e larg vendit. Kjo mënyrë e ndërrimit të pozitave do të ishte e rrezikshme për shoqërinë tonë, prandaj qytetarët zotohen se nuk do të mashtrohen nga fjalamania e tillë, dhe se ndëshkimi me votë i pret të gjithë të korruptuarit në zgjedhjet e radhës.

Image
Salih Gajtani

Nuk u besojnë premtimeve të politikanëve

Qytetari Salih Gajtani tha për “Kosova Sot” se nuk i beson premtimet dhe zotimet e tilla të Veselit dhe askujt tjetër nga kjo politikë, ngase sa herë kanë premtuar me kaq pompozitet, në pushtet i kanë sjellë njerëzit që janë akoma më të korruptuar.

“Ka vite që vazhdimisht kështu na premtojnë, dhe më pastaj njëfarë ndërrimi po bëhet, por prapë njerëzit e së njëjtës strukturë po na vijnë në pushtet. I njëjti kualitet i njerëzve po na vjen përsëri, madje vetëm që po na vijnë njerëz akoma më të uritur se të parët dhe korrupsioni po thellohet edhe më shumë, sepse deri më tani asnjë ndryshim nuk është realizuar, sado që këto ndryshime vazhdimisht janë premtuar”, është shprehur Gajtani. Ai tutje ka theksuar se kjo i bie që këta nuk bëjnë tjetër veç përpjekjeve për të na mashtruar. “Unë e kam dëgjuar edhe deklaratën e fundit të Kadri Veselit, por ajo deklaratë vlen dhe është aktuale vetëm derisa ai ta kthejë shpinën e pastaj të gjitha harrohen, sepse po ato premtime e zotime për pak minuta i merr fryma me vete. Ne jemi mësuar t’i shohim se si këta i dënojnë vetëm këta të vegjlit që vjedhin nga pak, por nuk i dënojnë ata që janë të tyre, e që i vjedhin milionat e shtetit”, tha Salih Gajtani.

Image
Ismail Kajtazi

Të gjithë fajtorë për gjendjen ku është katandisur vendi

Qytetari Ismail Kajtazi nga Skenderaj, që tani jeton në Mitrovicë, tha për “Kosova Sot” se nuk u beson deklarimeve të tilla të asnjërit nga zyrtarët e shtetit, e as të kryetarit të Kuvendit z. Veselit, pasi të gjithë janë sprovuar, dhe të gjithë janë fajtorë për gjendjen në të cilën është katandisur dhe po katandiset vendi. “Pleqtë e vjetër gjithmonë kanë thënë se ai që e mbaron ibrikun ia lë edhe vegën, prandaj këta vegët e tyre po i kanë të gatshme. Sa i takon luftimit të krimit dhe të korrupsionit, luftimit të të korruptuarave, ne si popull po i shohim dhe po themi që janë të korruptuar, por ne nuk po arrijmë që t’i shohim se po i heton kush. Ne realisht e kemi të pamundur që të veprojmë kundër tyre. Pak gjëra kanë ndryshuar për këto vite pozitivisht, prandaj po të vinte një klasë e njerëzve të rinj për ta marrë pushtetin do të ishte zgjidhja më e mirë për popullin dhe për vendin. “Korrupsioni në nivelin më të lartë të mundshëm, kurse punësimi në nivelin më të ulët të mundshëm, që nuk ka se ku shkon më poshtë.

Unë e kam moshën 60- vjeçare dhe as sot e kësaj dite nuk kam arritur ta gëzojë asnjë cent përfitim nga ana e shtetit të Kosovës. Punë fizike nuk mund të bëjë, sepse jam lodhur duke punuar. Kam punuar axhustator me kualifikim të paralufte, por pas lufte fabrika është shitur dhe nuk punon më. Djemtë kanë shkuar jashtë në Perëndim dhe më kanë lënë vetëm.

Në vitin 2001 jam kthyer nga Gjermania për të punuar në vendin tim të punës ku kam punuar përpara në Skenderaj, por fabrika u shit dhe unë mbeta pa punë, kurse djemtë ecën të dytë jashtë në Perëndim dhe tash po më shkon edhe vajza. Po mbetem vetëm, sepse këtu nuk ka shpresë, plus edhe gruaja ka shkuar me fëmijët dhe ka gjetur punë në Gjermani”, është shprehur ai. Kajtazi thotë se ka qenë simpatizant i madh i këtyre njerëzve që tash janë në politikë që nga viti 1998, ku ka kontribuar shumë me të holla, mirëpo gjërat as së afërmi nuk po shkojnë si duhet, sepse kudo punohet përmes njohtësisë, me korrupsion dhe krim të organizuar. “Madje, pa pasur lidhje njohtësie as nuk mund të shkosh në spital, as në polici, as në Qeveri e as të gjesh ndonjë punë sado simbolike për të jetuar apo për të mbijetuar”, tha Ismail Kajtazi. Madje, ai thotë se në këtë valle mashtrimi tash po futet edhe presidenti Hashim Thaçi dhe jo vetëm Kadri Veseli. “Të gjithë këta i kanë punët mirë.

Unë e lexova një koment të presidentit Hashim Thaçi, i cili tha se nuk ka rrogë nën 650 euro, kurse unë derisa punoj nga pak privat te një firmë në Mitrovicë, ai mbi 250 euro nuk na paguan. Prandaj, unë po them që nëse vjen shpejt deri te zgjedhjet e reja, ne duhet t’i ndërrojmë këta”, tha Ismail Kajtazi për “Kosova Sot”.

Image
Safet Llugiqi

Llugiqi: Gjykatat janë të uzurpuara nga politika, nuk i kanë duart e lira

“Kot po përpiqen këta përgjegjës për shkatërrimin e vendit me krim e korrupsion që ta mashtrojnë popullin, sepse populli është në nivelin më të lartë të vetëdijesimit që ka kaluar tanimë koha e këtyre dhe duhet të vijnë njerëz të rinj në pushtet, që nuk janë të lidhur me krimin e korrupsionin. Unë po besoj që tani ka ardhur koha për të bërë ndryshime rrënjësore në këtë skenën politike, por akoma nuk po shohim në sipërfaqe që ka opsione serioze, të cilat mund të bëjnë ndryshime, për të besuar që vjen dikush tjetër dhe e bën qeverisjen më mirë sesa që është sot.

Po e shoh pak me skepticizëm këtë ndryshim të shpejtë, pasi akoma nuk po shihen rezultatet e askujt, të asnjë partie politike. Unë po dua të besoj pak a shumë që tani disa parti të vogla politike dhe LDK-ja do të shkojnë duke u forcuar dhe duke u ristrukturuar, dhe ndoshta do të jenë shpresa e vetme me qasje më të drejtë dhe më të sinqertë ndaj ofertës për qytetarin.

Ne e kemi parë javën e kaluar premtimin që doli edhe nga kryeministri, edhe nga kryeparlamentari, zotimet se do të luftohet krimi e korrupsioni, se të korruptuarit e kanë vendin në burg, por unë them që të korruptuarit kaherë e kanë pasur vendin në burg, mirëpo nuk po ka kush t’i dërgojë atje, derisa po shihet që gjyqësori është i kapur, i ndikuar nga politika, është i uzurpuar dhe nuk i ka duart e lira”, theksoi për gazetën “Kosova Sot”, qytetari Safet Llugiqi.

Ferati: Populli ka rënë në gjumë dhe po duron

“Kjo që po e premton tani Kadri Veseli nuk është asgjë tjetër veçse përpjekje për të amnistuar ata të korruptuarit dhe të inkriminuarit e rangut më të lartë në politikë, dhe për të ndjekur e për të ndëshkuar aksidentalisht ndonjë shkelës të vogël të parëndësishëm të ligjit, sa për të arsyetuar dhe për të mbuluar mosndëshkimin e ‘peshqve të mëdhenj’ që për çdo ditë po e rrënojnë dhe po e shkatërrojnë shtetin.

T’ju them të drejtën, le të premtojnë sa të duan, secili, sepse unë as më të voglin optimizëm nuk e kam që këta do t’i zbatojnë ato premtime, por derisa populli ka rënë në gjumë dhe po duron, këta le të dalin të shëtisin e le të premtojnë sa të duan derisa ne nuk reagojmë, këta do të vazhdojnë kështu të luajnë me neve dhe të na bombardojnë me këto premtimet boshe, sepse këta janë vetë të korruptuar.

Pra, mbreti i lojës janë këta vetë, dhe kur është fjala për korrupsionin edhe për krimin e organizuar, edhe për nepotizmin dhe për të gjitha të këqijat të cilat po ndodhin sot në vendin tonë”, theksoi qytetari Halil Ferati, i cili për arsye personale tha se nuk dëshiron që të paraqitet me foto në gazetë.

(Kosova Sot)