Vetëm VETTING-u do të pastronte drejtësinë dhe do të dekriminalizonte politikën

  • 22 April 2019 - 07:58
Vetëm VETTING-u do të pastronte drejtësinë dhe do të dekriminalizonte politikën

Preteni: Hetime dhe gjykime do të ketë vetëm nëse kërkon politika

“Politika dhe drejtësia nuk pyesin për reagime, sepse politika, pushteti e drejtësia në Kosove janë një sistem simbiotik krimi, tradhtie, hajnie e korrupsioni.

Pa rënë sistemi politiko-instrumental i padrejtësisë, korrupsionit dhe i krimit, i cili është sistemi gjyqësor dhe politika e kriminalizuar nuk do të ketë as demokraci funksionale dhe as shtet ligjor. Armiku i demokracisë dhe i shtetit ligjor është regjimi mafio-oligarkik i pushtetit të politikës së krimit, korrupsionit dhe padrejtësisë. Sistemi i regjimit nuk vetëshembet dhe as nuk vetëdorëzohet po nuk hasi në rezistencë dhe në kundërshti”, thotë për gazetën “Kosova Sot” analisti Skënder Kapiti

Drejtësia kosovare, pavarësisht reagimeve të shumta, nuk është duke ndërmarrë asgjë për të treguar së paku një seriozitet në raport me luftimin e krimit dhe korrupsionit. Kështu mendojnë analistët, por edhe njohësit e çështjeve të drejtësisë. Ndonëse e vetmja zgjidhje ka mbetur VETTING-u, sipas analistëve, vetëm pas VETTING-ut, i cili urgjentisht duhet bërë në Kosovë në sistemin e drejtësisë, do të ndryshonte tërësisht struktura e gjyqtarëve dhe e prokurorëve të kriminalizuar, pasi që shumica e tyre janë të deleguar të politikës dhe mafio-oligarkisë, që përbëjnë nëntokën kriminale në vend.

Ata janë shprehur se vetëm pas një VETTING-u nën mbikëqyrjen amerikane dhe të BE-së, do të mund të ndryshonte edhe përbërja e KGJK-së dhe KPK-së, ku pastaj nuk do të kemi gjyqtarë e prokurorë të inkriminuar dhe që kanë përfituar miliona euro, të deklaruara rrejshëm gjoja si trashëgimi, e në realitet janë fryt i pazareve të vendimeve gjyqësore të trafikuara.

Image
Riza Smaka

Smaka: Nuk ka progres në drejtësi pa eliminim të defekteve

Profesori i së drejtës, Riza Smaka, mbetet pesimist përkitazi me ndonjë progres të shënuar në favorin e efikasitetit dhe efiçiencës së sistemit të drejtësisë në vendin tonë. “I njëjti valorizim vlen edhe për administratën publike. Në radhë të parë ngase as në sistemin e drejtësisë as në Administratën Publike të vendit tonë nuk ekziston ndarje e punëve sipas profile profesionale.

Edhe më keq kur sikundër ekzekutivi ashtu edhe legjislativi gjithnjë ushtrojnë influencime intensive në punën e ushtrimin e funksioneve të prokurorive, gjykatave, si dhe të administratës publike. Ndaj pa eliminimin e defekteve të theksuara nuk mund të pritet asnjë progres, as kualitativ dhe as kuantitativ. Ndryshe puna e funksionarëve të prokurorive dhe gjykatave është e vështirë, e përgjegjshme dhe kërkon sikundër përkushtim serioz ashtu edhe njohuri teorike e praktike të konfirmuara, është shprehur profesori Smaka për gazetën “Kosova Sot”.

Image
Skender Kapiti

Analisti Skënder Kapiti thotë për “Kosova Sot” se drejtësia, politika e pushteti në Kosovë nuk ndiejnë dhe as nuk pyesin për reagime verbale mediatike, sepse atyre u ka dalë boja dhe turpi dhe nuk mund të flitet për seriozitet e përgjegjshmëri publike, kombëtare, morale e ligjore nga ana e tyre.“Ato nuk pyesin për këto reagime, sepse politika, pushteti e drejtësia në Kosovë janë një sistem simbiotik, krimi, tradhtie, hajnie e korrupsioni.

Pa rënë sistemi politiko-instrumental i padrejtësisë, korrupsionit dhe krimit, i cili është sistemi gjyqësor dhe politika e kriminalizuar nuk do të ketë as demokraci funksionale dhe as shtet ligjor. Armiku i demokracisë dhe i shtetit ligjor është regjimi mafio-oligarkik i pushtetit të politikës së krimit, korrupsionit dhe padrejtësisë. Sistemi i regjimit nuk vetëshembet dhe as nuk vetëdorëzohet po nuk hasi në rezistencë dhe në kundërshti”, theksoi Kapiti.

Sipas tij, në këtë realitet ku ka degraduar politika dhe drejtësia, si dhe në atë gjendje paralize ku kanë rënë shteti e shoqëria civile vetëm një ligj VETTING-u i kontrolluar, monitoruar dhe i drejtuar kryesisht nga SHBA do të bënte të mundur vendosjen e demokracisë, konsolidimin e saj, ngritjen dhe funksionimin e shtetit modern e ligjor në Kosovë. “Vetëm VETTING-u do të mundësonte pastrimin e drejtësisë dhe dekriminalizimin e politikës dhe për rrjedhojë edhe kthimin e shpresës te drejtësia dhe te shteti ligjor e demokratik. Këtë tashmë e kanë të qartë edhe publiku, por edhe ndërkombëtarët. Dhe, me siguri që SHBA-ja dhe BE-ja patjetër do të ndihmojnë ligjin, drejtësinë, shtetin dhe integrimin e Kosovës. Dhe, kjo ndihmë do të vijë kur SHBA-ja dhe BE-ja do të ndërmarrin dhe me presion demokratik do ta detyrojnë edhe Parlamentin e Kosovës që ta miratojnë VETTING-un , i cili do të ishte jetik për Kosovë, ka theksuar analisti Skënder Kapiti për gazetën “Kosova Sot”.

Image
Hasan Preteni

Preteni: Politika i ka nën sqetull hetuesinë dhe gjyqësinë
”Mungesa e vullnetit politik është baza e të gjitha të këqijave. Pa strukturë politike të mirëfilltë, pa strukture politike të pastër, të dëshmuar dhe të pashantazhuar, progres nuk ka. Politika i ka vënë nën sqetull hetuesinë dhe gjyqësinë. Hetime dhe gjykime do të ketë vetëm nëse kërkon politika. Rrogat e mira joligjore dhe benifitet tjera jetësore po shërbejnë si mjet shantazhues për gjyqësor.

Vetting-un nuk e bën kjo klasë politike, kjo është e shantazhuar, e korruptuar dhe jopatriotike. Shikojeni vetëm rastin me veturat zyrtare 4 Z, këto janë veturat e “gjyqësorit”. Në rrethana tejet jomorale, në mesin e ditës në rrugën më të frekuentuar në Kosovë, me video-incizim dëshmohet amoraliteti i zyrtarëve të gjyqësorit dhe s’ka qëndrim zyrtar, s’ka penalizim, s‘ka kumtesë zyrtare. Pushteti i pamoralshëm tani po reflekton edhe injorancë. Po ju gënjejmë, po ju vjedhim, po i shkelim kodet e etikës dhe integritetit. Ju marrim lekët dhe bëjmë ka të duam. Shteti jemi ne”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” analisti dhe ish-kreu i Antikorrupsionit, Hasan Preteni.

Image
Gent Gjini

Gent Gjini: I forti fare nuk preket, i dobëti kalon në kamxhikun e represionit të ligjit

“Unë mendoj se ligji mbi Vetting-un duhet menjëherë të kalojë në procedurën tonë legjislative në Parlament, të paraqitet ajo para deputetëve dhe të votohet, duke u ndryshuar me këtë Kushtetuta, me qëllim që gjyqtarët dhe prokurorët t’i hetojë ky lloj mekanizmi ndërkombëtar. Pse i përmenda edhe ndërkombëtarët, nga arsyeja e thjeshtë se Vetting-u në shtetin e Shqipërisë në përbërje të tij ka ish- prokurorë amerikanë, ish-gjyqtarë amerikanë, të cilët janë pjesë e trupës, të cilët hetojnë gjyqtarët kryesisht në këto elemente: pasuritë të pajustifikueshme të tyre, shoqërim me kriminelë dhe aspektin profesional, që lë shumë për të dëshiruar. Kjo është një nga arsyet pse kemi një korrupsion të shfrenuar, kemi shtrembërime të akuzave, duke i amnistuar të fortët, kemi aktgjykime të cilat nuk ndëshkojnë personat e inkriminuar me largim nga puna, i forti fare nuk preket e i dobëti kalon në kamxhikun e represionit të ligjit.

Kemi paaftësi profesionale, kemi mungesë etike- sjellje, kemi prokurorë e gjyqtarë që u mungon trimëria, kemi disa që kanë përfituar pasuri të majme të pambuluar, kemi gjyqtarë dhe prokurorë që janë zgjedhur nga politika, klanet dhe korrupsioni, kemi familjarizëm, pra janë këto që do të duhej të determinojnë procesin e Vetting-ut që ajo të jetësohet në kohë sa më parë, e që për disa nga aspektet sistemi i drejtësisë i Kosovës ia kalon sistemit të drejtësisë të Shqipërisë për këto dukuri negative.

Mekanizmi i institucionit të Këshillit Gjyqësor, fatkeqësisht është treguar i paaftë, pasi ajo është “shtëpia”, e cila merret me rekrutimin, vlerësimin e kritereve për gjyqtarë”, thotë për “Kosova Sot” Gent Gjini, avokat

(Kosova Sot)