Sulmet në Shri Lanka ishin paralajmëruar më 4 prill

  • 22 April 2019 - 10:31
Sulmet në Shri Lanka ishin paralajmëruar më 4 prill

Zëdhënësi i kabinetit qeveritar të Shri Lankas, Rajitha Senaratne, gjatë një konference për gazetarë të hënën tha se qeveria ka qenë e informuar për mundësinë e sulmeve të përgjakshme që ndodhën të dielën.

“Më 4 prill, 14 ditë para se të ndodhnin këto incidente, ne jemi informuar për mundësinë e këtyre shpërthimeve”, tha ai. Disa orë më herët, edhe kryeministri i vendit, Ranil Wickremesinghe, tha se policia është informuar të paktën dhjetë ditë më parë për këto sulme.

“Më 9 prill, shefi i inteligjencës kombëtare e dërgoi një letër ku ishin të shkruar emrat e shumë prej anëtarëve të organizatës terroriste. Kryeministri nuk ishte i informuar nga kjo letër dhe këto zbulime”, tha Seneratne.

Kompetencat për sigurinë dhe inteligjencën kombëtare në Shri Lanka i takojnë më tepër presidentit Maithripala Sirisena, i cili ka marrëdhënie të tensionuara me kryeministrin Wickremesinghe. Në tetor të vitit të kaluar, presidenti ishte përpjekur ta shkarkonte kryeministrin, me ç’rast ishte krijuar një krizë kushtetuese.

“Ne nuk besojmë se këto sulme janë kryer nga një grup njerëzish që qëndronin vetëm brenda shtetit. Ka qenë një rrjet ndërkombëtar, pa ndihmën e të cilit këto sulme nuk do të mund të kryheshin”, tha presidenti.

Deri tash është konfirmuar se 290 njerëz janë vrarë dhe së paku 500 janë plagosur. Sidoqoftë, autoritetet thonë se numri i të vdekurve mund të rritet për shkak se shumë njerëz janë të plagosur rëndë dhe ndodhen në gjendje kritike.

Në mesin e viktimave ka edhe shumë të huaj, përfshirë pesë qytetarë britanikë, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot)