Protestë masive në Marok, kërkohet lirimi i aktivistëve të burgosur

  • 22 April 2019 - 12:08
Protestë masive në Marok, kërkohet lirimi i aktivistëve të burgosur

Mijëra njerëz kanë protestuar të dielën në kryeqytetin e Marokut. Ata po kërkojnë që autoritetet t’i lirojnë nga burgu 42 aktivistët që më herët kishin protestuar kundër korrupsionit dhe papunësisë.

Protesta e së dielës u organizua nga grupet politike dhe grupet për mbrojtjen e të drejtave civile në bashkëpunim me familjet e personave të arrestuar.

Kjo kryengritje erdhi pasi një gjykatë vendosi t’i mbajë në fuqi dënimet me burgim afatgjatë për aktivistët e arrestuar që kishin protestuar në vitet 2016 dhe 2017. Autoritetet i kanë akuzuar ata për kërcënim të sigurisë së shtetit.

Protestuesit ecën në rrugë me flamuj, pankarta dhe fotografi të aktivistëve të burgosur, të cilët janë anëtarë të lëvizjes “Rif”. Ata bënë thirrje edhe për lirimin e gazetarit Hamid El Mahdaoui, i cili është dënuar me tri vjet burgim për shkak të përcjelljes së protestave në rajonin verior të Rifit.

Në qershor të vitit 2018, një gjykatë marokene e dënoi liderin e kësaj lëvizjeje me 20 vjet burgim. I njëjti dënim u dha edhe për aktivistët Ouassim El Boustati dhe Samir Ghid, ndërsa të tjerët u dënuan me burgim deri në 15 vjet.

Protestat e vitit 2016 ishin nxitur nga vdekja e një shitësi të peshqve, i cili ishte goditur nga një kamion i mbeturinave përderisa po mundohej t’i merrte peshqit e konfiskuar nga policia lokale. Kjo ngjarje kishte shkaktuar zemërim në mesin e popullsisë, e cila doli në rrugë për ta akuzuar qeverinë për korrupsion dhe keqpërdorim të pushtetit, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot)