Grabitja në Rinas-Si u zbulua servisi ku u modifikua furgoni, hetohet përfshirja e një femre. Dyshohet se…

  • 22 April 2019 - 10:43
Grabitja në Rinas-Si u zbulua servisi ku u modifikua furgoni, hetohet përfshirja e një femre. Dyshohet se…

Katër persona janë vënë në pranga gjatë një operacioni, që nisi mbrëmjen e së shtunës. Burime të rezervuara nga Policia thanë dje se dy prej të ndaluarve, që dyshohet të kenë marrë pjesë direkt në grabitje, janë nga Fushë-Kruja, ndërsa dy të tjerët që kanë rol dytësor në ngjarje, janë nga Elbasani.

Servisi i automjeteve është zbuluar përmes këqyrjes së dhjetëra kamerave sigurie, përmes rrugës që ka përshkuar furgoni me mbishkrimin “Hetimi Tatimor” para se të mbërrinte në Rinas ditën kur ndodhi grabitja më 9 prill, por edhe më përpara kësaj date. Bëhet fjalë për një biznes privat në pronësi të shtetasit Gentian Sh., nga Elbasani, që ka në brendësi servis makinash dhe një lokal. Ai ndodhet te rrethrrotullimi i Bradasheshit, në rrugën e vjetër të Metalurgjikut.

SERVISI

Burimet thanë se servisin bashkë me lokalin, shtetasi Gentian Sh. ua kishte dhënë me qira të afërmve të Klement Çalës. Ky i fundit ka nënshkruar një kontratë përmes të afërmve të tij që t’i marrë me qira servisin. Në këto rrethana, dyshohet se ai mund të ketë bashkëpunuar me Admir Muratajn, edhe pse nuk ka ende të dhëna zyrtare. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, në grabitjen e Rinasit dyshohet të kenë marrë pjesë tri grupe kriminale, nga Elbasani, Fushë-Kruja dhe rrethinat e Tiranës. Në gjurmët e personave të dyshuar është rënë përmes përgjimeve telefonike. Gjatë përgjimit të këtyre telefonatave, është vërejtur një lloj shqetësimi mes personave për shkak të vrasjes së Admir Muratajt, por edhe provave që mbetën në dorën e Policisë, duke qenë se furgoni nuk u arrit të digjej.

OPERACIONI

Emrat e personave të ndaluar nuk u bënë publik dje nga Policia dhe as nga Prokuroria, duke qenë se operacioni është ende në vazhdim. Burimet thanë se kanë rënë në gjurmët edhe të dy personave të tjerë, të cilët priten të arrestohen gjatë orëve në vijim. Ndërsa sa u përket personave të ndaluar gjatë ditës së djeshme, mësohet se njëri prej tyre është i afërm i Klement Çalës, i dënuar në Greqi me 25 vjet burg, i shpallur në kërkim edhe nga drejtësia shqiptare që prej vitit 2017, kur u godit grupi i grabitjes së blindave, ku ishte i përfshirë edhe Admir Murataj. Megjithatë, Policia nuk jep të dhëna më shumë rreth këtij personi, nëse ka pasur rol aktiv në grabitjen e 9 prillit, apo mund të ketë bashkëpunuar në rrethana të tjera.

HETIMI

Mes personave që po hetohen nuk përjashtohet edhe përfshirja e një femre, e cila ka pasur një rol ndihmës për bashkëpunëtorët dhe grabitësit e 9 prillit në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”.

Hetimi për këtë ngjarje detyroi Policinë që të hapte dosjet e vjetra, për të bërë portretin dhe mënyrën se si vepronin disa grabitës në vendin tonë, në mënyrë që të krahasohen me tiparet e autorëve të ngjarjes së fundit.

Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda thonë se ka përfunduar sekuestrimi i dhjetëra dokumenteve pranë TIA-s dhe ICTS-së dhe pritet që në javën në vazhdim të nisë marrjen në pyetje të shumë prej këtyre punonjësve.

(Kosova Sot)